Kërko

Shtegtari drejt Parrizit Shtegtari drejt Parrizit 

24 mendime për Kohën e Ardhjes: e hëna II e Kohës së Ardhjes.

E Hëna II e Kohës së Ardhjes. Një shpresë më shumë. Një ftesë e re për t’u zgjuar. Një hap më përpara, drejt Dritës …

R. SH. - Vatikan

Është kohë e vështirë. Kohë kur njeriu rrezikohet ta humbasë pikërisht kuptimin e kohës, sepse ajo shket e shkon pa u ndjerë. E ashtu pa ndjerë mund të gjindesh përpara së papriturës së padëshiruar, nëse nuk je përgatitur me kohë për ta shndërruar në të dëshiruar…Ta bëjmë prandaj sot një hap të ri drejt Betlehemit. Për të gjetur enigmën e ankthit, që na i shtrëngon zemrat…

24 mendime për Kohën e Ardhjes:  E hëna II e Kohës së Ardhjes.

Kaloi një javë nga Hëna I e Kohë Ardhjes. Si kalon dita, java, jeta! Pa u ndjerë. Si era. Gjithnjë në kërkim të diçkaje, që të gëzon. E këto ditë, në kërkim të një Shpelle, drita e së cilës ta ndriçon kuptimin e jetës, sot kapërthyer në errësirën e së nesëmes së paqartë:

“Prandaj e kërkojmë Yllin tënd, o Zot, që të ecim në rrugën tënde e ta gjejmë shpellën tënde e të jetojmë në dritën tënde - nëse nuk duam të humbasim në errësirën e pafundme”.

Britma e Izaisë Profet

Në një rast delikat të historisë së popullit të zgjedhur, Zoti i pati thënë Izaisë Profet: “Bërtit!”. “E çka të bërtas” - gjegji profeti. E Zoti: “Bërtit se çdo njeri është si bari e e gjithë lumnia e tij, si kashta e arës. Thahet bari. lulja fishket kur fryma e Zotit kalon mbi ta” (Is. 40, 6-7).

Urdhëri i Zotit, profetëve të Tij  

Besojmë se Zoti ua jep edhe sot këtë urdhër profetëve të tij. E këtë e bën sepse i do bijtë e vet e nuk dëshiron t’i shikojë duke u rrokullisur si delet  në ferr e në vend të bariut, t’u prijë vdekja. Zoti nuk e do vdekjen e bijve të vet - do jetën - amshimin.

Jeta e pasosur nis nga një Shpellë e mjerë!

Jeta e pasosur e çdo njeriu nis pikërisht nga “Shpella e Betelehemit”. Krishti është festa e jetës. Drita e Jetës. Sivjet, më shumë se kurrë! Kur pohimit “nuk e dimë çka na pret” – kush është nisur drejt Betlehemit i përgjigjet me “e dimë mirë çka na pret! Nëse besojmë në Dritë, na pret Drita!”.

07 dhjetor 2020, 09:56