At Donat Kurti ofm martir e poet At Donat Kurti ofm martir e poet 

Martiri e dijetari, At Donat Kurti, në përvjetorin e vdekjes

Kujtojmë më 10 nëntor përvjetorin e vdekjes së martirit e dijetarit françeskan At Donat Kurtit. Figurë e jashtëzakonshme e poliedrike françeskani i Visareve të Kombit, vjollca e letrave shqipe, siç e quante At Zef Pllumi sivëllain françeskan, At Donat Kurtin, që gjithçka kishte dhe ishte vuri në shërbim të Fesë e të Atdheut, ia dhuroi Zotit e kulturës së popullit të vet shqiptar.

R.SH. - Vatikan

Më 10 nëntor kujtojmë martirin e dijetarin françeskan, At Donat Kurtin, në përvjetorin e vdekjes. Figurë e jashtëzakonshme e poliedrike françeskani i Visareve të Kombit, vjollca e letrave shqipe, siç e quante at Zef Pllumi sivëllain françeskan, At Donat Kurtin, që gjithçka kishte dhe ishte vuri në shërbim të Fesë e të Atdheut, ia dhuroi Zotit e kulturës së popullit të vet shqiptar.  Propozojmë një vështrim të françeskanit të ri at Vitor Demajt:

Emni i Át Donat Kurtit si studiues del në shumë fusha të studimeve albanologjike, në atë gjuhësore, historike, etnologjike dhe kryesisht folkloristike. Jeta e këtij dijetari të urtë dhe të mençun âsht e lidhun ngusht me fatin e Shqipnisë, pse nji pjesë të mirë të jetës së tij atë prej vjetit 1945 e deri sa vdiq në vjetin 1983 e kaloi në tortura burgime dhe në nji heshtje të plotë. U burgos dhe ju ndalue rreptsisht fluturimi nëpër folena të ndertueme në maje maleve ku hovin e fluturimit nuk e ndal asgjâ. 

Në vjetin 1948 kur ishte para trupit gjykues Át Kurti në pritje të pretences, mbasi ju dha mundsia për me thanë fjalën e fundit deklaroi: “Prej jush un nuk pres kurrnji të mirë, edhe pse deri më sot nuk i kam ba kurrkuj keq. Mue nuk më ban përshtypje as vdekja, as burgu, por më vjen keq se më mbeti puna përgjysë. Të gjithë jeten time, të gjithë talentin tim e kam shkri vetëm per t’i shërbye popullit shqiptar, pa marrë parasysh sakrificat e privacjonet” (Át Zef Pllumi., Françeskanët e mëdhaj, Ilar, Tiranë 2001, 125-126).

Trupi gjykues tue kenë i verbuem prej urrejtjes e akuzonte Át Kurtin për konspiracion ndaj pushtetit komunist, me përvujtni dhe me shpirtin françeskan mbledhsi i prrallave kombtare u përgjigjet: “Arma ime asht penda me të cilën kam mbledhë e botue kangët ma të bukura të trimnisë së popullit: VISARET E KOMBIT. Kam mbledhë e botue dy vllime me PRRALLA KOMBTARE. Ato nuk janë thjeshtë prralla, por aty paraqitet tanë urtia, filozofia e zgjuetsia e popullit tonë që t’u mësojë fëmijëve ma lehtë ushtrimin e virtyteve dhe luftimin e veseve. Po të më jepni vdekjen, të gjitha punët mbeten përgjysë, ndërsa po të më dënoni me burg, un u kërkoj të lejoni vazhdimin e punës sime të deritanishme vetëm për të mirën e popullit shqiptar!” (Át Zef Pllumi., Françeskanët e mëdhaj, Ilar, Tiranë 2001, fq. 125-126).

