Shenjtërorja e Shëna Ndout në Gjakovë Shenjtërorja e Shëna Ndout në Gjakovë 

Shëna Ndou i Padovës: “Të varfërit, vepër e duarve të Zotit”

Predikim i Shëna Ndout kundër njerëzve, që rendin vetëm pas kënaqësive, duke i harruar të varfërit, të cilët janë vepër e duarve të Zotit.

R. SH. - Vatikan

Me rastin e Ditёs  sotme tё IV Botërore tё të Varfërve e cila ka si temë "Shtria dorën tënde të varfërit" (khr Sir 7,32-37), ju propozojmё njё fragment nga predikimi i Shëna Ndout kundër atyre njerëzve, që rendin vetëm pas kënaqësive, duke i harruar të varfërit, vepër e duarve të Zotit. Sipas Shën Antonit, “të varfërit janë vepër e duarve të Zotit”:

Pasaniku i kësaj bote asht i pamend, sepse nuk kënaqet me sendet e Zotit; ai asht “në shkretinë e Maonit, domethanë në atë banesë, për të cilën asht thanë: “Shtëpitë e tyne u shkretnojshin”(Ps 68, 26); “pasuninë e kishte në Karmel, e jetonte, kështu, në  mefshtësi; prandej thotë Amosi profetë: “Mjer ju që fleni në shtretën fildishi e shtriheni sa gjanë-gjatë në shtroje tueja” (6,4)

“E ky njeri ishte shumë i pasun”. Thotë Davidi: “Pashë të mbrapshtin tue u naltue porsi kedri i Libanit”(Ps 68,26)”,unë vetë pashë se i marri lëshoi rrajë,  por u kujtova shpejt se rrajët e tij ishin tha “(Jb 5,3).

“Në shtëpinë e tij shtronte gosta, si të ishte mbret”. Për ketë thotë Amosi: “Mjerë ju, o pasanikë të Sionit, që hani kingjat e njomë të grigjës e viçat e zgjedhun prej tanë tubës, e pini venë me kupa të mëdha e lyheni me parfume të zgjedhuna (6, 1,4,6).  E Isaia: “Mjer ata, që çohen për terr, turren mbas pijes deri në mesnatë e kthejnë te shtëpija me fëtyrat ndezë prej venet. Në gostat e tyne bien çeste e harpa, lodra e fyej e vena derdhet rrëkajë. Por nuk u bâhet vonë për vepër të Zotit, s’e kqyrin veprën e duerve të tija (5,11-12)

Veglat muzikore e vena janë simbol i kënaqësisë së pesë shqisave. Çestja, mbi të cilën ngrehen kordat sajue me zorrë bagtish, simbolizon synin, që sillet kah sendet që shikohen me lakmi. Lira, që thirret kështu për shkak të larmisë së zaneve, sepse prodhon tinguj të ndryshëm, simbolizon të ndigjuemit, që kënaqet pikërisht prej larmisë së tingujve. Lodra, që kur i bihet me dorë, tingëllon, simbolizon të prekunit. Flauti simbolizon nuhatjen me birat e  hundës, sepse i fryjmë, si bajmë pikërisht me birat e hundës. Së fundi, vena na kujton kjartë shijen.

Ata që janë skllavë të këtyne pesë shqisave, nuk ia venë menden veprës së Zotit, asaj që krijoi mbi tokën tonë (krh Ps. 73,12), domethanë mundimeve e vdekjes së tij e nuk duen as ta shikojnë veprën e duerve të tij, domethanë të vorfënve të tij, që i shestoi ai vetë me duert e veta në rrotën e predikimit dhe i kaliti në farkën e vorfnisë, si ban poçari me baltën.

15 nëntor 2020, 19:18