Dosja e Karitasit: në Evropë, 700 mijë vetë pa strehë

E drejta e strehimit në Evropë, në Dosjen statistikore të Karitasit Italian. “Shtëpia mbetet për shumë evropianë një synim i vështirë për t’u arritur”, shkruhet në notën e organizmit kishtar, që denoncon rritjen me 70% të fenomenit të të pastrehëve, gjatë 10 viteve të fundit.

R.SH. - Vatikan

Karitasi zgjodhi pikërisht ditën e 31-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit dhe të 70-vjetorit të Deklaratës së Shumanit, për të paraqitur Dosjen mbi të drejtën e banesës në kuadrin evropian. Është vërtet Dosje e Karitasit Italian, por ka të bëjë me gjithë Evropën e, u bë e njohur më 9 nëntor, për të nënvizuar se në legjislacionin evropian, hartuar duke u nisur nga impenjimi i Etërve të Evropës, si Shuman dhe konsoliduar pas rënies së komunizmit, çdo qytetar i Bashkimit Evropian ka të drejtën për të pasur një çati mbi krye e, megjithatë, gjatë viteve të fundit, fenomeni i të pastrehëve është rritur me 70%.

Papa: ëndërroj një Evropë mike me njerëzit

Në një notë zyrtare, Karitasi përmend impenjimin e Papës Françesku, duke cituar fjalët e Atit të Shenjtë në letrën për Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, me rastin e 50-vjetorit të bashkëpunimit ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe institucioneve evropiane:

“Ëndërroj një Evropë mike me njerëzit dhe të njerëzve. Një tokë, në të cilën të respektohet dinjiteti i secilit, ku njeriu të jetë vlerë në vetvete e jo objekt llogarish ekonomike apo mall për treg”.

Dosja-Statistikat-Dëshmitë

Fatkeqësisht, kujton nota e Karitasit, në kontinentin e vjetër, më se 100 milion njerëz janë në vështirësi të mëdha ekonomike. “Pavarësisht se bën pjesë në një kuadër ligjor me rëndësi, shtëpia mbetet për shumë evropianë një synim i vështirë për t’u arritur dhe për t’u mbajtur në kohë. Mbi 23 milion familje, rreth 10,4% e popullsisë së përgjithshme të Bashkimit Evropian, shpenzojnë më se 40% të të ardhurave për shtëpinë dhe gati 9 milion familje jetojnë në banesa të papërshtatshme”.

Të pastrehët

“Ka nga ata – vazhdon nota e Karitasit - që nuk kanë pasur kurrë çati mbi krye: vetëm në Evropë, 700.000 vetë nuk kanë strehë e fenomeni është rritur me 70% në dhjetë vitet e fundit”. Gjendja është keqësuar, për shkak të pandemisë, pasi shumë njerëz kanë mbetur pa punë e nuk janë më në gjendje të paguajnë qiranë, ose këstet e kredisë për blerjen e shtëpisë. E dimri, që po troket te porta, natyrisht, nuk do ta përmirësojë gjendjen, përkundrazi, do të krijojë probleme të tjera për ata, që jetojnë në rrugë, për të rinjtë pa kontroll prindëror, për njerëzit pa familje e të papunë, që nuk kanë më të ardhura për të paguar shtëpinë. Në disa shtete, si Italia, arsyeja e prishjes së kontratës me qiramarrësin varet në 90% të rasteve nga fakti se njerëzit nuk janë më në gjendje të paguajnë qiranë.

E drejta për shtëpi në BE

Në kornizën ligjore evropiane, e drejta për strehim u përket ekskluzivisht shteteve individuale. “Për këtë arsye, - vihet në dukje në notë - sistemi i politikave të strehimit publik është heterogjen dhe niveli i zotërimit të një shtëpie nuk është i njëjtë. Gjithsesi, në Evropë ka shumë përvoja të reja, nga të cilat mund të lindin rrugë të dobishme për të favorizuar zbatimin më të mirë të së drejtës themelore për një banesë të denjë”, përfundon nota e Karitasit Italian.

11 nëntor 2020, 10:52