Nunzio Apostolico in Albania Mons Charles John Brown3aem.jpg

Imzot Charles John Brown merr “Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike”

Para se të niset për në nunciaturën apostolike të Filipineve, ku Papa Françesku e ka emëruar më 28 shtator, nunci apostolik në Shqipëri, imzot Charles John Brown mori dje nga kryeministri Edi Rama, “Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike” . Në ceremoni, të pranishëm krerët e të gjitha feve.

R.SH. - Vatikan

Dje, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i dorëzoi nuncit apostolik, Charles John Brown, “Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike”. Kujtojmë se Papa Françesku e ka emëruar nuncin, që shërben prej 3 vitesh në Shqipëri, në nunciaturën apostolike të Filipineve, për ku do të niset së shpejti.

Kryeministri falenderoi imzot Brown për punën e tij në vend, duke shprehur besimin se në të ardhmen, nunci nuk do ta harrojë Shqipërinë e do të kthehet sërish. Vetë imzot Brown vuri në dukje se vendi i shqipeve ka qenë zbulim i këndshëm për të. Jo vetëm për bukuritë natyrore, por sidomos, për popullin e admirueshëm, me histori unike.

Pak biografi

Kryeipeshkvi Charles John Brown u lind më 13 tetor 1959 dhe u shugurua meshtar në kryedioqezën e Nju Jorkut më 13 maj 1989. Para se të vinte në Romë, shërbeu si zv.famullitar i kishës së Shën Brendanit në Bronx. Në shtator 2009, u emërua ndihmës sekretar i Komisionit Ndërkombëtar Teologjik, i cili ndihmon Selinë e Shenjtë, kryesisht Kongregatën për Doktrinën e Fesë, në shqyrtimin e çështjeve doktrinore me rëndësi.

Më 26 nëntor 2011, Papa Benedikti XVI e emëroi nunc apostolik në Irlandë, duke e ngritur atë në dinjitetin e kryeipeshkvit. Papa Benedikti e shuguroi ipeshkëv në Festën e Epifanisë, më 6 janar 2012. Ndërkaq, Papa Françesku e emëroi imzot Charles John Brown nunc apostolik në Shqipëri, më 9 mars 2017. Në pritje të emërimit të nuncit të ri, është për t’u vënë në dukje se ambasada e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë nuk ka prej vitesh një ambasador të emëruar me atë detyrë.

13 tetor 2020, 11:49