Giovanni Roig y Diggle Giovanni Roig y Diggle 

Sot i Lum, Giovanni Roig y Diggle, martir në “luftën për Krishtin"

Në Barcelonë lartohet në nderimet e altarit Giovanni Roig y Diggle, i vrarë nga urrejtja për fenë kur ishte vetëm 19 vjeç, gjatë luftës civile spanjolle. U pushkatua me brohorinë e martirëve, të rënë në të katër anët e botës, për Jezusin: “Rroftë Krishti Mbret!”. Në kremtim Papën e përfaqëson kryeipeshkvi i Barcelonës, Juan José Omella y Omella.

R. SH. - Vatikan

Janë rreth dymijë, martirët e luftës civile spanjolle, që sot nderohen nga Kisha katolike: priftërinj, ipeshkvij e edhe laikë, etër, nëna e të rinj, të cilët e humbën jetën vetëm e vetëm pse deshën Krishtin në vitet e errëta, që e mbytën në gjak gadishullin iberik, ndërmjet 1936-tës e 1939-tës, pak para se bota të tronditej nga një tragjedi e re, Lufta II Botërore .

Në studim e në punë, gjithnjë mbrojtës i vlerave

Gjoni e nisi formimin në Shkollat e Krishtera, për të ndjekur, më pas, Liceun e Etërve Skolopë, ku mbeti në kujtesën e të gjithëve për seriozitetin, respektin, përkushtimin në studim. Por edhe për një fe të gjallë - siç patën pohuar dy etërit, me të cilët i riu ishte i lidhur më shumë shpirtërisht, atë Françesku e atë Ignasi, të dy të mbytur gjatë luftës, duke  i dëshmuar me jetë, vlerat që ua patën mësuar nxënësve.  

Veç shkollës, Giovanni nisi të ndiqte edhe  Federatën e të rinjve të krishterë të Katalonjës, ku gjeti shokë, me të cilët mund të fliste për Krishtin e mund të thellohej në atë fe, që përbënte thelbin e jetës së tij.    Kur nisi sulmi e  selia e Federatës u dogj nga milicët,  ai nuk ngurroi të bënte roje nate në Kishë, i rrëfyer dhe i kunguar e, sidomos, të fshihte në shtëpinë e vet Eukaristinë, për t’ua çuar të gjithë atyre, që kishin aq shumë nevojë për të në ato netë, kur vdekja të trokiste krejt pa pritur te porta!

Lamtumirë Nënë: “Zoti ësht, me mua!

Në verën e vitit 1936 persekutimi antiklerikal ishte realitet. Familja e tij,  shumë e njohur në qytet si një nga më të krishterat, u vu në shënjestër. Natën ndërmjet 11 e 12 shtatorit, milicët  hynë në shtëpi e kërkuan të zotin. Nuk ishte aty. Giovanni ishte në dhomën tjetër e, para se milicët të kujtoheshin për të, i konsumoi të gjitha hostet e shuguruara, që i ruante në shtëpinë e tij, ku nisi një nga kontrollet më të imta. U thyen të gjitha figuret, por pa arritur të gjejnë Krishtin e të kapin kryefamiljarin. Me që dikush duhet ta paguante devocionin për Zotin e Kishën e Tij, kapën djalin. E çuan në varrezën e Shën Kolomës de Gramenet. Djaloshi këndonte e lutej. Kur skuadra e pushkatimit ishte gati për të shtënë, ai i fali ata, që po ia merrnin jetën në lule të rinisë. Ra me brohorinë “Rroftë Krishti Mbret!”. E kallën në një varr të panjohur, që u gjet vetëm dy vjet më pas. Për t’u lartuar dje në nderimet më të larta: nderimet e Altarit. Sot ai është i Lum! 

06 nëntor 2020, 14:52