Sunrise in Espartinas Sunrise in Espartinas 

24 mendime për Kohën e Ardhjes: dita e tretë e Kohës së Ardhjes!

Kalendari i afrohet faqes së fundit. Muajit të fundit: dhjetorit. E sot në të lexojmë: “E marta e Kohës së Ardhjes”. Një hap i ri drejt Shpellës së Betlehemit.

R.SH. - Vatikan

“Njeriu që fle në Dritë, nuk trembet nga errësira, sepse vetëm  në dritë jeta do të shndrisë në amshim e terri nuk mund të kapet me të e të fitojë”.

Këtë na e kujton meditimi biblik i ditës së tretë të Kohës së Ardhjes, ndërsa në shpirt na vlojnë një mori pyetjesh, për të sotmen e për të nesërmen, që nis të duket në horizont. E na ftojnë të hyjmë thellë sa në fatet e botës, aq edhe në zemrën tonë.

A kemi hyrë ndonjëherë ndershmërisht deri në fund të fundit të zemrës? Kemi gjetë aty terr, apo dritë? Urrejtje për botën? Apo dashuri? A kemi menduar për dhuratat, që i morëm falas? I shpërdoruam, apo i ndamë me të tjerët? Çka gjetëm në skutat më të thella e më të errta të zemrave tona, duke rrëmuar në thellësi të tyre me qiriun e parë të Kohës së Ardhjes në dorë? Çka duhet ta ruajmë e çka ta flakim tutje? Si hedhurinë, që nuk ka vend ndër zemra, por ndër plehrat e jetës e të botës?

Këtë na kërkon Koha, që po jetojmë, në pritje për të vrapuar drejt Shpellës së Betlehemit. Për t’i dalë para Foshnjës Hyjnore me këngën që, duke dalë nga zemrat e trembura prej hijes së vdekjes, bëhet lutje:

“Eja, o Zot, e mos na len me pritë,

sot kur jeta shpesh duket e kotë!

Eja, ngarkue me shpresë e me dritë,

e lotët prej syve Ti fshija kësaj botë!”.

01 dhjetor 2020, 09:22