Kërko

Vatican News
Zoja Rruzare Zoja Rruzare 

Kisha kremton natën e festës së Zojës Rruzare

Kisha kremton festën e Zojës Rruzare. Urata e lashtë e Rruzares Shenjte të cilën Kisha na porosit ta lusim Zotin çdo ditë për të mirën tonë shpirtërore e të mbarë njerëzimit, na ndihmon të njihemi gjithnjë e më mirë dhe nga afër me jetën e veprën shpëtimprurëse të Jezu Krishtit. Duke lutur uratën e Rruzares përshkojmë së bashku me Zojën e Bekuar misteret e fesë së krishterë, misteret e Krishtit Zot. Rruzarja, mund të themi se është pasqyrim i Ungjillit.

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike romake kremton natën e festës së Zojës Rruzare, një festë e popullit të Zotit, themeluar nga shën Piu V,  Papë për të përkujtuar fitoren e kombeve të krishtera në vitin 1571 në Lepanto kundër flotës turko-islame. Rruzarja është lidhje shpirtërore me Marinë për të mbetur të bashkuar me Jezusin, për t’u mishëruar me Të, për t’i përvetësuar ndjenjat e për t’u sjell si Ai që është sjell. Rruzarja është ‘arma’ shpirtërore në betejën kundër së keqes, kundër dhunës, për paqen në zemra, në familje, në shoqëri e në botë.

Urata e Rruzares Shenjte është përmbledhje e Ungjillit, pasqyrim i mistereve të Jezu Krishtit, Zot e Shpëtimtar. Sonte Kisha katolike kremton natën e festës së Zojës Rruzare e me këtë festë, Kisha, në një farë mënyre, përmbledh të gjitha solemnitetet e vitit kushtuar Virgjërës Mari. Urata e lashtë e Rruzares Shenjte të cilën Kisha na porosit ta lusim Zotin çdo ditë për të mirën tonë shpirtërore e të mbarë njerëzimit, na ndihmon të njihemi gjithnjë e më mirë dhe nga afër me jetën e veprën shpëtimprurëse të Jezu Krishtit. Pra duke lutur uratën e Rruzares Shenjte ne përshkojmë së bashku me Zojën e Bekuar misteret e fesë së krishterë, misteret e Krishtit Zot. Rruzarja, mund të themi se është pasqyrim i Ungjillit.

Nuk mundë të meditojmë mbi Krishtin, pa e ndie në shpirt zërin e Atit Qiellor, sepse “askush nuk e njeh Birin përpos Atit (Mt 11, 27). Krishti kur i pyet apostujt mbi identitetin e tij, pas përgjigjes së Pjetrit thotë: “As mishi as gjaku nuk ta zbuluan këtë por Ati im që është në qiell”(Mt 16, 17). Pra, është e nevojshme shpallja prej së larti, ndërsa për ta pranuar është i nevojshëm dëgjimi. Përmes përvojës së heshtjes dhe të lutjes arrihet pjekuria e nevojshme e dijes mbi këtë fshehtësi feje.

Në lutjen e Rruzares flitet mbi disa momente të rëndësishme nga jeta e vepra e Jezu Krishtit, edhe atë që nga fillimi i misionit të tij. Duke lutur Rruzaren e shenjtë, ne meditojmë mbi mishërimin dhe jetën fëmijërore të Krishtit, për çka flasin shenjat e gëzimit, pastaj mbi mundimet dhe vdekjen e tij, për çka flasin shenjat e mundimit, pastaj për Ngjalljen triumfale të Krishtit, për çka flasin shenjat e lumturisë, së fundi përmes Rruzare meditojmë edhe mbi disa momente nga jeta publike e Krishtit, për çka na flasin shenjat e dritës.

Shenjat e gëzimit
Cikli i parë është i karakterizuar me gëzimin për ngjarjen e Mishërimit të Birit të Zotit, Jezu Krishtit. Përshëndetja e Engjëllit Gabriel drejtuar Virgjrës Mari në Nazaret është përshëndetje që shpreh gëzimin mesianik: “Gëzohu o Mari”; në takimin e Marisë me Elizabetën prapë shprehet gëzimi: “Prej gëzimit i kërceu foshnja në kraharor (Lk 1, 44). Pastaj lindja e Jezusit e shpallur prej engjëjve si “gëzim i madh” (Lk 2, 10). Dy shenjat e fundit, paraqitja në tempull dhe gjetja e Krishtit 12-vjeçar në tempull, sa janë momente gëzimi aq janë edhe momente dramatike. Simoni plak profetizon se një shpatë do t`ia shporojë zemrën Zojës, ndërsa Krishti 12-vjeçar në tempull dëgjon, diskuton me dijetarët, në të vërtetë ai përgatitet që me dijeninë hyjnore të mësoj të tjerët.

