Të meditojmë me Ungjillin e së dielës
R.SH. - Vatikan
1 Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. 2 Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:
3 “Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve! 4 Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen! 5 Lum ata që janë të butë, sepse do ta trashëgojnë tokën! 6 Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi, sepse do të ngihen! 7 Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë! 8 Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do ta shohin Hyjin. 9 Lum pajtuesit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit. 10 Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve. 11 Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! 12 Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell!
Lutje, të Gjithë Shenjtorëve
Sot, festa e të gjithë shenjtorëve, o Zot,
festa e të gjithë atyre,
që Kisha i njeh e të atyre, që s’i njeh.
E këta janë më të shumtit.
Festa e të gjithë shenjtorëve, o Zot:
fëmijë, të rinj e pleq,
të bardhë, të zinj, s’ka rëndësi ngjyra...
Njerëz nga të gjithë racat,
nga të gjitha kulturat,
që Ty ta besuan jetën,
me thjeshtësinë e fëmijës,
me gëzimin e të rriturit.
Me gëzim e dashuri,
edhe në çastin e sprovës;
edhe kur ishte në lojë
gjithë ç’patën më të çmuar.
Festa e të gjithë Shenjtorëve, o Zot!
Festë e shenjtërisë heroike,
që të duket e pamundur.
Festë e shenjtërisë së përditshme:
që herë të tremb
herë tjetër të lumnon
rreth vatrës së ëmbël të shtëpisë.
Festa e të gjithë Shenjtorëve, o Zot,
E të gjithë atyre që të ndoqën,
me hap të sigurt, të vendosur!
Por edhe e jona, që çalojmë
në shtegun e hapur prej Teje.
Po, sepse Ti na jep zemër,
jetë na jep, edhe shpresë!
Mirësia e shenjtëria
në Ty e kanë burimin!
E Ti na thërret edhe ne
për rrugë, pas shenjtorëve!
Mjafton ta hapim zemrën,
mjafton që Ti të zbresësh
në thelllësitë e zemrës sonë,
për të na lartuar drejt Qiellit!