Kërko

2019.10.18 XXIX Domenica del Tempo Ordinario (Anno C) 2019.10.18 XXIX Domenica del Tempo Ordinario (Anno C)

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXIX të vitit liturgjik

Ndarja e botës shekullare nga ajo kishtare dhe respekti për bashkësinë në të cilën jeton çdo i krishterë, në qendër të Ungjillit të sotëm, në të dielën XXIX të vitit liturgjik A. Pjesa, që ju ftojmë ta lexoni, është marrë nga kreu 22 i Ungjillit sipas Mateut e flet për pagesën e tatimeve perandorit romak...

R.SH. - Vatikan

15 Në atë kohë, farisenjtë u ndanë mënjanë dhe u këshilluan si ta zënë Jezusin gabim në fjalë. 16 Dërguan nxënësit e vet bashkë me herodianë për t’i thënë: “Mësues, ne e dimë se ti gjithmonë flet të vërtetën dhe se me të vërtetë e mëson udhën e Hyjit pa marrë parasysh kush është kush: ti nuk këqyr ç’pozitë kanë njerëzit! 17 Na thuaj, pra, si mendon ti: a është e lejueshme t’i paguhet Cezarit tatimi apo jo?” 18 Jezusi, duke e njohur mirë djallëzinë e tyre, tha: “Shtiracakë, pse po më sprovoni? 19 Ma tregoni monedhën e tatimit!” 20 Ata ia sollën një denar. “E kujt është - u tha - kjo fytyrë e ky mbishkrim?” 21 “E Cezarit!” - iu përgjigjën ata. Atëherë Jezusi u tha: “Jepini, pra, Cezarit çka i përket Cezarit e Hyjit çka i përket Hyjit”.

Të lutemi së bashku:

Ne të krishterët, kërkojmë më kot

rrugë të tërthorta, që të na lejojnë

të mos e kryejmë detyrën, që na takon:

Ti, o Jezus, nuk u jep asnjë shteg

atyre, që nuk duan të paguajnë taksat,

atyre që, me pretekstin se po bëjnë bamirësi,

nuk duan ta respektojnë drejtësinë.

 

Dishepujt e tu i fton të jenë qytetarë të ndershëm,

të përgjegjshëm, si gjithë të tjerët,

të respektojnë qytetin e njerëzve dhe institucionet e tij,

funksionimin e shtetit, të cilit i përkasin.

 

Askush nuk mund të ndihet i autorizuar

t’i heqë diçka bashkësisë për t’ia dhënë Kishës.

E megjithatë, Ti nuk ndalesh këtu:

ndërsa kërkon të jemi të saktë ndaj Cezarit,

na nxit të sillemi njëlloj edhe me Atin tënd.

 

Me të vërtetë, ndërsa përdorim të mirat

që na jepen nga bashkësia ku jetojmë

si mund të harrojmë

gjithçka na besoi Zoti

me dashurinë e Tij pa kufi?

Duke filluar nga vetë jeta,

nga ditët, që na jepen dhuratë,

nga burimet e nga aftësitë, që mund të përdorim,

gjithçka vjen prej Tij: talente të çmuara

të destinuara të jenë pasuri për të gjithë

dhe të zgjojnë mirënjohje në gjithëkënd.

17 tetor 2020, 08:30