Dritë që zbret nga qielli Dritë që zbret nga qielli 

24 mendime për Kohën e Ardhjes: e Hëna e Javës III të Kohës së Ardhjes

E Hëna e Javës III të Kohës së Ardhjes na krijon atmosferën e kalimit nga terri në dritë, nga premtimet e Profetëve, tek realizmi i tyre përmes flijimit të Krishtit. E na fton të përgatitemi për të marrë pjesë jo vetëm në festën e dritave, por kryesisht në atë të Dritës, që na pret në fund të kohës sonë mbi dhe, në se jetojmë në kërkim të dritës.

R. SH. - Vatikan

Njerëzimi u duk nëpër shtigjet e botës, kur mbi të sundonte errësira. Muzgu pa fund. Filli i dritës këputej e njerëzit kërkonin nëpër terr. Kërkonin dritën e diellit e, sidomos, dritën e jetës, dritën e premtuar nga Profetët.

Lëngonin nëpër shtigjet e kohëve e këputeshin e binin e shtriheshin përdhe, pa shpresë për të luajtur më me dritë e diell…

Me këmbë të rënduara nga jeta, çapiteshin drejt errësirës pa fund, drejt gropave të zeza. Era fishkëllente mbi trupat e tyre e i përkulte selvitë deri mbi rrasat e gurta, poshtë të cilave zhdukej njeriu, duke lënë pas vetëm një emër të skalitur me shkronja, që i shuante dalë-nga-dalë moti.

E njerëzit bënin gjumin e  vdekjes! Pa shpresë për t’u zgjuar më. Pa asnjë ëndërr.

Në pritje që Zoti t’i gjegjej britmës së Profetit të madh, Izaisë, që përshkonte shekujt:

“Eja, o Zot, e mos vono!

Rigoni, o qiej prej së larti

E retë le të dikojnë të Drejtin!

Të shpërthejë toka

e të mbijë Shëlbuesi!”

Bëni pendesë! - jehonte zëri i Gjonit në shkretëtirën e jetës: “Përgatitjani udhën Zotit!”.

Ishin dënuar të vdisnin, që kur njeriu deshi të bëhej zot”

E shpëtuan vetëm kur Zoti u bë njeri!

14 dhjetor 2020, 10:15