Kjo ishte deshira e Át Donat Kurtit: të vazhdonte punen për mbledhjen e folklorit shqiptar, pse aty ai pat zbulue formimin e shpirtit të popullit shqiptar, prejardhjen e tij prej ilirve, autoktoninë e tij. Burgu nuk ju kursye, por as puna nuk i mbeti përgjysë jo prej privilegjeve shtetnore, pse ato i sollen frikë vuejtje dhe tortura por nga deshira e këtij françeskani për me përmbush misionin e tij në të mirë dhe përparim të popullit shqiptar e studimeve rreth zakoneve e dokeve të tij. 

Provinca Françeskane Shqiptare në Kolanën e Shkrimtarve Françeskan të fillueme në vjetin 2005, në vazhdimin e botimeve të veprave të Shkrimtarve Françeskan, botoi vepren Zakone e Doke Shqiptare në vjetin 2010. Át Donat Kurti ketë dorëshkrim të mbledhun në disa fletore e të ngjituna bashkë e përfundoi së shkruemi në vjetin 1967. Për shkrimin e saj auktori hoqi jo pak mundime për arsye të mjeteve dhe rrethanave të kohës kur ai jetonte.

Qe, si na e përshkruen ketë veshtirsi në parathanjen që ai i bani vepres: “Mjerisht, në perpilimin e kësáj pune, unë s’kam pasë mundsí me shfrytzue as rivisten ‘Hylli i Dritës’, as rivistat a librat, qi flasin mbí zakone e mbí jetë të popullit shqyptár. Unë kam rendue shka kam pasë rasë me mbledhë personalisht, tuj jetue, e mâ teper tuj ndêjë me malsorë. Si hulumtues e hetues, shpesh i merzitshem jam kujdesë me i çue çashtjet deri në fund, pá lânë gjâ mangut, e me i paraqitë me besnikí ashtû si i kam ndie, tuj bâ deri dikû edhe krahasime ndermjet krahinave të ndryshme” (Át Donat Kurti., Zakone e doke shqiptare. Bot. I. Botime Françeskane, Shkodër 2010, fq. 21). 

Fatkeqësisht auktori thotë se nuk ka pasë mundsi studimi e hulumtimi nëpër libra që flasin dhe trajtojnë ketë çeshtje, por âsht marrë me ato materiale që ai vet i ka pasë mbedhë e ruejtë me veshtirsi, si dhe me kerkime dhe hetime në terren, pra në bashkëbisedime me njerez të krahinave të ndryshme që kishin trashëgue, apo jetonin çdo ditë në mesin e këtyne zakoneve dhe traditave. Si hulumtues dhe mbledhës i censhëm e i palodhshem, e perpiloi ketë vepër me nji mjeshtri të rrallë, tue na lanë nji monument trashëgimie kulturore. Përveç copa letrash dhe shenimesh të ruejtuna me veshtirsi, Át Donat Kurti si biliografi të zgjedhun ka pasë njeriun e thjeshtë të maleve dhe të qyteteve veriore, ku me imtësi e ka pvetë rreth sa e sa çështjeve që kishin të bajnë me jetën e tij. 

Vepra 

Qellimi i vepres: me njoftë lashtësinë e popullit shqiptar nëpërmjet zakoneve e traditave shqiptare. Ky françeskan i mirë në shpirt, ishte i dashtunuem me jeten thjeshtë shqiptare, me burrnín, virtytet, besen, me menyrën se si kjo jetë shfaqej në shprehi dhe harmoni të jashtëzakonshme në të gjithë bukurinë e saj. Át Kurti në fisin shqiptarë kishte dallue shpirtin bujar e individual, iliro-pagan me zakone e doke të moçme me origjinë indoeuropiane, siç âsht rasa në lindjen e diellit që shqiptari i maleve kthehet e ban kryq (Át Donat Kurti., vep. e cit. fq.168-169). Jo vetem kaq, por asnji veprim nuk bahet as nuk punohet pa e pá njiherë proçesin mujor të hanes (Bota shqiptare. Botim i Ministris s’arsimit, Tiranë 1943, 42.).

