Në varrezë Në varrezë 

Atë Gjergj Fishta: Ndër blerime të vorrevet (meditim)

Meditim i atë Fishtës mbi jetën e mbi vdekjen, duke lexuar librin e jetës, shkruar me dy fjalë mbi rrasa vorresh!

R. SH. - Vatikan

Nji ditë tash, - qi tue u dê bora malevet, gurrat e cemta porsi argjant i shkrîm gurgullojnë nepër gryka të jehueshme e prendvera, bukur stolisë me lila e drandofille, pret zânin e bylbylit, për me nisë mbas jonesh të tija hymnin e madhnueshëm të natyrës ndaj Krijuesin e vet – dola prej atij zhumhurit shurdhues, qi resa, mënija, egoizmi i prûjtun përbân në qytet të Shkodrës, e shkova te “Fusha e Rmajvet” 1) për me pá n’atë rrahe të dekne, (ku nepër gurë të zymët t’atyne vorreve të mjerueshme përplasen e thehen tallazet e epshevet të zemrës së njerit e prendon jeta) se si kërthneset 2) natyra, e për me redue 3) ndër shkrola plumbçe t’atyne rrasavet të ngrîjta se sá të kota e të pavend janë punët e rangët e njerit e… kjo lufta europjane, e cilla ashtu keqas i a zû shpirtin njak 4) an-e-kand njerzimit.

Oh! sá mâ i tingllueshëm – për atê qi din me mendue - âsht zâni i natyrës se fjala golle e të gjith Ministravet t’Europës, e sá mâ t’kthellta janë thânjet e përmbledhuna me pak shkrola mbi shpinë të ngushtë të rrasës së nji vorrit se ligjeratat e gjata të libravet të randë e të pluhnuem të bibljotekavet të mdhaja!

Qe “Fusha e Rmajvet’’. Këtu nji vorr, aty nji tjetër, mâ andej nji tjetër; e mandej, dhetë, pesmbëdhetë, njiqind, nji mijë. Njani mermerit; tjetri gurit të dhênun; e shuma me carâj 5) prronit. Mbrendë nji heshtim i plotë. As s’ndihej zhurmë as zâ. Por as të dekunt mue nuk m’ ndien kúr hîna mbrendë. – Të lumtë ata qi nuk ndiejnë mâ punët e këtij shekulli e… zhurmën e luftës. – Nji njerí, nji dishka si akullim m’a ngushtoi zemrën atherë. – Mendja mâ e ngulta e mâ e forta në kët shekull trandet nën hije të kosës mizore të dekës. – Por njajo shtroje e blerët’ qi Natyra kishte nisë t’a êndë përsypjes 6) s’asaj fushe së mjerueme, aty-këtu pikalosë me ndonji lule të kandshme e qi përshtrîhej anavet e ndërmjet nji vorrit e tjetrit, ambël m’i u përkue shpirtit, edhe zû me u davaritë trishtimi, qi s’parit m’pat përshkue menden e zemrën. M’ u duk se edhe natyra, me njomsí t’atyne blerimeve të veta, dote me zbutë m’ nji farë mënyre mjerín e pîjshme t’asaj moje7) deket. Njato pak landë e filiza qi aty mbrendë i pështuekan spatës serbjane, ato kishin bulue e flladi i prendevrës, tue fërfullue nepër gjeth të blerët të tyne dishka ligjrote me zogj, qi edhe këta, plot jetë e gëzim, tue kalue gemb m’ gemb circilojshin pá dá. Aty-këtu mbí ndo’ i vorr, mbajtun me nji farë kujdesit – punë e rrallë ndër né – kishin nisë të shpërthejnë mâ të parat burbuqe lulesh, qi thejshin e disi zbutshin mjerín e shemtueme të vorrit, si njato kujtimet e kohës s’ pafajnís menden e travajueme të nji tregtarit gjakpís fukarásh. Përtej ledhet e asaj rrahje së shkretnueme grunajet e rîme me djersë të bulkut të ngratë u valvitshin plot jetë e shëndet para flladit kandshëm të prandverës – flladit të jetës.

Ç’ kontrast i madhnueshëm m’at “Fushë Rmajsh’’! Më njanën anë deka, qi me kosë të patopitne të vetën rroposë, zhbîn gjithshka mëkambë natyra; më tjetrën anë natyra, qi me forcë të pashterrshme vjen tue vû më vend shka të két rrênue deka. Dy vigâj të fuqishëm, qi luftojnë pá dá në moje të rruzullimit.

-E mbasandej sá i bukur dielli atje te “Fusha e Rmajvet”!

