Lumnitë Lumnitë

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës

Kësaj së diele, Gjithё Shenjtorёve, Ungjilli sipas Mateut, në kreun 5, në një nga pjesët më të bukura e më domethënëse të tij, na njeh me lumnitë, pikërisht kur Kisha kremton ditën kushtuar gjithë shenjtorëve. Jezu Krishti na paralajmëron se ç’mund të ndodhë me të krishterët në këtë botë, por na kumton edhe shpërblimin, që do të gjejnë ndjekësit e Tij në atë botë. Lumnitë, që përvijon ai, janë program jete, janë udha drejt shenjtërimit të saj. Ja pse Kisha i kujton në festën e Gjithë Shenjtorëve. Por, le të ndjekim pjesën ungjillore...

R.SH. - Vatikan

1 Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. 2 Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:

3 “Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve! 4 Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen! 5 Lum ata që janë të butë, sepse do ta trashëgojnë tokën! 6 Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi, sepse do të ngihen! 7 Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë! 8 Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do ta shohin Hyjin. 9 Lum pajtuesit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit. 10 Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve. 11 Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! 12 Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell!

Lutje, të Gjithë Shenjtorëve

Sot, festa e të gjithë shenjtorëve, o Zot,
festa e të gjithë atyre,
që Kisha i njeh e të atyre, që s’i njeh.
E këta janë më të shumtit.

Festa e të gjithë shenjtorëve, o Zot:
fëmijë, të rinj e pleq,
të bardhë, të zinj, s’ka rëndësi ngjyra...
Njerëz nga të gjithë racat,
nga të gjitha kulturat,
që Ty ta besuan jetën,
me thjeshtësinë e fëmijës,
me gëzimin e të rriturit.

Me gëzim e dashuri,
edhe në çastin e sprovës;
edhe kur ishte në lojë
gjithë ç’patën më të çmuar.

Festa e të gjithë Shenjtorëve, o Zot!
Festë e shenjtërisë heroike,
që të duket e pamundur.
Festë e shenjtërisë së përditshme:
që herë të tremb
herë tjetër të lumnon
rreth vatrës së ëmbël të shtëpisë.

Festa e të gjithë Shenjtorëve, o Zot,
E të gjithë atyre që të ndoqën,
me hap të sigurt, të vendosur!
Por edhe e jona, që çalojmë
në shtegun e hapur prej Teje.

Po, sepse Ti na jep zemër,
jetë na jep, edhe shpresë!
Mirësia e shenjtëria
në Ty e kanë burimin!

E Ti na thërret edhe ne
për rrugë, pas shenjtorëve!
Mjafton ta hapim zemrën,
mjafton që Ti të zbresësh
në thelllësitë e zemrës sonë,

për të na lartuar drejt Qiellit!

31 tetor 2020, 11:06