2020.10.04 parabola della vigna National Library of the Netherlands 1450 2020.10.04 parabola della vigna National Library of the Netherlands 1450 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 27-të ‘A’

Në shëmbëlltyrën e vreshtit, Jezusi vënë në pah durimin e zemërgjerësinë e Zotit që përkujdeset per vreshtin e vet, dhe plotë durim, pret frytet e saj të besnikërisë e të veprave të mira, por edhe mbrapshtinë e vreshtarëve që, nuk i njohin e nuk i pranojnë të drejtat e Pronarit, duke refuzuar e vrarë të dërguarit e madje edhe djalin e tij. Jezusi na mëson se dhuratat që fitojmë, duhet të japin fryte. Ne jemi vreshta e Zotit,

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 27-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 27-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Ungjilli i kёsaj sё diele na flet për një pronar toke, që ua dha me qira vreshtin fshatarëve, të cilët nuk deshën t’i jepnin të vjelat, duke i vrarë si shërbëtorët, ashtu edhe djalin, që e çoi për të marrë ç’i takonte. Është histori, që na përket edhe ne, e cila vë në pah besëlidhjen e Zotit me njerëzimin, që vlen edhe sot. Është histori dashurie, e por si e tillë, ka çaste pozitive e negative, tradhti e refuzime.

Pyetja përfundimtare e shëmbëlltyrës: “Kur do të vijë pra, pronari i vreshtit, çfarë do t’u bëjë fshatarëve?”, nënvizon se zhgënjimi i Zotit për sjelljen e poshtër të njerëzve nuk është fjala e fundit. Kjo është risia e madhe e krishterimit: një Zot, i cili, megjithëse zhgënjehet nga gabimet e mëkatet tona, nuk e ha fjalën, nuk ndalet e sidomos, nuk hakmerret! Zoti do, nuk hakmerret, na pret për të na falur, për të na përqafuar. Zoti është i mëshirshëm, por dëshiron të shohë frytet e mëshirës së Tij.

Prandaj, kush është thirrur për të punuar në vreshtin e Zotit. ka përgjegjësi të madhe. Zoti ka planin e tij për njeriun, por shpesh përgjigjja e njeriut është mosrespektimi i këtij plani. Kёtё na kujton shëmbëlltyra. e Ungjillit të kёsaj sё diele, e vreshtarëve, që nuk i qëndruan besnikë të zotit të vreshtës, për t’u bërë thirrje më pas besimtarëve të jenë të bashkuar me Krishtin, si dega me hardhinë.

“Juve do t’iu hiqet Mbretëria e Zotit dhe do t’i jepet një populli, që prodhon fryte”: ky qortimi i Jezusit, nё Ungjill, për krerët e meshtarëve, që kishin përgjegjësi të madhe, pikërisht se ishin thirrur të punonin në vreshtin e Zotit, si autoritete. Kjo vëmendje vlen edhe pёr meshtarët e sotëm, të cilët kanë përgjegjësi para Zotit për mënyrën si e udhëheqin popullin e Tij në rrugët e jetës së krishterë, pas gjurmëve të Krishtit. Jezusi është guri, që ndërtuesit e hodhën, pasi e gjykuan armik të ligjit e të rrezikshëm për rendin publik. Por Ai vetë, i refuzuar e i kryqëzuar, u ringjall, duke u bërë ‘guri i këndit’ mbi të cilin mund të mbështeten me siguri absolute themelet e çdo ekzistence njerëzore dhe ato të botës mbarë.

Ja pra, se për cilën të vërtetë flet shëmbëlltyra ungjillore: pronari i vreshtit përfaqëson vetë Zotin, ndërsa vreshti simbolizon popullin e Tij dhe jetën, që Hyji na e jep për të bërë të mira. Zoti e ka një plan për miqtë e vet, por fatkeqësisht, përgjigjja e njeriut orientohet drejt mosbesnikërisë, që kthehet në refuzim. Krenaria dhe egoizmi na pengojnë ta njohim e ta pranojmë edhe dhuratën më të çmuar të Zotit: Birin e tij të vetëm.

Zoti dorëzohet në duart tona, pranon të bëhet mister i papërshkueshëm i dobësisë dhe e shfaq gjithë pushtetin e vet në besnikërinë ndaj planit të dashurisë, i cili, në fund, parashikon edhe dënimin e drejtë për të këqijtë. Kisha u bën thirrje besimtarëve të sotëm qё të jenё tё patundur në fenë e tyre tё rrënjosur në gurin e këndit, që është Krishti, të jenё kurdoherë të lidhur me Të, ashtu si dega, si shermendët, që nuk mund të sjellë fryte, nëse nuk janё tё lidhura me hardhinë. Mos tё harrojmё se, nё Ungjill, hardhia e shermendët shprehin lidhjen e Zotit me popullin e vet. Pra, vetëm në Jezu Krishtin, për Të dhe me Të ndërtohet jeta shpirtërore, Kisha, popull i Besëlidhjes së Re. Të jesh i krishterë do të thotë të shartohesh me Krishtin dhe me Të, të prodhosh fryte, që i pëlqejnë Atit Qiellor.

