San Leone Magno, Basilica di san Paolo fuori le mura San Leone Magno, Basilica di san Paolo fuori le mura 

Me 10 nëntor kalendari kujton Shën Leonin e madh, Papë

Sot kujtojmë Papën e madh dhe doktorin e Kishës që shpëtoi Romën nga Hunët. Shërbëtor i së Vërtetës në Dashuri, teolog e bari i jashtëzakonshëm shpirtëror, ky me pak fjalë është portreti i shën Leonit të Madh. Papnia e Leonit të Madh, që zgjati 21 vjet mbetet një nga më të rëndësishmet në historinë e Kishës.

R.SH. - Vatikan

Më 10 nëntor kalendari kishtar kujton Shën Leonin e Madh, njërin ndër Papët më të mëdhenj të historisë. Sot kujtojmë Papën e madh dhe doktorin e Kishës që shpëtoi Romën nga Hunët. Papa Leoni i Madh i dha autoritet Ipeshkvit të Romës, promovoi paqen në kohë të vështira, doktor i Kishës, sepse diti t’u qëndronte pranë besimtarëve me vepra baritore, bamirësie e me predikime.

Shërbëtor i së Vërtetës në Dashuri, teolog e bari i jashtëzakonshëm shpirtëror, ky me pak fjalë është portreti i shën Leonit të Madh. "Duhet t'i ngjasosh Bariut të Mirë, i cili shkon ta kërkojë delen e humbur dhe e sjell rishtas në grigjë, duke e mbartur përmbi shpatulla. Kështu duhet të veprosh me ata që kanë dredhuar rrugë, duke hyrë në shtigje të verbra, të cilat i çojnë larg së vërtetës. Duhet t'i rifitosh për Zotin përmes lutjeve të Kishës së tij".

Papa Leoni ia shkruante këtë letër Timoteut, ipeshkvit të Aleksandrisë, më 8 gusht të vitit 460 - një vit para se të vdiste - duke i dhënë këshilla që janë pasqyrë e vetë jetës së tij e duke treguar se ishte bari që nuk i dënonte delet rebele, por i kthente në vath me dashuri e vendosmëri. Mendimi tij përmblidhet në këto dy fragmente themelore: "Edhe atëherë kur duhet të qortosh, mos e humb kurrë dashurinë” e sidomos, “mos harro se Krishti është gjithçka për ne, me Të mund t'i arrijmë të gjitha”.

Nuk është e rastit që Leoni i Madh, Papë e doktor i Kishës, përballoi Atilën, kryetarin e Hunëve, për të cilët shkruhej se ku vinte këmbën, nuk mbinte më bari, duke e bindur - i armatosur vetëm me kryqin papnor - të mos marshonte mbi Romën dhe të tërhiqej përtej Danubit. Ky Takim i vitit 452 pranë lumit Minçio mbetet edhe sot e kësaj dite një nga misteret e mëdha në historinë e Kishës. Një nga papët më të mëdhenj, që e kanë nderuar Selinë romake. Me këto fjalë mund ta përshkruajmë figurën e Shën Leonit të Madh.

Roli i pasardhësit të Shën Pjetrit është unik në Kishë, sepse “një apostulli të vetëm iu besua, ajo që iu komunikua të gjithë apostujve”, është një nga fjalët e njohura nga predikimet më të bukura të Shën Leonit të Madh, ipeshkvit të parë të Romës me emrin Leon, Papës së parë, predikimet e të cilit kanë arritur deri në ditët tona. E nga këto predikime, kujtojmë edhe fjalën e mbajtur nga Leoni i Madh në Koncilin Kishtar në Kalçedoni, në vitin 451, i cili ngjalli aq shumë emocion e entuziazëm, sa Etërit e Kishës pohuan njëzëri se “ishte vetë Pjetri që fliste me gojën e Leonit”.

Posaçërisht nga ky fjalim, e nga të tjerë, mbajtur gjatë polemikës kristologjike të këtyre viteve, Papa Leoni vuri theksin mbi përgjegjësinë e Pasardhësit të Pjetrit, roli i të cilit është unik në Kishë, sepse një apostulli të vetëm iu besua, ajo që iu komunikua të gjithë apostujve, siç pohon Leoni në një nga predikimet e tij, mbajtur në festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit. Tregon kështu, se ushtrimi i parisë së Pjetrit ishte i nevojshëm asokohe, ashtu siç është i nevojshëm edhe sot, për t’i shërbyer bashkimit, karakteristik për Kishën e vetme të Krishtit.

Leoni ishte predikatar i madh, që ndiqej me interes nga mijëra besimtarë. Ai posaçërisht u mësoi besimtarëve të asaj kohe – e fjalët e tij vlejnë edhe sot për ne – se liturgjia e krishterë nuk është kujtim i ngjarjeve të kaluara, por aktualizim i realiteteve të padukshme, që veprojnë në jetën e secilit. Ai ishte njeri i paqes e i dashurisë. Na mëson, kështu, rrugën në të cilën duhet të ecim: në fe, mësojmë dashurinë.

Papnia e Leonit të Madh, që zgjati 21 vjet mbetet një nga më të rëndësishmet në historinë e Kishës. E kjo, jo vetëm pse theksoi me forcë përgjegjësinë e pasardhësit të Pjetrit, por kryesisht sepse këtë përgjegjësi diti ta ushtrojë mrekullisht mirë, në Perëndim e në Lindje, duke ndërhyrë me maturi, vendosmëri e kthjelltësi, si përmes shkrimeve, ashtu edhe përmes legatëve të tij. Mbeti kështu në kujtesën e Kishës si Kryebari që vijoi ta kumtojë me sukses Ungjillin edhe në kohë tepër të vështira për Kishën, duke e lidhur ngushtë liturgjinë, me jetën e përditshme të të krishterëve.

10 nëntor 2020, 09:35