Kërko

Vatican News

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXVIII të vitit liturgjik

Siç e tha në Engjëllin e Tënzot edhe Papa Françesku, sot, në të dielën XXVIII të vitit liturgjik, Ungjilli sipas Mateut na propozon shëmbëlltyrën e dasmës, ku grishen të gjithë, por ata, që hyjnë, duhet të kenë petkun e duhur, pra, të jenë njerëz të ndryshuar. Ja, pjesa ungjillore...

R.SH. - Vatikan

1 Jezusi filloi prapë t’u flasë në shëmbëlltyra. Thoshte: 2 “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me mbretin që bëri dasmë për djalin e vet. 3 Mbreti dërgoi shërbëtorët e vet për të grishur të ftuarit në dasmë. Por ata nuk deshën të vijnë. 4 Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: ‘Thuajuni të ftuarve: gostinë e kam gati: i preva demat e mi e bagëtitë e majmura! Gjithçka është gati! Ejani në dasmë!’ 5 Por ata nuk ia vunë veshin e shkuan: kush në arën e vet e kush në tregti të vet. 6 Të tjerët, mandej, i zunë shërbëtorët e tij, i munduan e i vranë. 7 Për këtë punë mbreti u zemërua, dërgoi ushtrinë e vet, i vrau ata gjakësorë dhe e dogji qytetin e tyre. 8 Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: ‘Dasma njëmend është gati, por të ftuarit nuk qenë të denjë. 9 Shkoni, pra, në udhëkryqe e, këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!’ 10 Shërbëtorët dolën nëpër udhë dhe i sollën të gjithë ata që gjetën: të mirë e të këqij. Kështu salloni i dasmës u mbush me të ftuar. 11 Atëherë hyri edhe mbreti për t’i parë të ftuarit. Vuri re aty njërin që s’e kishte veshur petkun e dasmës. I tha: 12 ‘Mik, si hyre këtu pa pasur petkun e dasmës?’ Ai s’e çeli gojën. 13 Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: ‘Lidheni këmbësh e duarsh e qiteni jashtë në terr, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh!’ 14 Sepse, shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur”.

Të lutemi së bashku

Gostia jote është për të gjithë:

askush nuk përjashtohet,

askush nuk lihet pa festën

që Ti e përgatit për njerëzimin.

E, megjithatë, nuk mjafton të pranosh ftesën,

Ti kërkon që secili të veshë petkat e dasmës.

Por s’bëhet fjalë, o Jezus,

që të shpenzojmë shifra marramendëse për veshjet

e as që të bëjmë përpjekje çnjerëzore.

Ti vetë na e jep këtë petk të çmuar,

Ti vetë vepron në jetën tonë

për ta shndërruar në ngjashmëri me Tënden.

Na merr ashtu siç jemi,

nëpër udhëkryqet e rrugëve,

në gjendjet nga më të ndryshmet,

endacakë, të papastër e të leckosur.

Balta, që na përlyen

fytyrën e zemrën,

nuk të ndalon të na ofrosh një jetë të re,

e as plagët, që bartim në shpirt,

nuk të pengojnë aspak.

Mjafton ta lëshojmë veten në dorën Tënde,

ta lejojmë dritën Tënde të na shndrisë,

të vendosim që të na ndryshojë

dhembshuria e butësia Jote,

e kështu, të na shërojë

mëshira Jote.

 

11 tetor 2020, 08:28