Martirët e Lum shqiptarë – Vinçenc Prennushi me 37 shokë Martirët e Lum shqiptarë – Vinçenc Prennushi me 37 shokë 

Festa e Martirëve të Lum shqiptarë – Vinçenc Prennushi me 37 shokë

Më 5 nëntor Kisha katolike Universale i përkujton dhe kremton Martirët e Lum shqiptarë – Vinçenc Prennushi me 37 shokë. Kisha katolike, sot në festën e 38-të Martirëve të Lum të Kishës katolike të Shqipërisë, na kujton jetën e tyre, qëndresën e tyre, virtytet e tyre njerëzore e shpirtërore dhe mesazhin e tyre për realitetin e sotëm.

R.SH. - Vatikan

Kisha Katolike Universale e në mënyrë të veçantë Kisha katolike në Shqipëri e në trevat shqiptare, kremton sot solemnisht 38 Martirët e Lum të Kishës katolike të Shqipërisë, persekutuar në kohën e regjimit komunist. Duke i zhdukur fizikisht,  regjimi komunist, mendonte t’i jepte Kishës goditjen e vdekjes. Por të gjithë i bënë ballë në mënyrë shembullore martirizimit dhe dënimit të tyre të padrejtë: i mbartën torturat me shpirtin e durimit, me forcë e fe të vërtetë!  Në çastin e vdekjes, i falën fajtorët dhe e lëshuan shpirtin në duart e Zotit.

Tridhjetë e tetë martirët shqiptarë nuk janë të mundurit e historisë. Përkundrazi. E pikërisht u shpallën fitimtarë, përballë popullit të vet, duke i hapur udhë të reja e horizonte të reja shprese. Në këtë dritë duhet parë lumnimi i Imzot Vinçenc Prennushit, françeskan e kryeipeshkëv i Durrësit, dhe i 37 shokëve të tij, martirë të Kishës në Shqipëri. Ngjarje që i vë vulën, në këndvështrimin e fesë, persekutimit të dhimbshëm 50 vjeçar në shekullin e 20-të  nga ana e regjimit komunist. Imzot Vinçenc Prennushi (1885-1949), ndonëse sipas kronologjisë së ngjarjeve nuk qe i pari që dha jetën për Krishtin, u vu simbolikisht në krye të grupit të martirëve, për arsye të dinjitetit të tij kishtar si kryeipeshkëv e Primat i Shqipërisë.

Kisha katolike na kujton, pra, sot jetën, qëndresën, virtytet njerëzore e shpirtërore dhe mesazhin e dëshmisë së tyre për realitetin e sotëm. Falë Provanisë Hyjnore, druri i Kryqit të Krishtit, i rrahur prej stuhisë komuniste, lulëzoi përsëri me një energji të përtërirë në Shqipëri, sipas shembullit të Krishtit, të kryqëzuar dhe të Ngjallur.

Martirët pishtarë drite, që ndiçojnë në qiellin e njerëzimit

Ndër katolikët e shumtë shqiptarë, që gjatë regjimit komunist u burgosën, u torturuan e iu nënshtruan proceseve të rreme, në përpjekjen për ta çrrënjosur Ungjillin nga kultura e një populli të tërë, sot më 5 nëntor përkujtojmë,  festën liturgjike  të 38 martirëve të parë, që janë shpallur të Lum nga Kisha Katolike Universale. Në aradhen e këtyre martirëve të Lumë janë: dy ipeshkvij, 21 meshtarë dioqezanë, 7 meshtarë françeskanë, 3 jezuitë, një seminarist dhe katër laikë (ndër ta edhe probandja Marie Tuci, e vetmja femër në grup).

Këta martirë të Kishës katolike, që nga diktatura komuniste në Shqipëri u persekutuan u gjykuar, u dënuar, ndonëse të pafajshëm, u torturuar dhe u vrarë, e ndjenin praninë e Krishtit, u shpallën të lum në Shkodër si sot, më 5 nëntor të vitit 2016, me një Meshë solemne kremtuar në Kishën Katedrale të Shën Shtjefnit, kryesuar nga prefekti i atëhershëm i Kongregatës së Vatikanit për Çështjen e Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato.

Persekutimi komunist

Dihet nga të gjithë se gjatë regjimit komunist në Shqipëri u vranë pesë ipeshkvij, 60 meshtarë, 30 rregulltarë françeskanë e 23 jezuitë, dhjetë seminaristë dhe tetë motra rregulltare a murgesha, pa llogaritur laikët e shumtë. Akuzat me të cilat arrestoheshin, torturoheshin dhe dilnin para gjyqit, i cili e kishte gjithnjë gati paraprakisht vendimin e dënimit, ishin kryesisht dy: spiunë të Vatikanit dhe bashkëpunëtorë të nazizmit a të fashizmit, në varësi nga kontaktet, që kishin me Evropën. E kështu, meqë shumë meshtarë katolikë shqiptarë e misionarë ishin edhe të mësuar, duke i zhdukur fizikisht, i jepnin edhe një goditje të rëndë vetë identitetit kombëtar, në formimin e mbrojtjen të cilit ata, pa dyshim, kishin kontribuar shumë.

Lutja e hyrjes së Meshës së Lumnimit të 38 martirëve të Kishës shqiptare

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti ke mbushur me Shpirtin e forcës sate të lumët Vinçenc, ipeshkëv, e Shokët, martirë që t’i jepnin popullit shqiptar dëshminë e besnikërisë ndaj Krishtit dhe të dashurisë së pakushte ndaj vëllezërve. Me ndërmjetësimin e tyre të përbashkët, jepi Kishës sate të përhapur në gjithë botën të njëjtin Shpirt që të përmbushet mbretëria e dashurisë, e drejtësisë dhe e paqes që solli Krishti Zot. Ai jeton e mbretëron me ty në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen!.

Falënderojmë Zotin për dhuratën e madhe të këtyre dëshmitarëve shembullorë të Krishtit e të Ungjillit.

05 nëntor 2020, 10:27