2020.03.15 Santa Messa S.E. Card Comastri 2020.03.15 Santa Messa S.E. Card Comastri  

Kardinal Comastri: ‘Rruzarja është lutje e thjeshtë dhe e thellë, që i vëllazëron të gjithë’

Kardinali Comastri: Rruzarja është uratë që të çon drejt misterit të Krishtit, të prin drejt bashkimit me Jezusin. Prandaj mund të themi edhe se Maria e do Rruzaren, sepse Maria dëshiron të na marrë për dore e të na çojë te Krishti.

R.SH. - Vatikan

Në pёrfundim tё audiencёs sё pёrgjithshme, mbajtur sot paradite nё Vatikan, nё ditën kur kremtohet festa e Zojёs Rruzare, Papa i porositi besimtarët që "edhe sot, në këtë kohë pandemie, është e nevojshme të mbajmë Rruzaren në duar, të lutemi për ne, për të dashurit tanë dhe për të gjithë njerëzit". “Ta themi me fe të gjallë Rruzaren për paqen e familjeve, të kombeve e të mbarë botës”. Duke përshkruar figurën tradicionale të Zojës Rruzare, Kisha katolike na kujton se Rruzarja është mjet që Zoja e Bekuar na e dhuron për të kundruar Jezusin e, duke medituar për jetën e Tij, për ta dashur dhe për ta ndjekur pas gjithnjë e më besnikërisht në jetë e përditshme.

Por për këtë lutje të lashtë, ju propozojmë reflektimin e Kardinali Angelo Comastri, mëkëmbës i përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij për Qytetin e Vatikanit, kryeprift i Bazilikës Papnore të Shën Pjetrit dhe President i Fabrikës së Shën Pjetrit:

Rruzarja është lutje që nuk vjetrohet kurrë, sepse mbi të gjitha, është krejt e thjeshtë. Mund të themi se është aq e thjeshtë, sa t’i vëllazërojë të gjithë. Por njëkohësisht është edhe tejèt e thellë, sepse lutje kristologjike. E këtë e ka nënvizuar në mënyrë të veçantë Papa Shën Gjon Pali II, duke kujtuar se Rruzarja na bën të meditojmë për jetën e Jezusit, së bashku me Virgjërën Mari. Së fundi, mund të themi se është lutje e përvujtë, sepse përsëritet. Kush përsërit, është njeri i përvujtë. E s’ka gjë më të pëlqyeshme për Zotin, sesa përvujtëria. Po duhet kujtuar se Rruzarja është edhe lutje plot dashuri. Kur e duam fort dikë, ia përsërisim të njëjtën gjë një mijë herë. Nëna s’lodhet kurrë s’i thëni fëmijës së vet: “Shpirti i nënës, zemra e nënës”. Është uratë e përshtatshme si për njeriun e vetëm, ashtu edhe për gjithë familjen. Kur familjet e thonë së bashku Rruzaren, jeta e tyre ndryshon.

Rruzarja është uratë, pra mund të themi se na prin te Jezusi?

Rruzarja është uratë që të çon drejt misterit të Krishtit, të prin drejt bashkimit me Jezusin. Prandaj mund të themi edhe se Maria e do Rruzaren, sepse Maria dëshiron të na marrë për dore e të na çojë te Krishti. Dikush, duke folur fare pa menduar, ka thënë se Maria mund të na largojë nga Jezusi, por kjo as që duhet të na shkojë nëpër mend, sepse Maria ka gjithnjë në gojë vetëm një emën: “Jezus!”; vetëm një porosi: “Bëni atë që do t’ju thotë Ai! Çkado t’ju thotë Jezusi, bëjeni, dëgjojeni!”. Kjo është detyra e Marisë, ky, misioni i saj: ajo nuk na do për vete, por për Krishtin. E me që Rruzarja është uratë që të çon tek Jezusi, madje të bën të ecësh në gjurmët e Krishtit, s’ka sesi të mos jetë tepër e dashur për Marinë. Mund të themi se është lutja që kryen misionin e saj. Është lutja, përmes së cilës Maria na prin drejt intimitetit me Jezusin, drejt bashkimit me Jezusin e, prej këndej, na ndihmon të bëhemi më besimtarë, më të kritshterë. E kjo, sepse duke u bërë marian, bëhesh edhe kristian.

