Kërko

Petersdom-Petersplatz-3.jpg

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra I e Pjetrit, enciklika e parë papnore

Në emisionin e sotëm, vijojmë të komentojmë Letrën I të Pjetrit, pasi javën e kaluar sqaruam cili ishte njeriu, që Jezu Krishti e zgjodhi si shkëmbin, mbi të cilin do të ndërtonte Kishën e tij. Bazohemi gjithnjë në librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Pas një përshëndetjeje të shkurtër, por tejet të ndierë, Letra hapet me një bekim, që të sjell ndërmend Letrat më solemne të Shën Palit drejtuar Efesianëve dhe Kolosianëve. Pastaj, shpjegohet menjëherë pikënisja, arsyeja e Letrës:

“Këndej gëzohuni edhe pse, në qoftë se duhet, për pak kohë jeni të trishtuar për shkak të provave të ndryshme, që feja juaj e sprovuar - shumë më e çmueshme se ari i shkatërrueshëm, që edhe ai sprovohet në zjarr - të fitojë lëvdatë, nder dhe lavdi në ditën e Zbulesës së Jezu Krishtit” (1 Pjt 1,6-7).

 Në Letër gjejmë një herë fjalën “flakë”, një herë tjetër fjalën “zjarr”, një herë “persekutim” dhe për shtatë herë fjalën “vuajtje”.

 Nga njëra anë, Letra i referohet vazhdimisht gjendjes, që “po përflaket”,nga ana tjetër, teologjia e saj përqendrohet në misterin e vuajtjes së Krishtit dhe të të krishterëve. Le të marrim, për shembull, këtë frazë:

“Për këtë shëlbim kanë vëzhguar dhe kanë shqyrtuar profetët, të cilët e paralajmëronin hirin e caktuar për ju. Shqyrtonin cila ishte koha dhe rrethanat, që shënonte Shpirti i Krishtit që ishte në ta, kur paralajmëronte mundimet që do t’i vuante Krishti dhe lavditë që do të vinin pas mundimeve” (1 Pjt 1,10-11).

 Problemi duket se ishte ai i vuajtjeve të të krishterëve e shën Pjetri, pasi shpjegon se ato shërbejnë për të provuar vlerën e fesë, përpiqet t’i përgjigjet një pyetjeje teologjike, e cila, duke filluar nga tregimi i dishepujve të Emausit, përshkon krejt Besëlidhjen e Re: ku shkruhet që Mesia duhej të vuante?

Shën Pjetri përdor shprehjen “gjaku i paçmuar”, që nuk shihet në asnjë pjesë tjetër të Besëlidhjes së Re. Figura e Qengjit, të cilën e gjejmë edhe këtu, është qendrore në teologjinë e shën Gjonit, por ajo e “gjakut të paçmuar” është diçka e re, që bashkësia e parë e krishterë e përdor në prag të persekutimit të saj të parë të madh:

“Dinie mirë: nuk keni qenë shpërblyer nga mënyra e zbrazët e jetës suaj të trashëguar nga etërit me ndonjë send të shkatërrueshëm - argjend apo ar, por me gjak të paçmueshëm të Krishtit, Qengjit të patëmetë e të panjollë” (1 Pjet 1,18-19).

 Figura e çmimit të shëlbimit, së bashku me atë të gjakut, do të ketë më vonë një zhvillim të madh teologjik, ashtu si shprehjet e tjera, që përmban Letra: shpëtimi i shpirtrave, që paraqitet si qëllimi i vetë fesë; shenjtërimi i shpirtave, përmes Fjalës, e cila mbillet në zemrën e besimtarit dhe e përtërin atë.

 Në një farë mënyre, nuk është aq e lehtë të shpjegohet pse këto shprehje janë bërë kaq qendrore në doktrinën katolike, nëse nuk e kuptojmë se, në të vërtetë, gjendemi para enciklikës së parë papnore!

 Në fillim të kapitullit II ndeshemi me himnin, që është qendra e Letrës. Shumë është shkruar për këtë himn pagëzimi, që u këndohej të sapopagëzuarve, të cilët konsideroheshin të rilindur në fenë e krishterë.

“Afrohuni Atij - Gurit të gjallë, njëmend të përbuzur prej njerëzve, por të zgjedhur dhe të çmueshëm para Hyjit, që edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni Shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë për të kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin” (1 Pjet 2,4-5).

 Kush e di nëse Pjetri përdor edhe ironinë e hollë, kur shkruan këtë himn, që është sinteza e fesë së tij e në të cilin, përdor fjalën “gur” për të shprehur misterin e rilindjes së krishterë… Ndoshta, duke menduar për gurët larg tempullit të Jeruzalemit, ose për ato pranë Forumit Romak, shën Pjetri dëshmon se Jezu Krishti është guri i gjallë: besimi në Të lind një bashkim, që asgjë s’mund as ta gërvishtë ndopak, as shpata e përgjakur e persekutimit. Por për fatin e “gurëve të gjallë” të bashkësisë së parë të krishterë do të vijojmë të flasim në emisionin e ardhshëm.

15 tetor 2020, 08:58