Kërko

Kapaku i librit  “Të rikthehemi tek ëndërrimet”, Kapaku i librit “Të rikthehemi tek ëndërrimet”, 

Papa: "Covid" dhe tri vetmitë e jetës sime

Po botojmë një fragment nga libri “Të rikthehemi tek ëndërrimet”, shkruar nga Papa me gazetarin Austen Ivereigh, i cili në dhjetor do të jetë në librari.

R.SH.- Vatikan

Në jetën time pata tri situata “Covid”: sëmundjen, Gjermaninë e Córdoben. Kur, 20 vjeçar, u preka nga një sëmundje e rëndë,  provova për herë të parë  përvojën e cakut të jetës, të dhimbjes, të vetmisë. M’i ndërroi koordinatat! Për muaj e muaj nuk dita kush isha. Isha i vdekur a i gjallë. As mjekët nuk e dinin nëse do të dilja shëndosh nga kjo gjendje. Më kujtohet sesi një ditë i kërkova, duke e përqafuar, nënës sime, të më tregonte nëse isha duke vdekur.

Vijoja  vitin e dytë të seminarit dioqezan në Buenos Ajres. Më kujtohet fare mirë edhe data: ishte 13 gusht 1957. Në spital më çoi një prefekt, i cili e kuptoi se nuk kisha atë lloj gripi që mjekohet me aspirinë. Sa hyra, më nxorën një litër e gjysëm ujë nga njëra mushkri. Pastaj nisi beteja ndërmjet jetës e vdekjes. Në nëntor më operuan, për të më hequr lobin e sipërm të djathtë të mushkërisë. E kam provuar në trupin tim si ndjehen të sëmurët, që luftojnë për të marrë frymë të lidhur me ventilator.

Nga këto ditë më mbetën në kujtesë posaçërisht dy infermiere. Njëra ishte përgjegjëse salle. Një motër domenikane që, para se të dërgohej në Buenos Ajres, kishte qenë pedagoge në Athinë. Mora vesh, më pas, se kur iku mjeku, pasi përfundoi kontrolli i parë, ishte ajo që u tha infermiereve të ma dyfishonin dozën e mjekimit, caktuar nga ai - me bazë penicilinën e streptomicinën, mbasi përvoja e pati bindur se unë po vdisja. E kështu Motër Cornelia Caraglio më shpëtoi jetën. Falë takimit të shpeshtë me të sëmurët, ajo e dinte edhe më mirë se mjeku për çka kishin nevojë pacientët, e kishte edhe guximin ta përdorte përvojën e saj.   

Një infermiere tjetër, Micaela, bëri të njëjtën gjë, kur më kishin kapërthyer keqas dhimbjet. Më jepte, fshehurazi, doza të forta qetësuesish, jashtë orarit të parashikuar. Cornelia e Micaela tashmë janë në qiell, por unë mbetem gjithnjë në borxh të tyre. Luftuan me mua deri në fund të fundit, derisa më kthyen përsëri në jetë! Më mësuan ç’do të thotë të përdorësh shkencën e të dish ta kalosh kufirin, kur kjo është e nevojshme.

Nga kjo përvojë mësova edhe një gjë tjetër: sa rëndësi ka të mos u besosh ngushëllimeve të kota. Njerëzit vinin të më vizitonin e më uronin “të shkuara e të harruara!”. Fjalë boshe! Ndonëse të thëna me ndjet të mirë, po që nuk ma qetësuan kurrë zemrën. Ajo që më preku deri në fund të shpirtit, me heshtjen e saj, ishte një nga gratë, që ndikoi  fuqimisht mbi jetën time: motër Maria Dolores Tortolo, mësuesja ime e fëmijërisë, që më përgatiti edhe për Kungimin e Parë. Erdhi të më takojë, më mori dorën, më dha një të puthur e ndenji pa e hapur fare gojën për një copë herë.  Pastaj më tha: “Je duke i përngjarë Jezusit”. Nuk kishte fare nevojë për fjalë të tjera. Prania e saj, heshtja e saj, më dhuruan një ngushëllim të thellë. Para kësaj përvoje vendosa që, kur t’i vizitoja të sëmurët, të flisja sa më pak që të ishte e mundur. Ndaj tani mjaftohem vetëm t’u shtrëngoj dorën.