Ato pika veset, qi drita e ré i kjasoi 8) më gjí t’erandshëm të lulevet, kúr duel në balkue të qiellvet, për me njallë të thjermtët 9) e Empirit e njysjet 10) e blerimet e tokës, nën rreze t’ambla të diellit të prandverës dajshin si gurët e paçmueshëm më kunorë të njí mbretneshës s’hijshme, kúr, pështetë më selí të prarueme, me zemër nanet fshîn lotët e të travajuemve. Ato rreze të vokta, ato gurra të gjalla dritet, kudo qi ndeshen, kudo qi bredhen, thue po u hingzojnë 11) deri carâjve të vorreve nji jetë, nji shpírt. M’ u bâte se nën rreze t’atij dielli të shëndritshëm pomendoret e dhênuna, po ishin dishka të gjallë: këtu m’u dukte nji mbret, atje nji prelat: mâ andej nji kapitan ushtrijet, nji tregtár i pazemër, nji letrár i pá krye, nji zyrtár me ksulë të thimtë etj. etj. edhe m’u bâte se po jam aty mbrendë me të gjallë - punë qi aty për aty nuk m’erdh mâ s’mirit.

Kúr qe, tue kundrue me sŷ të përmallshëm tash dekën tash jetën në “Fushë të Rmajve”, po më shkojnë sŷt në vorre t’ushtarvet austro-hungarë, rëmue 12) krahas njêni tjetrit e ashtu në rreshta të gjatë – si ndër llogore, sá kjenë gjallë. Ndreqë e rreshtue ato vorre për bukurí, gjithshka ishte të blerët e të hijshëm për rreth sosh; vetëm ata kryqa drûni mbí krye të secillit ishin enè të thatë… Kúr pásh ata kryqa edhe mendova se të kújt ishin ato vorre, më rá disi të përqethtë për zemër e thashë me vedi: po kta ç’i prûni prej viseve të Danubit me ardhë e me lânë kryet këtu kah zalli i Kirit? Të kishin dekë e t’ishin kênë rëmue nën hije të kishavet të veta, ndoshta kta kryqa s’kishin mbetë deri sod kaq të thatë: ndoshta lotët e nanavet, lotët e fmijvet, flladi i të fshamevet të grave të veta deri sod i kishin bâ me bulue; por këtu, në dhé të huej, larg trollit të të parvet, pa kend të vetin qi me i ankue, ç’i prûni me hî në vorr shi 13) në mâ të mirën stinë të motit të vet? – Ç’i prûni? I prûni detyra shêjte ndaj mretin, ndaj atdhén e vet. – Por sá panë se anmiku po niset me iu kërcnue me armë në dorë mbretit e atdheut, këta shkrefën qét, ndrŷnë farkat, mbyllën dugajët, u ndanë prej shpijet e prej fmijvet, rrokën armët si burrat, e me to në dorë kapërcyen male të ngrîjta, kaluen fusha, zaje, prroje, lume, kneta, kënalle, e nën nji breshën të padám hekurit tue luftue krahas me beslidhun të vet, bânë qi flamuri i atdheut të zhvillohej madhnueshëm mbi kalána e mbí qytete t’anmikut, e atëherë nji shekull mbarë u dridh përpara sish.

Ah! po; vorret e përvujtuna të tyne janë pomendore jetese, shkrolat e shkurta më kryqa të thatë të vorrevet të tyne janë poeme – Iliada të pavdekshme: pështuen nji Atdhé të madhnueshëm, nuk kanë dekë, por kanë lé. E po nanat e shkreta? e po nuset e mjera? e ata fmij të njomë e të dashtun kújt i a lanë? Zotit e tokës. Heu, po, por qiella âsht tepër e naltë e toka âsht tepër e fortë, e këtyne të ngratve ká me u rá me pá tepër zí mbí shekull, po kje qi kush 14) s’e mbajti kujdesin e tyne. Sado qi qiella âsht e naltë, e fshâmja e të mjeruemvet mrrinë gjithmonë te veshi i Tënzot; edhe Ky i lumi e ká sigurue gjallnimin e nevojtarvet, tue u dhânë pasanikvet fort mâ tepër se u lypet atyne për nji gjallnim të mjaftueshëm e të nderët në shoqní të njerzimit. (…)  

Nxjerrë nga “Posta e Shqypnís” Vj. II, Nr. 41, 8 Maj 1918

_____________
1) ,,Fusha e Rmajvet”: vorrezat e Shkodrës

2) me u kërthnesë: me u ringjallë, me u përtrí

3) me redue: me rendue, me radhitë

4) njak: (adv.) nga emni njak-u: e dalë, mullâ i shkaktuem prej së rrahuni a prej së shtypuni: m’a zune shpirtin njak: m’plase shpirtin

 5) carâ-ni: gur votre

6) përsypje: sipërfaqe

7) moje-ja: qi del mbí tjerat

8) me kjasue: me tajitë, me qà

 9) të thjermtët: kaltërsi

 10) njyse-ja: ngjyrë

 11) me hingzue: me stîm, me përpajnue, me shkaktue

 12) me rrëmue: me gërmihë, me çelë vorr: këndej Rmaj-t ( vr.1) = vend vorresh

13) shì: mun 14) kush: ndokush





02 nëntor 2020, 13:27