Kërko

FRANCE-RELIGION-ATTACK-GOVERNMENT FRANCE-RELIGION-ATTACK-GOVERNMENT

Pas vrasjes së mësuesit, krerët fetarë francezë luten para “lapidarit të vëllazërimit”

Pasi iu pre koka mësuesit francez të historisë, Samuel Paty, në periferinë e Parisit, krerët fetarë u mblodhën në Rouen para “Lapidarit të vëllazërimit”, që kujton atë Hamelin: “Zoti nuk mund të kërkojë vrasje”.

R.SH. - Vatikan

Një minutë e gjatë heshtjeje para “Lapidarit të vëllazërimit”, ngritur pranë kishës së Saint-Étienne-du-Rouvray, në Rouen, në kujtim të atë Zhak Hamelit, meshtarit të therur barbarisht 4 vite më parë, më 26 korrik 2016, nga dy ekstremistë të rinj. Kjo qe mënyra, me të cilën dje, krerët fetarë të Francës - të krishterë, myslimanë dhe hebrenj - i bënë homazhe mësuesit të historisë, Samuel Paty, të cilit iu pre koka në Conflans-Saint-Honorine, në periferinë veri-perëndimore të Parisit. Edhe kësaj here, ishte një djalë i ri, me origjinë çeçene, që kreu aktin terrorist, duke thirrur “Allah Akbar”.

Të dielën pasdite, krerët fetarë të qytetit të Rouenit u takuan në kishën, ku pati shërbyer atë Hameli, për të “shprehur tronditjen dhe dënimin e tyre të fuqishëm për vrasjen e Samuel Paty”. Në një deklaratë të përbashkët, për të cilën njofton kryedioqeza e Rouenit, krerët e të gjitha feve ripohojnë se “Zoti nuk mund të kërkojë vrasje”. Ata sigurojnë impenjimin e tyre të plotë për t’i udhëhequr bashkësitë, secili sipas traditës së vet, dhe për t’i edukuar të rinjtë, që ata të krijojnë me të gjithë vëllazërimin e vërtetë, për ta zëvendësuar dhunën me dialog”. Komunikata nënshkruhet nga kryeipeshkvi Dominique Lebrun, nga përfaqësues të Bashkimit të Myslimanëve dhe të Këshillit rajonal të Kultit Mysliman, të Bashkësisë Hebraike të Rouenit dhe të Kishave protestante dhe ungjillore.

19 tetor 2020, 13:03