Kërko

 Tutti Santi - ognissanti Tutti Santi - ognissanti 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Festës të Të Gjithë Shenjtorëve

Shenjtorët janë modeli njerëzor që e afron qiellin me tokën. Janë Burra e Gra, bij të Kishës, që zgjodhën Krishtin, duke i pranuar, pa u fshehur, të gjitha pasojat, edhe më dramatiket. Dëshmuan kështu se caku i lartë i jetës së krishterë, është cak për të gjithë njerëzit, e jo vetëm për njerëzit e jashtzakonshëm, për të gjitha kohërat, e jo vetëm për një epokë. Kjo festë na kujton idealin e krishterë të shenjtërimit e kremton aradhen e atyre vëllezërve e motrave tona, që gjatë shekujsh e deri në ditët tona, janë dalluar në mënyrë të posaçme për një jetë të jetuar në përkim me vullnetin e Fjalët e Zotit e që pas vdekjes gëzojnë lumturinë e jetës në Zotin.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit , kësaj here do të meditojmë së bashku leximet biblike të festës së  Gjithë Shenjtorëve, që Kisha kremton me 1 nëntor. Kjo festë na kujton idealin e krishterë të shenjtërimit e kremton aradhen e atyre vëllezërve e motrave tona, që gjatë shekujsh e deri në ditët tona, janë dalluar në mënyrë të posaçme për një jetë të jetuar në përkim me vullnetin e Fjalët e Zotit e që pas vdekjes gëzojnë lumturinë e jetës në Zotin.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Festës të Të Gjithë Shenjtorëve

Kisha është ‘Nënë e Shenjtorëve’, dëshmitarë të një jete të ndritur, që mund ta jetojë çdo njeri: këtë na kujton solemniteti i 1 nëntorit. Të njohur ose të panjohur, të nderuar prej shekujsh ose të fshehur në palët e së përditshmes, Shenjtorët janë modeli njerëzor që e afron qiellin me tokën. Janë Burra e Gra, bij të Kishës, që zgjodhën Krishtin, duke i pranuar, pa u fshehur, të gjitha pasojat, edhe më dramatiket. Dëshmuan kështu se caku i lartë i jetës së krishterë, është cak për të gjithë njerëzit, e jo vetëm për njerëzit e jashtzakonshëm, për të gjitha kohërat, e jo vetëm për një epokë.

Pra, festa e Gjithë Shenjtorëve është festa e atyre që gëzojnë lumturinë Hyjnore por që nuk janë shpallur zyrtarisht e kanonikisht shenjtorë nga Kisha. Kjo festë na fton të shikojmë drejt atdheut të përbashkët, drejt lumturisë qiellore në Jetën e pavdekshme në Krishtin e Gjallë në bashkim me të Gjithë Shenjtorët.

Në solemnitetin e Gjithё Shenjtorёve, liturgjia e Fjalës sё Zotit na paraqet pjesën ungjillore marr nga shën Mateu (Mt 5,1-12a), qё na tregon se  Jezusi duke parë turmën, ngjitet në mal dhe me Apostujt përreth, u flet njerëzve, duke përcaktuar të gjitha lumnitë e Mbretërisë së Hyjit: “Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve. Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen! Lum ata që janë të butë, sepse do ta trashëgojnë tokën!...”.

Ungjilli na kërkon që t’i kthejmë sytë nga Krishti. Lumnitë ungjillore janë një biografi e fshehtë, e brendshme e Krishtit, si një portret i figurës së tij. Tek Lumnitë bëhet i dukshëm misteri i vetë  Jezu Krishtit dhe ato na thërrasin të bashkohemi me Të. E në profilin e shenjtërisë së jetuar  nga jithё Shenjtorёt, nga Shën Françesku i Asizit, nga Shёn Nёnё Tereza, kemi një shembull të jetuar të vargut të Lumnive ungjillore, që përmend Krishti. Kur shën Françesku e shёn Nёnё Tereza gjetёn Krishtin u varfërua nga gjithçka tjetër. Kaq shumë i kishte pasuruar Jezusi. Vetëm në këtë rrugë që tregojnё Lumnitё ungjillore gjejmë pasurinë e madhështinë e jetës njerëzore.

Kështu, me 1 nёntor, kemi gëzimin të kremtojmë solemnitetin e të Gjithë Shenjtorëve, kjo festë na bënë të reflektojmë mbi horizontin e dyfishtë të njerëzimit, që simbolikisht shprehet me fjalët ‘tokë’ dhe ‘qiell’: toka përfaqëson udhëtimin historik, qielli amshimin, plotësinë e jetës në Zotin. E kështu kjo festë na bënë të mendojmë për Kishën në përmasën e saj të dyfishtë: Kishën që udhëton në kohë dhe atë që kremton festën e pambarim, Jerusalemin qiellor.

