Kërko

2018.12.20 DPC_DG_Vaticano, basilica di san Pietro, statua, santi (22).JPG

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra I e Pjetrit

Fillojmë sot reflektimin mbi Letrën I të Pjetrit. Kur flasim për Pjetrin, mendojmë për rrjetat e peshkimit, mjekrrën e gjatë, duart e plasaritura, shprehjen e vendosur, fjalët e sigurta. Ndoshta, edhe tepër të sigurta! Por, ndërmjet burgut, kërcënimeve, ikjeve, “quo vadis” e atij martirizimi me kokë poshtë, peshkatari ka mundësinë të dëshmojë se Jezusi nuk gabohej, se ai ishte shkëmbi mbi të cilin mund të ngrihej Kisha e Krishtit. Bazohemi gjithnjë në librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Simon do të thotë “ai, që dëgjon”, Pjetër do të thotë “gur, shkëmb” e biri i Jonës do të thotë “pëllumb”. Në emrin e Shën Pjetrit ishte i shkruar sekreti i tij: njeri i ashpër e i fortë si shkëmbi, por i gatshëm të dëgjonte. I pafajshëm si pëllumbi, kokëfortë si Jona profet.

          Për të dashur e vlerësuar shën Palin duhen vite, ndërsa për t’u ndierë miq të Pjetrit mjaftojnë vetëm pak çaste. Është peshkatari i Betsaidës, që një ditë vere, ndërsa rregullonte rrjetat, kryqëzon vështrimin me atë të zdrukthëtarit të Nazaretit. Është papa i parë, që s’e dinte se ishte i tillë e që, me urtinë e tij, mbante të bashkuar “bandën e galileasve”.

          Nga Veprat e Apostujve e dimë se ishte pikërisht ai, që e mbështeti kumtin e parë të krishterë me një ndershmëri e me një forcë të panjohura më parë. Se në vitin 42, ai ndodhej në Jeruzalem, ku burgoset nga Agripa mbret, pasi ky i fundit i kishte prerë kokën apostullit tjetër, Jakobit. Një hap larg vdekjes, Pjetri shpëtohet mrekullisht e ikën drejt Antiokisë, ku qëndron për shumë vite.

          Në vitin 50 kthehet në Jeruzalem për të diskutuar me apostujt e tjerë problemin e paraqitur nga Shën Pali pikërisht para tij, në Antioki. Ç’histori ajo e Pjetrit dhe e Palit! Nga koha kur njëri ikte prej tjetrit, në atë kur persekutuesi gjunjëzohet para viktimës së vet, duke i kërkuar falje. Por, ky gjunjëzim zgjat pak, sepse shën Pali do të arrijë deri ta quajë hipokrit shën Pjetrin, për shkak të qëndrimit të tij ndaj paganëve. Do të duhej një dukje hyjnore para centurionit romak Korneli, një ëndërr paralajmëruese dhe një koncil për të kuptuar se Pali kishte të drejtë dhe se Ungjilli duhej t’u predikohej edhe të parrethprerëve!

          E kështu, të dy takohen në Romë e të dy përfundojnë në një burg, që Plini i Vjetri e përshkruan kështu: “Ka një vend në burg, që quhet Tulliano, pak nga e majta në të ngjitur, duke u ulur pastaj thellë rreth 12 këmbë nën tokë. Ai rrethohet nga mure të trasha, ndërsa sipër, nga një tavan i përbërë nga një qemer prej guri: pamja e tij është e neveritshme dhe e frikshme, për shkak të braktisjes, errësirës dhe erës së keqe”.

          Në këtë errësirë me erë të keqe, pak metra larg Forit dhe togave të panjolla të senatorëve romakë, shën Pjetri e shën Pali do të përfundonin ditët e tyre në këtë botë, njëri i kryqëzuar në “Ager Vaticanus” (një lloj fushe që përmbytej shpesh në të djathtë të lumit Tiber, ndërmjet Gianicolo, Colle Vaticano dhe Monte Mario) e tjetri me kokë të prerë në “Aquae Salviae” (ku ndodhet Abacia aktuale Tre Fontane).

          Ka shumë gjasa të jetë viti 67, vit i tmerrshëm për Kishën e Romës: 3 vite më parë, Neroni perandor ua kishte veshur të krishterëve përgjegjësinë për zjarrin, që i pati vënë qytetit e shumë i besuan, sepse feja e re e ardhur nga lindja, ashtu siç paraqitej, duhej urryer vërtet. Të krishterët akuzoheshin se nuk adhuronin perandorin, nuk kishin tempuj, nuk kishin idhuj, praktikonin kanibalizmin dhe incestin. Konsideroheshin sekt, që fliste për një të kryqëzuar të rinngjallur, i cili u ishte dukur ca peshkatarëve galileas, disa grave që s’dihej kush ishin e një fariseu të ekzaltuar e të kthyer në fenë e krishterë…

          Shën Pjetri ishte kreu i kësaj bande në Romë, ku banonin njerëz racionalë e të arsyeshëm si Seneka, prandaj, duheshin shpjeguar mirë arsyet e fesë së krishterë. E ja që dy Letrat e Shën Pjetrit janë me rëndësi themelore për të kuptuar fenë e vetë apostullit në pjekurinë e tij, por edhe gjendjen e Kishës në kohën e persekutimit të parë të madh perandorak. Pjetri ndihmohet në shkrimin e Letrave të tij nga Silvani apo Sila, siç e quanin shumë vetë. Ai realizon një vepër me një gjuhë tejet të përpunuar, me të cilën arrin të bashkojë atë ç’i thotë apostulli me pjesë të marra nga këshillat për katekumenët, që ishin pagëzuar. Por më hollësisht për përmbajtjen e Letrave, do të fillojmë t’ju flasim në emisionin e ardhshëm.

08 tetor 2020, 08:15