Shenjat e dritës
Prej jetës fëmijërore të Krishtit në Nazaret arrijmë te jeta publike e tij, apo te shenjat që mundë të quhen “shenjat e dritës”. Ai është “Drita e botës” (Gjn 8, 12). Papa zgjedhë këtu momente interesante nga jeta e Krishtit dhe i`a paraqet bashkësisë së krishterë për meditim. Këto janë: 1. Pagëzimi në Jordan (Ati e shpall Jezu Krishtin “Biri im i dashur” (Mt 3, 17); 2. Dëftimi në dasmë në Kanë ( Me intervenimin e Marisë Krishti shndërron ujin në verë dhe të pranishmit aftësohen që të besojnë (Gjn 2, 1-12); 3. Shpallja e Mbretërisë së Hyjit dhe thirrja në kthim (Mk 1, 15), (bëhet fjalë për faljen e mëkateve për të gjithë ata që me fe e pranojnë Krishtin (Mk 2, 3-13; Lk 7, 47-48); 4. Shndërrimi i Krishtit ( Shenjë e dritës shndërrimi i Krishtit para apostujve në malin Tabor. Zoti i porositë apostujt që t`i mbesin besnik Krishtit edhe në momente të vështira (Lk 9, 35); dhe në fund, 5. Themelimi i Eukaristisë (shenjë drite dhe shprehje sakramentale e misterit të pashkëve, sepse, përmes Eukaristisë, Krishti na shndritë duke na ushqyer me Korpin dhe Gjakun e vet. Kështu Ai “deri në fund” e shpreh dashurinë e tij ndaj nesh (Gjn 13, 1).

Shenjat e mundimit
Në botën e krishterë gjithmonë janë të pranishme vepra të mëshirshme, përkushti të ndryshme që vijnë në shprehje sidomos gjatë kohës së Kreshmëve, sidomos përmes Udhës së Kryqes, gjatë së cilës meditojmë mbi shenjat e mundimit. Krishti në kopsht të Gjetsemanit ndodhet para gjitha tundimeve dhe mëkateve të njerëzimit për t`i thënë Atit: “U bëftë jo vullnesa ime, por vullnesa jote” (Lk 22, 42). U dorëzohet njerëzve, të cilat e rrahin dhe e mundojnë. Ngjitja e tij në Kalvar me kurorë ferrash në krye, kryqëzimi dhe vdekja e tij në Kryq bëjnë që për Krishtin të thuhet: Ecce homo - Ja njeriu! Kush don ta njohë njeriun, duhet ta ketë të çartë se ai na ka dashur, edhe atë mu deri në Kryq (Fil 2, 8).

Shenjat e lumturisë
Meditimi mbi Krishtin nuk guxon të ndalet te fakti se Ai është kryqëzuar, për arsye se edhe më me rëndësi është se Ai është Ringjallur. Përmes meditimit mbi Ringjalljen e tij më mirë e zbulojmë arsyen e fesë sonë. “Sikur Krishti të mos ishte ngjallur i kotë është predikimi ynë - i kotë besimi juaj” shkruan shën Pali ( 1 Kor 15, 14). Në qendrën e këtyre shenjave, pas Ringjalljes dhe Ngritjes në qiell është ardhja e Shpirtit Shenjt Ditën e Rrëshajëve. Apostujt e bashkuar dhe me ta Maria, me fuqinë e Shpirtit të Zotit janë të gatshëm për misionin e ungjillëzimit. Shenja e katërt dhe e pestë, Ngritja e Zojës në qiell dhe kurorëzimi i saj Mbretëreshë e Engjëjve dhe e Shenjtërve, janë si elemente të cilat na bëjnë të kuptojmë se si pjesëtarë të Popullit të Zotit, jemi shtegtarë në histori dhe presim bashkimin në lavdi me Atin qiellor.

Festa e Zojës Rruzare na frymëzon edhe këtë lutje të  bukur:

“O Mari, Ti që vë ndër duart tona Rruzaren shenjte, na mëso që, duke e thënë këtë uratë të bukur të ulur në shkollën tënde, bëhemi kundrues të vërtetë të Krishtit Shëlbues”.

06 tetor 2020, 14:21