“Visari kombtár – shkruen Kurti – âsht i pashtershem. Sâ mâ teper të jetohet në mjes të popullit t’onë, aq mâ teper gjên nieri per shka m’u bindë, shka me studjue e madjè edhe per shka m’u krenue, pse elementat e ndryshem folkloristikë shkojn tuj e veshë skeletin e vjetër të shqyptarit tip, e janë dishmija mâ e kjarta e fisnikís e e madhnís së tij të hershme” ( Át Donat Kurti., Prralla Kombëtare, Botime françeskane, Shkodër 2005, 5.) Për Kurtin, Palajn, Gjeçovin, etj, shpirti i shqiptarit u shfaqej para tyne si ai lisi i motnuem që në shtresat e tij shifeshin shekuj jetë të kalueme në perjudha të ndryshme, tallaze, vuejtje, po edhe gëzime shpërthejshin në deget e tij, si dëshmi e nji fshehtësie prehistorike e nji fisi tipik indoeuropian. 

Át Donat Kurti së bashku me Át Bernardin Palaj, nji tjeter françeskan, u muer me mbledhjen e kangeve të kreshnikve, kangë trimnie të ruejtuna gjatë shekujve neper malsi, aty ku jeta moderne kishte depertue pak ose aspak. Shinjimend, në këto treva ishte ruejt shpirti dhe fizionomia tipike e shqiptarit e panjollosun prej pushtimit pesëshekullor anadollak. Qe, pra pse fra Donat Kurti iu përvesh e i hyni kësaj pune, tue e dijt se mundi nuk ka me i shkue kot.

Mozaiku nuk ishte i plotë vetem me Visaret e me Prrallat. Për me e plotsue ketë mozaik të madhnueshem të shpirtit shqiptar, për me njoftë brumin me çka âsht përbâ ai, duhej edhe nji veper tjeter që do të përfshinte krejt jetën shqiptare në të gjitha shpërthimet e ndiesitë e saj. Vepra simbas mendimi tonë ja ka arrijt qellimit të vet, sikurse e thotë vet Kurti: “Shpresoj, se mundi nuk ká me kênë i bjerrun. Këtû gjithseicilli ká me njoftë jeten e popullit shqyptár n’at thjeshtsín e dikurshme në pajtim me natyrë e me virtytet mâ fisnike, qi kanë kênë pështetje e qindrueshme per shekuj e shekuj, si të jetës familjare, si të jetës shoqnore” (Át Donat Kurti., vep. e cit, fq. 21).

Qellimi i vepres, i këtij studimi, âsht me njoftë jetën shqiptare në raport me vet-veten, me të tjeret, me besimin e bestytnít e tij, etj, me njoftë racën e pastër shqiptare. Kjo mbledhje me imtsi e zakoneve dhe traditave iliro-shqiptare, janë së pari nji dishmi për lashtësinë e këtij populli ku as përhapja e kristianizmit nuk arriti ti zhbaj, janë nji bazë për studimet e mavonshme në ket fushë, sepse vet Kurti na thotë: “Âsht nevoja, qi zakonet t’ona, si edhe karakteristikat e Kombit Shqyptár “me të mira e me të këqija” t’i studjojë e t’i vlersojë vetë shqyptari studjues e shkencatár” (Át Donat Kurti., vep. e cit, fq. 20). Ky âsht edhe testamenti i Át D. Kurtit. Përpara se me e gjykue ketë apo atë zakon a traditë si të keqe dhe shkatërruese të jetës familjare e shoqnore të popullit tonë, ose si tregues i nji qytetnimi të magët, duhet mâ parë ta njofim e ta studiojmë, të kuptojmë gjendjen shoqnore e politike të popullit të maleve e në përgjithsi të veriut të Shqipnisë. 

