Kërko

Bomba nella cappella del sangue di Cristo nella Cattedrale di Managua, 2020.08.01   Bomba nella cappella del sangue di Cristo nella Cattedrale di Managua, 2020.08.01  

Solemniteti Krishtit Mbret

Tё dielёn e fundit tё vitit liturgjik, Kisha kremton festёn e Krishtit Mbret. Pushteti mbretëror i Krishtit nuk është ai i të mëdhenjve të kësaj bote. Është pushtet, që përdoret për të mundur të keqen dhe vdekjen e për të ndezur shpresën edhe në zemrën më të ngurtësuar. Krishti është mbret, që sundon me dashuri e shpresë, pa u imponuar, por duke respektuar lirinë e njeriut.

R.SH. - Vatikan

Reflektim shpirtëror në solemnitetin e Krishtit Mbret. Këtë të diele të fundit të këtij viti liturgjik, Kisha katolike ia kushton Krishtit, Mbret i Gjithësisë. Pushteti mbretëror i Krishtit nuk është ai i të mëdhenjve të kësaj bote. Është pushtet, që përdoret për të mundur të keqen dhe vdekjen e për të ndezur shpresën edhe në zemrën më të ngurtësuar. Krishti është mbret, që sundon me dashuri e shpresë, pa u imponuar, por duke respektuar lirinë e njeriut

Solemniteti që kremtojmë këtë të diele na kujton se Krishti e zbuloi natyrën e vet të posaçme mbretërore gjatë hetimeve dramatike para Poncit Pilat. Ishte një mbret që kishte ardhur t’i çlironte njerëzit nga skllavëria e mëkatit e t’i pajtonte me Zotin. Ballë për ballë me Pilatin, Krishti pohoi se kishte ardhur në botë “që të jap dëshmi për të vërtetën”.

Po për cilën të vërtetë ? Gjithë jeta e tij zbulon se Zoti është dashuri: kjo është e vërteta, për të cilën ai bëri një dëshmi të plotë me flijimin e jetës mbi Kalvar. Kryqi është ‘froni’ nga i cili e dëshmoi mbretërinë më të lartë të Zotit Dashuri: duke u flijuar për faljen e mëkateve të botës, Ai e mposhti sundimin e ‘princit të kësaj bote’ dhe ndërtoi përfundimisht Mbretërinë e Hyjit .

E në se jeta e Jezusit është dashuri, rruga nëpër të cilën duhet të ecë i krishteri nuk mund të mos jetë e njëjtë: rruga për të arritur në cakun-dashuri është e gjatë e nuk të lejon t’i biesh për shkurt: duhet që çdo njeri ta pranojë lirisht të vërtetën e dashurisë së Zotit. Ai është Dashuri e Vërtetësi; as dashuria e as vërtetësia nuk mund të imponohen kurrë: trokasin në portën e zemrës e të mendjes e, atje ku mund të hyjnë, çojnë paqen e gëzimin. Kështu di të mbretërojë Zoti; ky është plani i tij i shëlbimit, një ‘mister’ në kuptimin biblik të fjalës, do të thotë plan që zbulohet pak nga pak në histori.

Nga lutja me të cilin mbylli homelinë në festën e Krishtit Mbret Papa Gjon Pali II në vitin 1998

“Jezus, të të bjerë ndër mend për mua, të të bjerë ndër mend për ne, kujtohu për të gjithë popujt, të cilëve barinjtë u japin çdo ditë bukën e gjallë e të vërtetë të Ungjillit tënd nëpër hapësirat e pafundme të detit e të tokës: pasi të kemi ndjekur, vijmë tek ti, në mbretërinë tënde, të tërhequr prej teje, që je lartësuar mbi kryq; vijmë tek ti, që je lartësuar përmbi historinë dhe në qendër të saj, alfa dhe omega, fillimi dhe mbarimi, Zot i kohës e i shekujve.

Ty, o Krishti, të drejtohemi me fjalët e himnit të lashtë:

Me anë të vdekjes sate të lavdishme,

o mbret i lavdisë së amshuar,

fitove për popujt jetën e amshuar,

prandaj mbarë bota të quan Mbretin e njerëzimit.

Mbretëro mbi ne, o Krisht, Zoti ynë!”

Amen!

21 nëntor 2020, 17:44