Kërko

 Tutti Santi - ognissanti Tutti Santi - ognissanti 

Shenjtorët dëshmojnë fitoren e dashurisë mbi egoizmin dhe vdekjen

Solemniteti Gjithë Shenjtorëve na bënë të reflektojmë mbi horizontin e dyfishtë të njerëzimit, që simbolikisht shprehet me fjalët ‘tokë’ dhe ‘qiell’: toka përfaqëson udhëtimin historik, qielli amshimin, plotësinë e jetës në Zotin. E kështu kjo festë na bënë të mendojmë për Kishën në përmasën e saj të dyfishtë: Kishën që udhëton në kohë dhe atë që kremton festën e pambarim, Jerusalemin qiellor. Këto përmasa të dyfishta janë të bashkuara nga realiteti i ‘ bashkësisë së shenjtorëve’: një realitet ky që fillon këtu mbi tokë e arrin plotësimin e vet në Qiell.

R.SH. - Vatikan

Në Shenjtorët shohim fitoren e dashurisë mbi egoizmin e mbi vdekjen, shohim faktin që të ndjekësh Jezu Krishtin të çon në jetë, në Jetën e Amshuar, e të shkosh pas Krishtit i jep kuptim të sotmes dhe çdo çasti që kalon, sepse e përmbush me dashuri e shpresë. Kështu në festën e sotme të të Gjithë Shenjtorëve, të cilët Kisha i kremton sot më 1 nëntor, kemi ripohimin se njё jetё me Zotin garanton  fitoren e dashurisë mbi egoizmin dhe vdekjen.
Vetëm feja në jetën e amshuar na bënë ta duam më të vërtetë historinë dhe të sotmen, por pa u lidhur në mënyrë të përhershme, me lirinë e shtegtarit, që e do tokën pse e ka zemrën në Qiell.

Sot, kemi gëzimin të kremtojmë solemnitetin e të Gjithë Shenjtorëve, kjo festë na bënë të reflektojmë mbi horizontin e dyfishtë të njerëzimit, që simbolikisht shprehet me fjalët ‘tokë’ dhe ‘qiell’: toka përfaqëson udhëtimin historik, qielli amshimin, plotësinë e jetës në Zotin. E kështu kjo festë na bënë të mendojmë për Kishën në përmasën e saj të dyfishtë: Kishën që udhëton në kohë dhe atë që kremton festën e pambarim, Jerusalemin qiellor.

Këto përmasa të dyfishta janë të bashkuara nga realiteti i ‘ bashkësisë së shenjtorëve’: një realitet ky që fillon këtu mbi tokë e arrin plotësimin e vet në Qiell. Në botën tokësore, Kisha është fillimi i këtij misteri të bashkimit që njëson njerëzimin, në misterin e plotë të përqendruar e të mbështetur në Jezu Krishtin: është Ai që e ka shtie në gjininë njerëzore këtë dinamikë të re, këtë lëvizje që na shpie drejt Zotit e në të njëjtën kohë drejt vet bashkimit, drejt paqes në kuptimin më të thellë të fjalës.

Dëshironi të bëheni Shenjtorë?

Shumë njerëz, që shtegtuan mbi tokë, për të shkuar, pastaj, në jetën e pasosur, deshën të bëhen shenjtorë. Shumë edhe u bënë. Po si? Në fillim bëni të nevojshmen, pastaj, të mundurën. Papritur e pakujtuar do të çuditeni kur të bëni edhe të pamundurën. E do ta kuptoni, atëherë, se është më mirë t’i ndriçosh të tjerët, sesa vetveten. Të tjerët ndriçohen e ndriçojnë vetëm duke i dashur. Sepse bota  lindi nga dashuria, mbahet gjallë nga dashuria, shkon kah dashuria e hyn në dashuri. Shkon pa zhurmë, mbasi zhurma nuk bën mirë, ndërsa e mira nuk bën zhurmë! As nuk të nxit të bëhesh i madh. Shenjtorët e njihnin veten më mirë sesa i njihnin të tjerët; ja pse ishin të përvuajtur. E, mos e harroni kurrë: “Shenjtëria nuk është luks, është detyrë!” Sepse duke shenjtëruar vetveten, shenjtërojmë edhe shoqërinë!

01 nëntor 2020, 09:40