Në ketë veper kryesisht trajtohen zakonet e traditat e popullit të Dukagjinit, sepse: “Mirpo âsht mundim i madh me i marrë neper dorë të tana këto shkrime të shkaperdame e me i lidhë nder vedi e me i rendue, prandaj, per me e paraqitë në mënyrë mâ të permbledhët jeten e popullit shqyptár nder zakone të veta, kam mendue me marrë si tip a si shembull Fisin e Dukagjinit, qi deri sot i ká ruejtë në gjendje mâ të paster si zakonet, ashtû edhe gojëdhanat, kangët, folkloren”(Át Donat Kurti., vep. e cit, fq. 20). 

E veçanta 

Nji e veçantë e këtij punimi janë paralelizmat mes zakoneve e traditave nëpër zona të ndryshme, të njejtat zakone dhe tradita të pame si në Dukagjin, si në Malsi të Madhe, Mirditë, Pukë, Zadrimë, Diber, etj, tue pá kështu nji ngjashmëni të përbashkët edhe pse neper vende të ndryshme. Tue veprue kështu, Át Donat Kurti ka arritë të paraqesë nji panoramë të përgjithshme, gjithpërfshimse të jetës shqiptare të banorve të veriut me zakonet, doket e mitologjinë e tyne. Në libër trajtohet zhvillimi i jetës familjare e shoqnore: fisi, bajraku, organizimi i bajrakut, ndertimi i shpis, e besëtytnít në raport me ketë.

Françeskani Át Donat Kurti merret imtësisht edhe me traditen e bukur shqiptare të miqsisë, pra me virtytin ma të nalt të shqiptarit. Gjanësisht analizohet dhe paraqitet fejesa e martesa si element kryesor i jetës familjare. Në trajtimine e fejesës e të martesës nuk mungojnë fjalët e urta e besëtytnít ku lexuesin e çojnë në kohë të moçme të riteve ilire. Një vend të veçantë në ketë kryevepër xenë edhe studimi mbi kensat e trilluem siç janë, orët, zanat, floçkat, e bukura e dheut, kulshedra, dragoni, etj.

Nji ndër gjanat që ka tërhjek vëmendjen e studiuesve të folklorit asht edhe përziemja e festave të krishtena me rite jo të krishtena, ilire. Hulumton mbi jetën ekonomike, për jetën kulturore të thjeshtë por të kandshme të malsorit. Përfundon studimin e tij me shqyrtimin e vdekjes te shqiptarët, sidomos paraqet menyrën se si përballohet vdekja në aspektin e traditave të moçme. Nji randesi të veçantë kanë fjalët e urta si dhe besëtytnít të vume në çdo fund kapitulli. 

Qe, edhe nji vepër e dejë, burimore për zakonet dhe traditat tona, e mbledhun prej nji njeriu që kishte dhe ka autoritet parësor në ketë fushë, u shtohet studimeve folkloristike dhe etnografike të popullit shqiptar.

Jetëshkrimi i Át Donat Kurtit. 

Át Donat Kurti ka lé në Shkoder më 3 shtator 1903. Jeta e këtij françeskani âsht e mbushun plot me krijimtari të frytshme për Fé e Atdhe. Mbledhës i “ciklit të kreshnikëve”, i “Prrallave”, i “zakoneve e dokeve shqiptare”, i “historisë së Provincës françeskane” e asaj “kombëtare” hyn nder dijetarët ma të mëdhaj të kombit dhe të françeskanizmit shqiptar. 

Át Donat Kurti kje rektor i Kolegjit Serafik, drejtor i Gjimnazit të shkollës fretnore “Illyricum”. Në vjetin 1937 nga Universiteti “Sant’Antonio” i Romës, i epet titulli “Doktor i Shkencave”. Kje profesor gjuhësie, dhe gjatë aktivitetit të tij shkroi në revistat “Hylli i Dritës” dhe “Zani i Shna Ndout”. Për shkrimet e tij të bukura e me vlerë dhe për kerkimet e tij në malet e Veriut mbi folklorë kje quejt “Anderseni Shqiptar”.

