Kërko

Vatican News

U lirua në Mali atë Maccalli, rrëmbyer dy vite më parë

Meshtari italian mund të kthehet sot pasdite në Romë. Mendohet se u lirua pas një shkëmbimi me të burgosur xhihadistë, me ndërmjetësimin e qeverisë ushtarake, aktualisht në pushtet në Mali. U liruan edhe italiani Nicola Chiacchio, francezja Sophie Pétronin dhe politikani malez Soumalia Cissé.

R.SH. - Vatikan

Atë Gigi është i lirë. Ky është lajmi, që u përhap menjëherë nga Mali në të gjithë botën, me tam-tamin e gëzueshëm, që filloi mbrëmë e u shumëfishua në internet. Misionari i provincës italiane të Crema-s, meshtari 59-vjeçar, anëtar i Shoqatës së Misioneve Afrikane, atë Pierluigi Maccalli, u rrëmbye në Niger në kufirin me Burkina Fason, natën ndërmjet 17 dhe 18 shtatorit 2018, nga milicët xhihadistë. Shërbente në famullinë e Bomoanga-s, në dioqezën e Niamey. Sekuestrimi i tij ndodhi menjëherë pas kthimit nga pushimet në Itali, ku dioqeza e tij e origjinës, gjatë gjithë kësaj periudhe, nuk e humbi shpresën e vijoi të lutej.

Atë Maccali e pengjet e tjera të liruara

         Lajmi i fundit nga atë Gigi i përket një videoje të 24 marsit të kaluar, ku ai u duk së bashku me inxhinierin italian nga Campania, Nicola Chiacchio, që u rrëmbye ndërsa udhëtonte në Mali si turist, në vitin 2019. Të dy i kishin ulur krah për krah, të parruar dhe të dobësuar dukshëm. Tani janë liruar së bashku, njëkohësisht me dy pengje të tjera. Është fjala për ish-ministrin e financave të Malit, Soumaïla Cissé, rrëmbyer marsin e kaluar, kur ishte kreu i opozitës në zgjedhjet, që do të mbaheshin vetëm dy ditë pas sekuestrimit, si edhe për funksionaren franceze të projekteve të bashkëpunimit ndërkombëtar, Sophie Pétronin, zhdukur që nga viti 2016. Presidenti francez Emmanuel Macron shprehu mirënjohjen e tij për autoritetet maliane. "Lufta kundër terrorizmit në Sahel - ku Franca ka disllokuar rreth 5.100 ushtarë - vazhdon", shkruan ai në një tweet. Edhe kryeministri Giuseppe Conte dhe autoritetet e tjera italiane shprehën kënaqësinë e tyre për suksesin e operacionit, që u realizua, pasi qeveria e përkohshme e Malit liroi rreth 100 xhihadistë fundjavën e kaluar. E natyrisht, shprehu gëzimin e saj të pamasë, Konferenca Ipeshkvnore Italiane.

09 tetor 2020, 09:46