[…]

Mund të them se periudha gjermane, në vitin 1986, ishte e “Covid-it të mërgimit”. Mërgim vullnetar, sepse shkova për të studiuar gjuhën e për të kërkuar material për tezën, por e ndjeva veten si peshku pa ujë. Bëja ndonjë shëtitje kah varrezat e Frankfurtit e që aty shikoja aeroplanët që  uleshin e ngriheshin nga pista. Kisha mall për atdheun tim. E dëshirë për t’u kthyer. Më kujtohet dita kur Argjentina fitoi kampionatin botëror. Nuk desha ta shikoj ndeshjen e vetëm të nesërmen, duke lexuar gazetën, e  mora vesh se kishim fituar. Në klasën time të gjermanishtes askush nuk hapi gojë, por kur një vajzë japoneze shkroi në dërrasë të zezë: “Rroftë Argjentina!”, të tjerët ia plasën gazit. Hyri profesoresha, kërkoi ta shlyenim shkrimin e puna u mbyll me kaq.

Ishte një fitore e shijuar në vetmi, sepse nuk kisha me kë ta ndaja gëzimin; vetmi, që më kujtonte se nuk i përkisja atij mjedisi, gjë që të bën ta ndjesh veten të huaj. Të largojnë nga vendi yt e të çojnë në një vend, që nuk e njeh e atje mëson sa vlen vendi që le pas. Nganjëherë çrrënjosja mund të jetë shërim ose shndërrim rrënjësor.  Këshu ishte “Covidi” im , kur më dërguan në Córdobë nga viti 1990 deri më 1992. Ishte pasojë e mënyrës si komandoja, një herë si provincial e pastaj si rektor. Diçka të mirë e kisha bërë, pa dyshim, ndonëse nganjëherë kisha qenë shumë i ashpër.

Në këtë seli jezuitësh ndenja një vit, dhjetë muaj e trembëdhjetë ditë. Kremtoja Meshën, rrëfeja e jepja  drejtim shpirtëror, po dilja vetëm për të shkuar në postë. Ishte një lloj karantine, një lloj izolimi, si na ndodhi ne të gjithëve muajt e kaluar. Po kjo më bëri mirë. Idetë e mia fituan pjekurinë: shkrova shumë e u luta edhe më shumë.

Deri në këtë çast në Shoqërinë e Jezuitëve kisha pasur një jetë të rregullt, të mbështetur mbi përvojën time, një herë si mjeshtër novicësh e më pas, në drejtim, që nga viti 1973, kur u emërova provincial, deri më 1986, kur e kreva mandatin tim si rektor. U mësova me këtë mënyrë jetese. Një çrrënjosje e tillë, kur të çojnë në një skaj të përhumbur e të caktojnë të bësh një punë të përkohshme, trondit gjithkënd.

Nga kjo periudhë më kujtohen posaçërisht tri gjëra. E para, aftësia për t’u lutur që m’u dhurua. E dyta, tundimi që provova. E treta - e më e çuditshmja - atëhere  pata mundësi të lexoj  tridhjetë e shtatë vëllimet e Historisë së Papëve të Ludwig Pastor. Mund të kisha zgjedhur një roman, diçka më interesante. Nga vendi ku ndodhem tani e pyes veten “Pse Zoti më frymëzoi të lexoj pikërisht këtë vepër në atë çast?”. Me këtë vaksinë më përgatiti Zoti! Mbasi ta kesh njohur këtë histori, nuk ke pse çuditesh  kur dëgjon çka ndodh në Kurien Romake e në Kishën e sotme. Kjo më shërbeu shumë.

“Covid-i” i Córdobës ishte për mua një pastrim i vërtetë. Më dha më shumë tolerancë, mirëkuptim, aftësi për të falur. Më la edhe një empati të re me të ligshtit, me të pambrojturit. E durim, shumë durim. Më dha dhuratën të kuptoj se për gjërat e mëdha duhet kohë, se ndryshimi është organik, se ka edhe kufij e se duhet t’i mbajmë sytë në horizont, ashtu si bën Jezusi. Mësova sa e rëndësishme është ta shikosh të madhen tek e vogla e të kesh mendjen tek e vogla, në gjërat e mëdha. Ishte periudhë rritjeje në shumë drejtime, si bulimi, pas një krasitjeje me fund.

Po duhet t’i hap mirë sytë, sepse kur bie në ca të meta, në ca mëkate e korrigjohesh,  djalli, siç na e kujton Jezusi, kthehet, sheh shtëpinë të larë e të shpërlarë e shkon e thërret edhe shtatë shpirtëra të tjerë më të këqij se ai vetë. Fundi i këtij njeriu, thotë Jezusi, bëhet edhe më i keq se ishte. Kjo duhet të më shqetësojë tani, në detyrën time për të qeverisur Kishën: të mos bie në të njëjtat të meta që pata, kur isha epror rregulltar.

[….]

Këto ishin Covid-et e mia kryesore, “Covid-et” personale. Mësova se vuan shumë, por nëse pranon të ndryshosh, del shumë më i mirë. Por po ngrite barrikada, del sigurisht shumë më i keq!

23 nëntor 2020, 12:09