Botoi “Prrallat Kombëtare” dhe “Kangë Kreshnikësh dhe Legjenda” në bashkëpunim me Át Bernardin Palaj.  Për nevojat e shkollës përktheu ose punoi mjaft libra me vlerë, si: "Gramatika latine", pjesa I, Morfologji ( nga Dr. A. Shcheindler, 1933); "Sintaksi i gjuhës latine", I 1939, (po nga nga Dr. A. Shcheindler); "Vepra kulturore e elementit katolik në Shqipëri", botim i së përkohshmes "Hylli i Dritës", duke filluar nga nr. 3, 1933 etj., si dhe mjaft studime për probleme folklorike, gjuhësore, historike, fetare etj.

U arrestue me 12 Maj 1946 dhe kje denue me 5 vjet burg. Gjatë seancës gjyqsore pati deklarue: “Prej jush un nuk pres kurrnji të mirë, edhe pse deri më sot nuk i kam ba kurrkuj keq. Mue nuk më ban pershtypje as vdekja, as burgu, por më vjen keq se më mbeti puna përgjysë. Të gjithë jeten time, të gjithë talentin tim e kam shkri vetem per t’i shërbye popullit shqiptar, pa marrë parasysh sakrificat e privacjonet”. Krijimtaria e ketij françeskani nuk u ndal vetem në lamen letrare, por edhe në ate pedagogjike e fetare. Tue rrëmue nder dorëshkrimet e tij ndeshemi në disa perkthime të Shkrimit Shêjtë, pregaditje katekizmi, perkthime, etj. Të gjitha këto punime janë bâ në momentet mâ të vështira të popullit shqiptar. Prandej, me plot bindje mund të themi se Át Donat Kurti ishte edhe nji profet që me punen e palodhshme të tij paralajmeronte ramjen e komunizmit, rikthimin e lirisë njerezore e fetare.

Mandej, e arrestuen e u denue me 25 vjet burg të cilat i bani të gjitha. Kje nder të gjitha kampet e shfarosjes komuniste. Në fund u dergue në burgun e Burrelit prej kah dhe u lirue. Jetoi nji ksollë të vorfen e në nji vorfni të skajme, i braktisun pothuejse prej të gjithëve. Gjatë kohes kur kje lirue prej burgut rrugës ku kalonte, shahej, perbuzej e fyhej prej njerezve, por kishte edhe asish që e thirrnin “Át” e “Profesor”. Ky kje fati i këtij dijetari e françeskani. Gjatë jetës së tij u dallue në tê shpirti i pervujtë françeskan, dashnia per të gjithë, edhe per ata që e torturuen dhe e bánë me vuejtë, por kurrsesi nuk i mohoi idelatet e tij. 

Vdiq në Zotin me 10 nandor në vitin 1983, në Shkodër në nji kasolle të vorfen në moshën 80 vjeçare, prej të cilës 62 si rregulltar dhe 56 si meshtar. Kje vorrosë në vorrezen e Stom Golemit. Mbas ramjes së komunizmit eshtnat e tij i suellen në vorrezat fretenve në Kishen Françeskane të Gjuhadolit. 

Në vjetin 2003 u botue studimi historik i Át Donat Kurtit Provinca Françeskane Shqiptare, Botime Françeskane Shkoder nën kujdesin e Kolec Cefes. Ndersa me fillimin e botimit të veprave të shkrimtarve françeskan që prej vjetit 2005 kemi botue në Kolanen françeskane këto vepra të këtij shkrimtari: 1. Prralla Kombëtare I, Shkodër 1940. Ribotue Shkodër 2005. - 2. Prralla Kombëtare II,Shkodër 1942. Ribotue në Shkodër 2005. - 3. Visaret e Kombit, Shkodër 1937. Ribotue në vjetin 2005. – 2007, në bashkëpunim me Át Bernardin Palaj, ofm . - 4. Lojët Kombëtare, Botime Françeskane, Shkodër 2007. - Zakone e Doke Shqiptare, Botime françeskane, Shkoder 2010, nën kujdesin e Provincës Françeskane Shqiptare, ku korrektore letrare e librit asht studiuesja e njohun Ledi Shamku - Shkreli.
Át Vitor Demaj, ofm.

