Kërko

Santa Elisabetta d'Ungheria, Pietro Nelli Santa Elisabetta d'Ungheria, Pietro Nelli 

Më 17 nëntor kalendari kujton Shën Elizabetës e Hungarisë, rregulltare

Shën Elizabeta e Hungarisë, së bashku me fatin e saj, Ludovikun, sundimtar i Turingjisë, dëshmoi vlerat e krishtera, si në jetën e oborrit mbretëror, ashtu edhe në drejtimin e mbretërisë, duke i kushtuar vëmendje të posaçme të varfërve. Ashtu si sillej para Zotit, sillej edhe para nënshtetasve. Nuk kishte dy mënyra sjelljeje: një në Kishë e një tjetër, mbi fronin e mbretëreshës.

R.SH. - Vatikan

Më 17 nëntor Kisha katolike përkujton Shën Elizabetën e Hungarisë, rregulltare, e cila së bashku me fatin e saj, Ludovikun, sundimtar i Turingjisë, dëshmoi vlerat e krishtera, si në jetën e oborrit mbretëror, ashtu edhe në drejtimin e mbretërisë, duke i kushtuar vëmendje të posaçme të varfërve.

 Elizabeta, terciare françeskane, qe një ndër figurat më poetike e më në shenjë të shekullit XIII, jo për salltanet e famë, por për bukurí të mbinatyrshme virtytesh e shenjtëri jete. Ishte një ndër poemat e Artistit të Madh, Zotit të Kryqëzuar. 

E bija e Andreut II, mbretit të Hungarisë, krejt e re u fejua për Ludovikun IV, princin e Turingjisë në Gjermani, në oborr të të cilit edhe u rrit e u edukua. Katërmbëdhjetë vjeçe u martua e, një vit më pas, pati fëmijën e parë.  Pozita e saj si princeshë, i bashkëshorte e si nënë, nuk e pengoi asnjëherë të kryente vepra të mira dashurie për të varfër, për të sëmurë, për pleq e për të lënë mbas dore. Pas tyre e për ta shpenzoi të gjitha pasuritë e veta. Për ta, e sidomos për të gërbulur, s’e kurseu shërbimin. 

Njëzet vjeçe mbeti e vejë, shtatzënë me të tretin fëmijë. Më pas u dëbua nga oborri i principatës. Vuajti salvime, varfëri, përbuzje, por s’i harroi kurrë të varfrit e të sëmurët. Vdiq terciare françeskane 24 vjeç, në vitin 1231 në Marburg, ku kishte hapur spitalin e të varfërve në emër të Shën Françeskut.

Kujtojmë se Shën Elizabeta e Hungarisë, së bashku me fatin e saj, Ludovikun, sundimtar i Turingjisë, dëshmoi vlerat e krishtera, si në jetën e oborrit mbretëror, ashtu edhe në drejtimin e mbretërisë, duke i kushtuar vëmendje të posaçme të varfërve.

Mbretëresha e vuri kurorën, simbolin e pushtetit mbretëror, tek këmbët e Kryqit, ku u kryqëzua Jezu Krishti, Mbreti i kurorëzuar me gjemba, duke kaluar shumë kohë nё lutje e gjunjëzuar përdhe. Deri në këtë pikë arriti përvujtëria e Elizabetës së Hungarisë, mbretëreshës së Turingjisë, feja e së cilës e shkandullonte oborrin mbretëror.

Nga çastet kryesore të jetës së sundimtares mesjetare del nё pah, sidomos, liria e madhe e ndërgjegjes me të cilën Shën Elizabeta e Hungarisë i jetonte bindjet e saj fetare, pa marrë fare parasysh se i kundërviheshin normave që ia impononte protokolli e rangu.

Shën Elizabeta e Hungarisë ashtu si sillej para Zotit, sillej edhe para nënshtetasve. Nuk kishte dy mënyra sjelljeje: një në Kishë e një tjetër, mbi fronin e mbretëreshës. Ajo ishte e krishterë, si kur gjunjëzohej nё lutje përdhe, para të Jezusit tё Kryqëzuar, ashtu edhe kur lartohej mbi fron, përballë oborrtarëve.

“Elizabeta e ndihmonte bashkëshortin t’i lartonte cilësitë e veta njerëzore, në sfera të mbinatyrshme, e ai ia kthente duke e mbrojtur në veprimtarinë e saj bujare për të varfërit e në praktikimin e fesë. Gjithnjë më i pushtuar nga admirimi për fenë e jashtëzakonshme të shoqes së jetës, një ditë Ludoviku, duke vërejtur kujdesin e mbretëreshës për të varfërit, i tha: “E dashur Elizabetë, është Krishti ai që lave, që ushqeve, që deshe”. Dëshmi e qartë kjo, për të treguar sesi feja e dashuria për Zotin e për të afërmin e forcojnë jetën familjare, duke e thelluar edhe më shumë bashkimin martesor” (Benedikti XVI Audienca e përgjithshme, 20 tetor 2010).

Liturgjia e ditës  na kujton se vetëm ai që do ta ketë dhuruar plotësisht jetën, do të shpërblehet në ditën e mbramë. Ndërsa kush ia mbyll vëllezërve portat e zemrës, nuk është në gjendje ta pranojë ardhjen e Zotit.

 

 

17 nëntor 2020, 09:31