Pilgrims honor Virigin of Guadalupe in Mexico  (ANSA) Pilgrims honor Virigin of Guadalupe in Mexico (ANSA) 

Më 12 dhjetor Kisha kremton festën e Zojës së Guadalupes

Sot i lutemi Zojës së Guadalupes, që nderohet me devocion prej shekujsh, si shenjë e pajtimit dhe e mirësisë së pakufishme të Zotit për botën. Ndërsa për popujt e Amerikës Latine, Nëna e Krishtit është ‘Trëndafili i Meksikës”, “Zoja e qiellit”, “Virgjëra zeshkane”, “Nëna e Tepejakut”, “Indiane e fisme”.

R.SH. - Vatikan

Më 12 dhjetor, kalendari kishtar kujton festën e Zojës së Bekuar të Guadalupës Zoja e Guadalupes (spanjisht: Nuestra Señora de Guadalupe apo Virgen de Guadalupe) është një figure e shekullit 16-të, që paraqet dukjen e Virgjërës Mari në Meksikë. Është figurja më e dashur, me vlera fetare dhe kulturore në Meksikë. Njihet edhe me emrin "La Virgen Morena", që do të thotë Zoja Zeshkane

Kremtohet më 12 dhjetor, për të përkujtuar ditën kur iu duk, në kodrën e Tepejakut, pranë Qytetit të Meksikos, Juan Diego Kuauhlatoacinit, aztek i kthyer në fenë katolike. Dukjet u përsëritën nga 9 deri më 12 dhjetor të vitit 1531. Emrin Guadalupe besohet se ia tha Juan Diegos vetë Maria; e besohet edhe se Gudalupe në spanjisht, Coatlaxopeuh  në gjuhën azteke,  do të thotë “Ajo që i shtyp kokën gjarprit (cfr. Libri i Zanafillës 3, 14-15).

Zoja e Guadalupes është simbol fetar, por edhe kulturor shumë i rëndësishëm për të gjithë meksikanët, madje për të gjithë banorët e Kontinentit të pafundëm Amerikan. Mbi kodrën, ku u duk Zoja, u ngrit menjëherë një kapelë, që u zëvendësua, në vitin 1557, me një Kishë të vogël, zmadhuar në vitin 1622. E më në fund, në vitin 1976 u përfundua e u shugurua Bazilika e sotme e Zojës së  Guadalupes. Në Bazilikë ruhet manteli i Huan Diegos, mbi të cilin u duk figura e Marisë, me pamjen e një vashe indiane lëkurëzeshkët. Në vitin 1921 dikush i vuri dinamitin figurës, për ta shkatërruar mantelin, por Zoja zeshkane mbeti e paprekur.

Dukja e Zojës së Guadalupes, që nderohet nga katolikët si Pajtore qiellore dhe Mbretëreshë e Kontinentit amerikan, është pranuar nga Kisha katolike dhe Juan Diego është shpallur shenjt nga Papa Shën Gjon Pali II më 31 korrik 2002. Është simbol i kombit meksikan, që nga lufta meksikane për pavarësi. Ushtritë e Miguel Hidalgos dhe të Emiliano Zapatës luftuan nën flamurin e Nuestra Señora de Guadalupe. Romancieri i njohur meksikan Karlos Fuentes shkruan: “... ju mund të mos quheni i krishterë, në se nuk besoni në krishterim, por as meksikan, nëse nuk besoni në Zojën e Guadalupes”.

Festa e Zojës së Guadalupes kremtohet më 12 dhjetor, e Ajo kremtohet si “pedagogia” e fesë, “pedagogia” e inkulturimit të fesë së krishterë në zemrën e popujve të Amerikës Latine, si Ylli i ungjillëzimit të ri. Zoja i ndihmon njerëzit e këtij kontinenti, që e besojnë me fe, por edhe e dëshmojnë përmes përvojës historike e personale, për të realizuar jetën  dhe besojnë plotësisht se Krishti arrihet përmes Marisë. Prandaj festa e 12 dhjetorit u kujton latinoamerikanëve ftesën ta rijetojnë, ta aktualizojnë sërish vetëdijen e së vërtetës, të dinjitetit, të arsyes e të bukurisë së qenies të krishterë.

Në heshtje, me fjalët e një himni liturgjik të mrekullueshëm, t’i kthejmë sytë kah Maria e t’i themi:

S’due tjetër, veç me të pa,

Mari!

Me sy të hapun kah ti,

si botë e mbyllun në vetvete...

Mjafton Ty me të kundrue

e me zbrazë heshtas

në zemrën tande,

zemrën e mbushun plot.

E Ti flladin e ballit

aspak mos e trazo.

Vetëm përkunde lehtë

vetminë time të dhunueme,

varun mes jetës e vdekjes...

Në sytë e tu,

o Nanë e dashunueme,

shoh një copë jete

shtangun në kujtesë;

e orët, shoh, që nxitojnë,

e njerëzit që i kafshon

lëtyra e jetës e e vdekjes...

Mjafton me të pa, o Nanë,

me t’kundrue veç një çast

me zemër në zemrën tande,

Në pastrinë tande

të bardhë porsi zambaku,

e me pa Dritën

që rri pezull mbi ne!

(Himn i lashtë liturgjik, përkthyer lirisht)

 

 

12 dhjetor 2020, 11:48