sunset-2021238_960_720.jpg

Më 9 tetor kalendari kishtar përkujton shën Dionizin, ipeshkëv e shokët, martirë

Shën Dionizi qe ipeshkvi i parë i Parisit, i dërguar në Gali nga papa Fabiani në vitin 250. U martirizua së bashku me Rustikon e me Eleuterin. Reliket e Shenjtit ruhen në bazilikën ngritur mbi varrin e tij në vitin 495 nga Shën Gjenovefa.

R.SH. - Vatikan

Emri i Shenjtit, që Kisha katolike e kremton sot, Dionizi, duket në disa dokumente të rëndësishme, të gjitha të shkruara rreth shekujve V-VI, siç janë ‘Jeta e Shën Gjenovefës’, ku flitet për ndërtimin e Kishës së Shën Dionizit në Paris, në vitin 475; vepra e historianit-poet, Venancio Fortunato, vdekur rreth vitit 600, që përshkruan edhe ai kishën e Shën Dionizit në Paris dhe një kishë tjetër kushtuar Shenjtit në Bordo e, së fundit, ‘Historia e frankëve’ e Shën Gregorit të Turit (vdekur më 594), që përshkruan me hollësi jetën dhe martirizmin e Shën Dionizit.
Çuditërisht në veprat e këtyre autorëve, mungojnë të dhënat për shokët e tij të martirizimit e të apostullimin, që ishin Rustiko, prift edhe Eleuteri, diakon. Emrat e tyre duken për herë të parë në shekullin VI-VII në “Martiriologun Jeronimian”.
Sipas traditës, Shën Dionizi qe ipeshkvi i parë i Parisit, i dërguar në Gali nga papa Fabiani në vitin 250. U martirizua së bashku me Rustikon e me Eleuterin. Reliket e Shenjtit ruhen në bazilikën ngritur mbi varrin e tij në vitin 495 nga Shën Gjenovefa. Pranë kësaj bazilike, në shekullin VII, u ngrit edhe abacia e njohur, që mori emrin e Shën Dionizit.
Emri Dioniz vjen nga latinishtja e do të thotë: i kushtuar Dionizit apo hyjnisë pagane, Bakut. Simbolet e Shenjtit janë shkopi baritor e palma. Është i pranishëm në Martiriologun Romak.

09 tetor 2020, 13:28