Paraqitja e së Lumes Mari Virgjër në Tempull Paraqitja e së Lumes Mari Virgjër në Tempull  

Më 21 nëntor Kisha katolike kremton festën e Paraqitjes së Lumes Virgjër Mari në Tempull

Sipas traditës së lashtë, që tregohet edhe në disa nga shkrimet apokrife, Zoja Mari iu kushtua Hyjit në tempull që kur ishte fëmijë. Në këtë mënyrë ajo e përgatiti trupin dhe shpirtin për të pritur Fjalën që do të bëhej njeri në kraharorin e saj.

R.SH. - Vatikan

Më 21 nëntor Kisha katolike kremton festën e Paraqitjes së Zojës në Tempull. Mbi këtë paraqitje të Marisë në Tempull, për t’iu kushtuar Zotit qysh në fëmijërí të parë, na flasin vetëm tradita dhe shkrimet apokrife. Liturgjia e Kishës lindore e shënon festën që në shekullin e katërt, ndërsa në Perëndim hyri në Kishë rreth shekullit XIV.

E kremtja përkujton kushtimin e Virgjërës Hyjit me shpirt e me trup. Zoja, me ketë akt, bëhet modeli i gjithë atyre të cilët, aty e mbrapa, do t’i kushtohen Zotit me jetën rregulltare. Prandaj sot, në përkujtimin liturgjik të Paraqitjes së Lumes Mari Virgjër, Zojës së Bekuar në Tempull, Kisha kremton edhe Ditën vjetore 'Pro orantibus', kushtuar rregulltareve të klauzurës, duke kujtuar se kuvendet e jetës kundruese u ofrohen njerëzve si oaza të Shpirtit e u bëjnë mirë të gjithëve.

Maria, duke u paraqitur në tempull, është ikonë profetike e atyre, që dhurojnë jetën për lavd e lumni të Zotit e për kthimin e zemrave, përmes kushteve rregulltare. Kisha i shpreh mirënjohjen Zotit për këtë dhuratë dhe i kushton vëmendje të veçantë manastireve, posaçërisht atyre, që kalojnë çaste të vështira. Gjatë Ditës kushtuar rregulltareve të klauzurës, themeluar nga Papa Piu XII më 21 nëntor 1953, besimtarët luten për ata që ia kushtojnë gjithë jetën kundrimit, duke bashkëpunuar në këtë mënyrë për ndërtimin e mbretërisë së Hyjit.

Zgjedhja e rrugës kundruese nuk është e rastit: buron nga dashuria e thellë, pa kushte, për Krishtin dhe nga dëshira për të marrë pjesë shpirtërisht në problemet e Kishës e të botës. Shembulli i murgeshave mund të kthehet në forcë tërheqëse e t’i japë hov ecjes në gjurmët e Krishtit, që kërkohet nga çdo i pagëzuar. Kjo Ditë u kujton gjithë të krishterëve se Jezu Krishti duhet të jetë në qendër të jetës së tyre, se duhet të luten e të dëgjojnë fjalën e Zotit, për ta jetuar plotësisht fenë e tyre.

21 nëntor 2020, 10:30