Tërmet në Turqi Tërmet në Turqi 

Tërmet në Egjè; kryeipeshkvi i Smirnës: Kisha, gati për të sjellë ndihma

Tërmet ndërmjet Greqisë e Turqisë: së paku 25 të vdekur. Me ne, imzot Lorenzo Piretto, uron: “Rifillimi i dialogut të Ankarasë me Athinën, pas tensioneve të forta politike, qoftë shenjë e shkrirjes së akujve ndërmjet dy vendeve”.

R. SH. - Vatikan

Vijon të rëndohet bilanci i tërmetit në Egje, që goditi zona të ndryshme të bregdetit turk dhe disa ishuj grekë. Pasojat  e deritanishme: 25 të vdekur e më se 800 të plagosur. Rreth 100 vetë u nxorën të gjallë nga gërmadhat. Në kërkim të të humburve po aktivizohen 5 mijë vetë. Një nga figurat-simbol të tërmetit është pallati nëntë katësh, në qendër të Smirnës, që u thërmua në pak çaste, para syve të tmerruar të njerëzve që e sodisnin, krejt të pafuqishëm për të vepruar, në atmosferën e një lëkundjeje të fuqishme, që shkundi edhe Stambollin e Athinën. Greqia e Turqia, shpesh të tundura nga tërmete diplomatike, u bashkuan në dhimbje. Qeveria greke i ofroi Turqisë bashkëpunim e ndihmë. Gjest ky, që arrin pas disa javësh ngarkuar me mosmarrëveshje territoriale ndërmjet dy vendeve. Sapo e thirra presidentin Erdogan - shkruan në një Twitter kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis - që t’i shprehja ngushëllimet e mia për humbjen tragjike të jetëve njerëzore shkaktuar nga tërmeti, i cili goditi të dy vendet tona. Në kohë të tilla - shton - njerëzit tanë duhet ta ndjejnë veten të bashkuar”.

Erdogani e falënderoi  kryeministrin grek . “Edhe Turqia - shkroi në një Twitter - është gjithnjë gati për ta ndihmuar Greqinë e për t’ia shëruar plagët. Të jesh solidar në kohë të vështira - shpjegoi - ka më shumë rëndësi sesa shumë gjëra të tjera”.

Dëshmia e ipeshkvit të Smirnës

Kryeipeshkvi i Smirnës, imzot Lorenzo Piretto, domenikan, nënvizon, në Vatican News, se kjo është një fazë, kur Kisha vendase po vlerëson situatën, për të ndërhyrë, më pas, përmes një plani ndihmash, duke iu përgjigjur kështu nevojave të popullsisë. Por, ta dëgjojmë vetë imzot Piretto-n:

“Lagjet më të dëmtuara  janë Bayrakli e Bornova. U rrënuan disa shtëpi. E edhe kishat tona në Smirnë u dëmtuan pothuajse të gjitha. Posaçe katedralja dhe kisha e Shën Polikarpit, ku ndodhem edhe unë. Kemi një shtatore të lashtë, sjellë këtu nga domenikanët që në vitin1718, nga Armenia. U rrëzua nga lëkundjet e iu dëmtua njëri krah. Edhe një pjesë e çatisë u shemb. Po sendet materiale nuk janë për t’u qarë, aq sa njerëzit…”.

Si po vepron Kisha në këtë fazë?

“Tani për tani  nuk dimë ende cilat janë nevojat më të mëdha. Duhet parë gjithçka. Nuk kuptohet mirë si është gjendja. Por së shpejti, natyrisht, do të vihet në lëvizje Karitasi. Jemi në pritje për ta vlerësuar mirë situatën e për të vepruar menjëherë më pas. Natyrisht: sepse njerëzit duhen ndihmuar, pavarësisht nga kombësia  e nga feja”.

Ishte e fortë lëkundja?

“Sigurisht, shumë e fortë: dukej sikur ndokush të kish mbërthyer nga shpatullat e të tundte dhunshëm. E kjo tundje vijoi gjatë”.

Duhet vënë në dukje se Greqia e Turqia, të ndara nga tensione politike, rinisën udhën e dialogut: qeveria greke i ofroi ndihma Greqisë, e anasjelltas…

“Nganjëherë jo të gjitha të këqijat vijnë për të dëmtuar. Mund të kenë edhe pasoja pozitive, si në këtë rast. Shpresoj se do të shkrihen akujt, së paku në këto çaste”.

01 nëntor 2020, 11:35