At Donat Kurti : “Nanës së Këshillit të Mirë te Kisha brí Rozafatit”.

Këndo, bylbyl, se kohë mâ t’mirë
Nuk ké me gjetë ti për me këndue!
Njitash dielli sá ká lé;
Tu’u bâ avull, voesa zhduket;
Njitash koha vjen tu’u xé,
Shperthejn lulet, nata struket;
gjith natyra bashkë me tý,
Kah prej gjumit merr e zgjohet,
Hyjit në heshtje i drejtohet
E n’zâ t’and kështu nderës i falet,
Tu’e bekue Atê perherë,
Qi m’petk dritet prap e veshi
E gjith t’mirat mbi tê reshi.
              *****
Këndo bylbyl se mjes shkambijve,
Te kjo Kisha e Zojës së Bekueme
Vetem tý po t’ ndiej kah lutesh.
S’duket kush n’ket strehë t’vetmueme.
M’duket prá, si me t’mendueme,
Tu’u luhatë n’at gemb qershije,
Po e perciellë me jone t’ambla
Luten t’eme bashkë me flîje.
Ka shum vjet që due me shfrye
Këtû te Nana e Këshillit të Mirë,
si n’fëmijní malli m’ka marrë,
Me i folë n’gëzim e me dishír,
Per nji ndjet, qi unë kam bâ
Qe, sot erdha para elterit,
Flijen Zotit me i kushtue,
Qi t’ketë dhimbë e mëshirë njiherit.
Por këtû s’shof kend n’gëjûj tuj rá;
S’kanë pergjegje uratët e mija;
Vetem Êjt me sy pa i pá,
I mendoj rreth Flîs me mija
Kështû kah t’ndiej bylbyl tuj këndue,
Vjen e m’çohet zêmra peshë,
Si t’muj Zojen me e nderue
Me kangë t’gëzueshme, lutje e Meshë.
               *****
Zot sá i mirë e sá bujár
Jé me né Ti ditë per ditë!
Ket natyrë, qi Ti ké falë,
E bân t’flasë, tuj na çuditë:
I ep forcë Ti shkambit,
E fishkëllimë murlanit,
E bân t’ushtojë mali,
T’çohet rana e zalli,
T’hidhet n’gëzim n’det vala,
T’lvizin peshqt me njala,
E n’agim t’këndojë zogu,
T’mblidhen shpendt te logu,
Lulja n’stap t’vet t’qeshet,
N’njýje çdo send t’veshet,
T’zukasë miza e bleta,
T’gurgllojë kroni n’qeta,
E t’ndrisë dielli e hana,
T’shprehen sendet t’tana,
Tuj t’dhânë lavd padá,
Tuj persritë pá prâ:
“Zot, Ti kjosh levdue,
Pse gjithshka krijove,
Per ditë t’falet Tý,
Sot e per amshim!”.
           ***** 
Kaluen shekuj, kúr n’këto bríja
Rríte pop’lli plot uzdajë
Si nder t’vështira, si nder gzime
Kjate e lutej pá u ndalë,
E perherë gjête ngushllim.

Si nget fëmíja vrap te e ama
Edhe struket nder krahë t’sáj.
Sá herë trembet a por msýhet
Prej anmiqësh, qi i siellin váj,
Njashtû t’gjith nji nanë veç njifshin
E tanë shpresë atê veç thirrshin:
O Zojë Nanë e Këshillit të Mirë!