Në Letrën Apostolike “Rosarium Virginis Mariae”, Papa Shën Gjon Pali II ka shkruar se përmes Rruzares populli i krishterë ulet në bankat e shkollës së Marisë. Çka do të thotë ‘shkolla e Marisë’ për familjet e kohëve tona?

Maria është gruaja që na edukon me frymën e lirisë. Njerëzit e kohëve tona nuk janë më në gjendje të kuptojnë ç’do të thotë liri. Për disa, liri do të thotë të jetosh si të teket; për të tjerë, liria është plotësimi i kërkesave egoiste, pa shikuar majtas as djathtas; të tjerë arrijnë deri atje, sa ta konsiderojnë ligësinë si liri të vërtetë. Kështu pra, njerëzit nuk janë më në gjendje ta kuptojnë ç’është liria. Maja më e lartë e lirisë njerëzore është çasti kur Maria, në shtëpinë e vogël të Nazaretit, duke iu përgjigjur lajmit që i sillte Engjëlli, tha: “Ja shërbëtorja e Tënzot”. Atë çast Maria u bë gruaja më e lirë.

Rruzarja është një gjetje e madhe e Marisë për ta mbajtur njerëzimin afër vetes e të bashkuar në një familje të vetme në Krishtin Zot e Shpëtimtar. Vet personalisht, Virgjëra Mari u denjua të na mësojë e porositë këtë uratë të përshpirtshme të Rruzares ta lusim çdo ditë. Mos të harrojmë që mjeti dhe udha më e mirë e më e sigurt që na mundëson takimin e bashkimin tonë me Zotit, është pa dyshim, urata e Rruzares Shenjte.

Lutje Zojës Rruzare.

Të falem o Mari në ëmbëlsinë e misterit tënd të gëzueshëm dhe në fillim të Mishërimit të lum që të bëri ty Nënë të Shpëtuesit dhe nënë të shpirtit tim. Të bekoj për dritën e ëmbël që solle në tokë.

O Zojë e çdo gëzimi na mëso virtytet që u japin paqe zemrave dhe në këtë tokë, ku dhimbjet janë të bollshme bëj që bijtë të ecin në dritën e Zotit në mënyrë që dorë për dore me ty të mbërrijnë dhe të kenë plotësisht objektivin drejt të cilit zemra jote i thërret, te Biri i dashurisë sate, Jezusi Zot.

Të falem o Mari, nënë e dhimbjes në misterin e dashurisë më të madhe, në Mundimet dhe në vdekjen e Zotit tim Jezu Krisht dhe duke i bashkuar lotët e mi me të tuajt, do të dëshiroja të të doja në mënyrë që zemra ime, e plagosur si e jotja nga gozhdët që sfilitën Shpëtimtarin tim, të pikonte gjak, sikur pikojnë gjak ato të Birit e të Nënës. Të bekoj, o Nënë e Shëlbuesit dhe Bashkëshëlbuese, në shkëlqimin e purpurt të Dashurisë së Kryqëzuar, të bekoj për sakrificën që u pranua në tempull dhe që tani konsumohet tek oferta për drejtësinë e Zotit të Birit e tek dashuria prekëse dhe te virgjëria jote në një holokaust të përsosur.

Të bekoj, sepse gjaku i çmueshëm që tani kullon për të larë mëkatet e njerëzve e pati gurrën e vet tek Zemra jote tejet e pastër. Të truhem, o Nëna ime të më çosh në majat e dashurisë që vetëm bashkimi intim me Mundimet dhe me vdekjen e Zotit të dashur mundet t’i arrijë.

Të falem o Mari, në lavdinë e emrit tënd Mbretëror. Dhimbja e tokës i lëshoi vendin gëzimeve të pafund dhe manteli i purpurt i gjakosur të endi mantelin e mrekullueshëm që i përshtatet Nënës së Mbretit të mbretërve dhe Mbretëreshës së Engjëjve. Bëj që t’i ngij sytë e mi nga ti gjatë shkëlqimit të triumfeve të tuaja, o Sovrania ime e dashur, dhe sytë e mi do të thonë, më mirë se çdo fjalë dashurinë e birit dhe dëshirën për të të parë me Jezusin në amshim, sepse ti je e Bukur, sepse ti je e Mirë, “O e dhimbshmja, o e Buta, o e Ëmbla Virgjëra Mari”.

07 tetor 2020, 12:37