Kërko

Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra e Jakobit, bashkësia

Vazhdojmë të reflektojmë mbi Letrën e Jakobit, mbi kapitullin e tretë e të katërt të saj, ku trajtohet çështja e bashkësisë së krishterë. Ashtu si sot Papa Françesku, edhe Jakobi mendonte se përmes një organi të vogël të trupit, siç është gjuha, mund të ndotet i gjithë trupi, siç ndodh me ujin e njelmët, ose me zjarrin, që djeg gjithçka. Bazohemi gjithnjë në librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Metaforat e përdorura janë mjaft të ashpra e nuk lejojnë diskutime. Jakobi nuk është mësues i butë e kur përshkruan bashkësinë, është tejet i athët:

“Dëshironi e nuk keni; vritni e keni smirë, dhe gjë nuk fitoni; griheni e luftoni. Nuk keni pse nuk luteni. Luteni e nuk fitoni, pse luteni keq që t’i shpenzoni në plotësimin e ëndjeve tuaja. Njerëz të pabesë! A nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Hyjin?” (Jak 4,2-4)

Anatema profetike janë ato që Jakobi hedh kundër besimtarëve, fajtorë, sepse përflasin dhe gjykojnë vëllezërit. Atyre u urdhëron të ofshajnë, të vajtojnë, të pendohen, të mbajnë zi për veten e të përulen para Zotit. Duke lexuar këto fjalë, mund të imagjinohet Jakobi, njeri pa frikë, me vështrim të pathyeshëm prej të drejti, siç na e tregon Egesipi: “Nuk piu kurrë verë, ose ndonjë pije të fortë, as hëngri kurrë mish. Gërshërët nuk ia prekën kurrë kryet, as u lye me vaj a bëri banjë. Gjunjët iu bënë gunga, si ato të deveve”.

 Por nuk Jakobi mjaftohet me kaq, pasi në fund të Letrës gjejmë një furi të paparë kundër të pasurve, sa bën të dridhen duar e… llogari bankare! Si të ishte ndonjë boksier, Jakobi e mbërthen në qoshen e ringut arrogancën e të pasurve, me një stuhi grushtash, forca e të cilëve nuk ka të dytë në Besëlidhjen e Re:

“Tani ju, o pasanikë! Qani dhe vajtoni për të këqijat që do të vijnë mbi ju! Pasuria juaj u kalb dhe petkat tuaja i brejti tenja. Ari dhe argjendi juaj u ndryshk dhe ndryshku i tyre do të bëhet dëshmi kundër jush dhe do ta hajë trupin tuaj porsi zjarri!” (Jak 5,1-3)

Të duket sikur dëgjon Amosin profet dhe parashikimet e tij kundër atyre, që e shisnin të varfërin për një palë sandale! Askush në Besëlidhjen e Re nuk është kaq besnik ndaj Jezu Krishtit, që një ditë pati thirrur:

“Vaj për ju, o pasanikë, sepse e keni ngushëllimin tuaj! Vaj për ju që tani jeni të ngopur, sepse do të pësoni uri! Vaj për ju që tani qesheni, sepse do të vajtoni e do të qani! Vaj për ju, kur të gjithë njerëzit do t’ju lëvdojnë” (Lk 6,24-26)

Teologjia ka rrezik që nganjëherë, të shqetësohet më shumë për të vërtetat e doktrinës sesa për zbatimin e drejtësisë. Një rrezik, të cilit i nënshtrohet edhe Besëlidhja e Re kur, ndërsa përpiqet të kuptojë misterin e Krishtit, harron disi fatin e krishtëve të varfër!

Prandaj, Letra e Jakobit është më e rëndësishme nga sa mund të mendohet. Shpesh, përmendet e përdoret vetëm për një frazë të kapitullit të pestë, që përbën, praktikisht, themelin teologjik të sakramentit të vojimit të të sëmurëve:

“Është ndokush ndër ju i sëmurë? Le t’i thërrasë udhëheqësit e Kishës! Ata le të luten mbi të duke e lyer me vaj në emër të Zotit dhe urata e fesë do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta ripërtërijë e, në qoftë se ka bërë mëkate, do t’i falen” (Jak 5,14-15).

Vlera vërtet të madhe e Letrës del qartë edhe në fund të saj. Jakobi i fton besimtarët t’i rrëfejnë mëkatet njëri-tjetrit, sepse kështu mund të marrin një këshillë e të korrigjohen, duke u kthyer në udhën e Zotit. Kjo praktikë u zëvendësua më pas nga rrëfimi sakramentor, por akoma është e mundur, siç dëshmojnë grupet e ndryshme neokatekumenale. Ndërmjetësimi sakramentor i rrëfimit është thelbësor, por jo më pak edhe rrëfimi vëllazëror i mëkateve, mundësi që Jakobi e këshillon, duke e ditur se kush sjell në udhë të drejtë një mëkatar, e shpëton shpirtin e tij nga vdekja e amshuar dhe bën të zhduken një mori mëkatesh. Pikërisht më këto fjalë përfundon Letra e Jakobit, unike në llojin e vet, që meriton të lexohet disa herë për t’ia kuptuar e vlerësuar me të vërtetë frymëzimin e thellë ungjillor.

01 tetor 2020, 08:13