Kërko

Ndryshimet klimatike: thirrje e krerëve fetarë të Mbretërisë së Bashkuar

Në një letër drejtuar kryeministrit britanik Johnson, kërkesa për të qenë në ballë të luftës kundër ndryshimit të klimës, në përgatitje të konferencës së Glasgow 2021

R.SH. - Vatikan

Qyteti i Glasgow-t në Skoci, është selia e Konferencës së ardhshme Ndërkombëtare për Klimën (COP-26), që do të mbahet në nëntor 2021. Duke pasur parasysh këtë takim të rëndësishëm, 60 krerë fetarë britanikë – të krishterë, hebrenj, myslimanë, hindu dhe sik - i shkruajnë një letër të përbashkët kryeministrit Boris Johnson, duke i kërkuar qeverisë së Londrës të përgatisë që tani një plan ambicioz kombëtar për klimën, kundër ngrohjes globale. “Si presidente aktuale e COP-26, detyra më e rëndësishme e Mbretërisë së Bashkuar është t’i bashkojë të gjitha vendet rreth objektivave klimatike më ambicioze”, nënvizon letra e nënshkruar, për ipeshkvijtë katolikë, nga imzot John Arnold, përgjegjës për ambientin në Konferencën Ipeshkvnore të Anglisë e të Uellsit (CBCEW).

Çast historik

 Marrëveshja e Parisit, nënshkruar në kryeqytetin francez gjatë konferencës COP-21, në vitin 2015, e fikson rritjen e temperaturës globale me 1,5 gradë Celsius deri në fund të shekullit dhe i impenjon shtetet nënshkruese të caktojnë dhe të komunikojnë kontributin e tyre kombëtar pas vitit 2020, për arritjen e këtij objektivi (të ashtuquajturin NDC - Nationally Determined Contribution).

Sipas krerëve fetarë, Britania e Madhe duhet të japë shembull, duke synuar, ndër të tjera, në barazimin ndërmjet emetimeve të gazit serë në atmosferë dhe kompensimit të tij me politika të gjelbërta, siç është, për shembull, pyllëzimi. Aktualisht, ky kompensim arrin në 80%. “Ky është çast historik për lidershipin global të Mbretërisë së Bashkuar, për të propozuar një kontribut më të madh në nivel botëror, që t’i inkurajojë të gjitha kombet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë. Ndoshta, ky është investimi më i rëndësishëm, që mund të bëhet për të ardhmen”.

Viktimat e ndryshimit të klimës

 Letra nënvizon përgjegjësinë morale të këtij zotimi, duke vënë në pah pasojat e thella të ndryshimeve klimatike mbi gjithë njerëzimin, në veçanti, mbi të varfrit. “Duhet të gjejmë guximin moral për t’iu përgjigjur kësaj sfide”, e cila shtron pyetje mbi “marrëdhëniet tona me botën” dhe mbi “shndërrimin tonë e të shoqërisë”, shkruajnë krerët fetarë.

Në të vërtetë, bashkësitë fetare në Mbretërinë e Bashkuar po ndërmarrin veprime konkrete, duke i furnizuar mijëra vende kulti vetëm me energji të rinovueshme e duke nxitur shumë grupe fetare t’i kalojnë investimet e tyre nga lëndët djegëse fosile në masat për mbrojtjen e ambientit. Impenjim, që bashkohet me përpjekjet globale, në përgjigje të thirrjes urgjente të Papës Françesku drejtuar të gjitha qeverive që të caktojnë objektiva më ambicioze që para konferencës COP-26 dhe të punës ndërgjegjësuese të Patriarkut ekumenik ortodoks Bartolomeu për këtë çështje.

09 nëntor 2020, 10:46