Kërko

Santa Matilde Santa Matilde 

Me 19 nëntor kalendari kujton shën Matildën e Hakebornit

Martiriologu Romak e kujton me këto fjalë: “Shën Matilda, virgjër, grua e shquar për doktrinë e përvujtëri, e ndritur nga dhurata hyjnore e kundrimit mistik, jetoi e vdiq në manastirin e Helfës në Saksoni të Gjermanisë”.

R.SH. - Vatikan

Me 19 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Matildën e Hakebornit, murgeshë, mistike e madhe e shekullit të 13-të.

Shën Matilda lindi rreth vitit 1240 në Kështjellën e Helfës, në Saksoni. Ishte bijë e familjes von Hakeborn, një nga më fisniket e më të fuqishmet e Turingjisë. Motra e saj e madhe, Gjeltruda, ishte abateshë në kuvendin e Helfës.

Shën Matilda lindi rreth vitit 1240 në Kështjellën e Helfës, në Saksoni. Ishte bijë e familjes sё baronit von Hakeborn, një fisnik e pushtetar nga Turingja, në Gjermaninë qendrore. Motra e saj e madhe, Gjeltruda, ishte abateshë në kuvendin e Helfës,  një qendër të jashtëzakonshme mistike, kulture, njё shkollë formimi shkencor e teologjik, “lavdi e monakizmit gjerman”.

Në këtë ambient, nga fundi i vitit 1250 hyri, Matilde, fillimisht për vizitë tek motra e madhe, por pastaj, me dëshirën për t’u bërë edhe ajo murgeshë. E në këtë ambient, filluan të spikasnin cilësitë e larta shpirtërore të shenjtes së ardhshme: E shndritur nga dhurata hyjnore e vizioneve mistike, Matilde harton lutje të shumta. Është mësuese e doktrinës besnike të krishterë dhe shumë e përvuajtur, është këshilltare, ngushëlluese, udhëheqje në zgjedhjen e vendimeve. Murgeshat mblidheshin rreth saj për të dëgjuar Fjalën e Zotit, si pranë një predikatari.  Shumë njerëz, jo vetëm të kuvendit, por edhe të tjerë, rregulltarë e shekullarë, të ardhur nga larg, dëshmonin se kjo virgjër shenjte i kishte liruar nga shqetësimet e se nuk kishin provuar kurrë kaq shumë ngushëllim, sa kur ishin pranë saj.

Historia e mistikes mesjetare ka ardhur deri në ditët tona, falë një simotreje të Matildes, që quhej edhe ajo Gertrudë, e cila mblodhi pak nga pak çdo gjë që i thoshte shenjtja, nё njërin nga librat më të famshëm të mistikës mesjetare, “Libri i Zbulesave”. Nga ato faqe, mësojmë këtë se lutja e kundrimi janë humusi i gjallë i jetës së saj: mësimet, shërbimi ndaj të afërmit, rruga e fesë dhe e dashurisë i kanë këtu rrënjët dhe kontekstin e tyre. Të bën përshtypje aftësia e kësaj shenjtjeje për ta jetuar Liturgjinë në përmasat e ndryshme të saj, edhe në ato më të thjeshtat, duke e zbatuar në jetën e përditshme murgare.

Matilde von Hakeborn u sëmur rëndë në vitet e fundit të jetës së saj 58-vjeçare. Në atë periudhë, pati një krizë të rëndë shpirtërore, por vizionet nuk pushuan. Pikërisht ato, shenjtja e ardhshme i quante “buka e saj e përditshme”, që shoqëronte Ungjillin. Nën udhëheqjen e Shkrimit të Shenjtë dhe duke u ushqyer me Bukën eukaristike, Ajo bëri një rrugë bashkimi intim me Zotin, gjithnjë duke i qëndruar besnike Kishës. Kjo është një ftesë edhe për ne, që ta intensifikojmë miqësinë me Hyjin, sidomos, përmes lutjes së përditshme e pjesëmarrjes së vëmendshme, besnike e aktive në Meshën Shenjte. Liturgjia është shkollë e madhe përshpirtërie.

Matilda, e pajisur me talent të veçantë për muzikë, e sidomos për këngë, drejtonte korin e manastirit e mendohet se ishte pikërisht kjo prirje e saj, që frymëzoi Dante Aligerin për krijimin e figurës së Mateldës, të cilën e gjejmë në Purgatorin e tij. Vdiq në manastirin e Helfës, në vitin 1298. Në Martiriologun Romak kujtohet me këto fjalë: “Shën Matilda, virgjër, grua e shquar për doktrinë e përvujtëri, e ndritur nga dhurata hyjnore e kundrimit mistik, jetoi e vdiq në manastirin e Helfës në Saksoni të Gjermanisë”.

 

19 nëntor 2020, 09:24