Këto përmasa të dyfishta janë të bashkuara nga realiteti i ‘ bashkësisë së shenjtorëve’: një realitet ky që fillon këtu mbi tokë e arrin plotësimin e vet në Qiell. Në botën tokësore, Kisha është fillimi i këtij misteri të bashkimit që njëson njerëzimin, në misterin e plotë të përqendruar e të mbështetut në Jezu Krishtin: është Ai që e ka shtie në gjininë njerëzore këtë dinamikë të re, këtë lëvizje që na shpie drejt Zotit e në të njëjtën kohë drejt vet bashkimit, drejt paqes në kuptimin më të thellë të fjalës.

Nё solemnitetin e Gjithё Shenjtorёve, pra, Kisha na fton tё shohim nё shembullin e tyre fitoren e dashurisë mbi egoizmin e mbi vdekjen. Shenjtorёt ripohojnё faktin që të ndjekësh Jezu Krishtin të çon në jetë, në jetën e amshuar, e të shkosh pas Krishtit i jep kuptim të sotmes dhe çdo çasti që kalon, sepse e përmbush me dashuri e shpresë. Në festën e Gjithë Shenjtorëve, Kisha na kujton se vetëm feja në jetën e amshuar na bënë ta duam më të vërtetë historinë dhe të sotmen, por pa u lidhur në mënyrë të përhershme, me lirinë e shtegtarit, që e do tokën pse e ka zemrën në Qiell.

                                                  Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Dal 22, 21-27)

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull
 Unë Gjoni, pashë edhe një engjëll tjetër që ngritej nga lindja. Ai kishte vulën e Hyjit të gjallë. Ai i thirri me sa zë kishte katër engjëjt që kishin marrë pushtetin të dëmtojnë tokën dhe detin: “Mos i bëni dëm as tokës, as detit, as lëndëve deri që t’i vulosim në ballë shërbëtorët e Hyjit tonë!” Atëherë dëgjova numrin e atyre që ishin vulosur, njëqind dyzet e katër mijë nga të gjitha fiset e bijve të Izraelit. Pastaj pashë: një shumicë të madhe që askush s’mund e numëronte, prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe! Qëndronin në këmbë para fronit dhe para Qengjit të veshur me petka të bardha e me palma në dorë. Ata shpallnin me zë të lartë: “Shëlbimi i përket Hyjit tonë që rri në fron dhe Qengjit!”
 Të gjithë engjëjt që ishin në këmbë rreth fronit, rreth udhëheqësve dhe rreth katër gjallorëve, ranë përmbys dhe adhuruan Hyjin. Thoshin: “Amen! Bekim e lavdi, dije e falënderim, nder, pushtet dhe fuqi Hyjit tonë në shekuj të shekujve! Amen!”
 Atëherë njëri nga udhëheqësit mori fjalën dhe më pyeti: “Këta që janë të veshur me petka të bardha, kush janë dhe nga kanë ardhur?” Unë u përgjigja: “Imzot, ti e di!” Dhe ai më tha: “Këta janë ata që erdhën nga prova e madhe; i lanë petkat dhe i zbardhuan në gjakun e Qengjit.” Fjala e Zotit

Psalmi 24
 Lum ata që janë të pastër më zemër, sepse ata do ta shohin Hyjin
 ----
 E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka,
 rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
 Ai vetë e themeloi mbi dete,
 dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
 ----
 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit,
 e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

 Ai që ka duart e pafajshme e zemrën e pastër,
 ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi,
 ai që nuk përbehet në rrenë.
 -----
 Ky do ta marrë bekimin prej Zotit,
 shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
 E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin,
 e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit

 Leximi i dytë (1 Gjn 3, 1-3)

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull
 Fort të dashur, shikoni ç’ dashuri të madhe na dhuroi Ati, sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë. Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është. Kush e ka këtë shpresë në Të, bëhet i pastër siç është Ai i pastër. Fjala e Zotit!
 ---
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:
 “Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!
 Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen!
 Lum ata që janë të butë, sepse do ta trashëgojnë tokën!
 Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi, sepse do të ngihen!
 Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë!
 Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do ta shohin Hyjin!
 Lum pajtuesit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit!
 Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!
 Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Ja po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!” Fjala e Zotit.

31 tetor 2020, 11:07