                                                            Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë (Is 5, 1-7)
Vreshti i Zotit të Ushtrive është shtëpia e Izraelit.

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Do t’ia këndoj të dashurit tim këngën e mikut tim mbi vreshtin e tij. Miku im kishte vreshtin në një kodër të pëlleshme. E rrëmihi, ia qëroi gurët, e mbëltoi me hardhi të zgjedhura, në midis të tij e ndërtoi kullën, në të punoi edhe shtrydhësin.
Priste se do t’i bënte rrush, por ai i bëri vetëm larushk. Tash, banorë të Jerusalemit e ju burrat e Judesë, ndajeni këtë pleqëri mes meje e vreshtit tim. Ç’u desh tjetër të bëja për vreshtin tim e që s’e paskam bërë? Shpresoja se do të më jepte rrush, përse më dha vetëm larushk? Juve tash po ju dëftoj ç’do t’i bëj unë vreshtit tim: do ta shthur gardhin e tij, që ta shkretojnë e ta bëjnë djerrinë do t’i rrëzoj ledhet e tij që ta shkelin mirë e mirë. Le të bëhet krejt i shkretë mos të kihet as mos të mihet, le ta mbulojnë halluga e ferra; reve do t’u urdhëroj një pikë shi mbi të të mos lëshojnë.
Vreshti i Zotit të Ushtrive është shtëpia e Izraelit, fidanët e zgjedhur të tij janë banorët e Judesë. Prita të ushtrojnë virtytet, kur qe, vetëm paudhësi; drejtësinë prita, ja ofshamat! Fjala e Zotit.

Psalmi 80 (79)
Ref: Vreshti i Zotit është populli i tij

____________________________
Vreshtin nga Egjipti e nxore
e, për ta mbjellë atë, paganët i dëbove;
pinjollët e tij arritën deri në det,
shermendet i qiti deri në lumë.
_____________________________
Gardhin pse ia theve
që ta vjelë çdo kalimtar?
E dëmtoi derri i egër,
e kulloti çdo egërsirë.
_____________________________
Kthehu, Hyji i ushtrive,
shikoje nga qielli e shihe,
eja, shihe këtë vresht,
dili zot se ti vetë e mbolle:
djalit që për vete e rrite.
_____________________________
Kurrë më nuk do të largohemi prej teje:
na përtërij e do ta thërrasim emrin tënd.
O Zot, Hyji i ushtrive, deh ti, na përtërij,
kthjelle fytyrën tënde e na shpëto!
_____________________________

Leximi i dytë (Fil 4, 6-9)
Hyji që jep paqen, do të jetë me ju.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

Vëllezër, për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka - me lutje dhe me urata të përcjella me falënderim - paraqitjani Hyjit nevojat tuaja! Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlefshme se mund ta mendojmë, do t’i ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus.
Së fundi, o vëllezër, mundohuni të keni për zemër gjithçka është e vërtetë, gjithçka është e ndershme, gjithçka është e drejtë, gjithçka është e pastër, gjithçka është e shenjtë, gjithçka është e denjë për dashuri, gjithçka është e denjë për lavdi, gjithçka është virtyt. Çka keni mësuar, çka keni marrë, çka keni dëgjuar dhe parë në mua - atë bëni - dhe Hyji që jep paqen do të jetë me ju. Fjala e Zotit.

Ungjilli (Mt 21, 33-43)
Vreshtin e vet do t’ua japë vreshtarëve tjerë.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha kryepriftërinjve, kryetarëve dhe pleqve të popullit: “Dëgjoni shëmbëlltyrën tjetër: Ishte një zotshtëpie që kishte mbjellë një vresht. E thuri me gardh, punoi shtrydhësin e rrushit, ndërtoi kullën, ua dha vreshtarëve ta punojnë për gjysmë dhe shkoi në vend të huaj.
Kur u afrua koha e të vjelave, dërgoi te vreshtarët shërbëtorët e vet për të marrë frytin që i takonte. Vreshtarët i kapën shërbëtorët: njërin e rrahën, një tjetër e mbytën e një tjetër e vranë me gurë. Prapë dërgoi shërbëtorë tjerë, më shumë se të parët, porse edhe atyre ua bënë ashtu.
Në fund dërgoi të birin duke menduar: ‘Do të kenë nderim ndaj djalit tim!’ Porse vreshtarët, kur e panë djalin i thanë njëri-tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim dhe neve do të na mbesë pasuria e tij.’ E kapën, e qitën jashtë vreshtit dhe e vranë. Tashti, kur të vijë i zoti i vreshtit, çka do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?”
I përgjigjën: “Të këqijtë do t’i zhbijë keqas e vreshtin e vet do t’ua japë vreshtarëve tjerë, të cilët do t’i japin frytin posa të vijë koha e të vjelave.”
Jezusi u tha: “A nuk e lexuat asnjë herë në Shkrimin shenjt: ‘Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit u bë guri i këndit; kjo është vepër e Zotit, se ç’mrekulli në sytë tanë!’
Prandaj po ju them: juve do t’ju hiqet dore Mbretëria e Hyjit e do t’i jepet një populli që i prodhon frytet e saja. Fjala e Zotit!

03 tetor 2020, 14:09