Oh! te Ajo n’nevojë ndimë gjêjshin
Kishin mproje n’lufta e t’vështira,
Dritë e këshill padá n’dyshime,
Forcë, qindresë edhe ngushllime
N’at fé shêjte, qi e ruejti
Visár t’çmueshem má se jeten
E s’e lëshoi tuj hiekë mundim.
          *****
Sot në ket vend, ka rá heshtimi...
Rrodhja, hitha edhe merqîja
E rrethojn ket kishë t’Bekueme...
Vaj! Nder to ka hupë madhnija!

Nuk këndojn fëmijët, si n’kohë t’kalueme...
S’kumbon mâ ajo jehona,
Qi shperthete prej çdo zêmre
“Nanë, na t’duem, Ti jé e jona!”.

Nuk bijn vashat tuba lulesh,
Me e stolisë ‘lterin e sáj,
Me i dhanë erë, tuj e gjallnue
Sikúr t’ishte perherë Máj.

Dyerët rrijn mbyllë, po, sa t’bâjë dita
S’ndihen mâ shprehje dashtënijet
Tuj dihatë nuk shkon kush gëjûjas,
S’puthen gurët n’shêj evarijet.

Zojë, mjerisht tash këtû pak ndalen,
A thue bijt, kështû krejt t’kanë lânë?
Jo, Nanë, jo; sá kësajt pershkohen
N’zêmer t’kanë, t’pershëndesin t’tanë. 

Janë t’sigurtë se Ti o e Lume,
S’e ké qitë Shqypnín n’harresë;
Prej këtij trolli, prej këtij vendi
Prap ndien lutje, prap ndien dënesë.

Gjithmonë Nanë na jé diftue...
Nder ngushtica e nder idhnime;
S’ké pushue, tuj na ngushllue
Si nder vuejtje, si n’mjerime.

Nji fuqí e mbinatyrshme
Janë t’sigurtë, vepron n’ket moje;
Ushqen Fén aq fort t’poshtnueme
T’shtýn t’puthësh gurët rreth e rreth soje.
              *****
Zog i vogel, qi pá u trembun,
Gëjatë e gëjatë po rrin tuj këndue,
Ç’don me m’thanë sot n’gëjuhen tande
Per ket Kishë, qi âsht vetmue?
                 *****
“U ká mbajtë, - thue – Zoja e Lume
Gëjatë shum shekujsh, tu’u ndimue,
Le t’a keni prap n’loçkë t’zêmers,
Duenie fort, kurr mos me e lëshue!”.
                    *****
Këndo, zog, n’mâ t’kandshmet
Vërrîje blerimit,
Hija e disprimit
Le t’zhduket shqim!

Kah m’joshë me t’amblin
Zâ gurgullimesh,
Mue prej mjerimesh
M’xierrë e m’ep gëzim.

Si ti mbas sodit
Këtû n’ket Kishë t’vjeter
Do t’ vij, pa tjeter,
T’lutem e t’këndoj.

Kur t’agojë dita
A t’erret nata,
Se shoq tý t’pata,
Zog, do t’kujtoj.

N’gëjasim t’and zânin
Do t’dredhë unë kandshem,
Tu’i dhanë permallshem
Lavd t’Madhit Zot.

Qi n’shêj dashtënijet
Na dha Nanë Zojen,
E na hoq drojen
Na pështoi n’çdo mot.
             *****

Bylbyl, kqyr: N’kujtim t’kësáj dite,
Per pá n’dá, bashkë t’këndojm n’haré:
“T’falna Mërí, O Nanë e jona
Mos na lësho, Zojë, rri me ne”.

Shënim i autorit: Në një ditë Majit të vjetës 1963, tuj dashtë me plotsue nji ndjet temin, shkova me thanë Meshë në Kishë të Zojës brî Rozafatit. S’gjeta kurrkend, veç më bâni pershtypje nji bylbyl, që po këndonte per bukuri per báll Kishës. Ai vijoi deri sá kreva punë.
Marrë nga “Zakone e doke shqiptare”, Át Donat Kurti, Botime Françeskane Shqiptare, 2010, fq. 259-263 

10 nëntor 2020, 15:42