Kërko

Vatican News

Carlo Acutis: një gjeni i informatikës shpallet i Lum

U shpall i lum Carlo Acutis, adoleshenti italian që pati një vështrim të veçantë ungjillor mbi botën dixhitale. Me shpresën që një ditë të bëhet pajtor i internetit.

R.SH. - Vatikan

Sot, në Asizi të Italisë, në orën 16.30, u kremtua mesha për lumnimin e të riut italian, Carlo Acutis, kryesuar nga kardinali Agostino Vallini, Legat Papnor për Bazilikat e Shën Françeskut dhe të Shën Marisë së Engjëjve. Riti ishte parashikuar për 20 qershorin e kaluar, por u shty, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Për mënyrën si e kaloi jetën e si e përdori botën dixhitale, adoleshenti, që vdiq nga leuçemia në moshën 15-vjeçare, në vitin 2006, konsiderohet nga shumë vetë si Pajtor i internetit. Por, pak janë ata, që e dinë si lindi ky propozim, që, natyrisht, mund të konkretizohet vetëm pas shpalljes shenjt i Kishës.

Gjithçka filloi në vitin 2016, në Filmotekën e Vatikanit, në kuadrin e paraqitjes së biografisë së të riut, shkruar nga Nicola Gori, postulatori i çështjes së tij të lumnimit. Libri është publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit me titull “Një gjeni i informatikës në qiell” e, kujton pasionin, që kishte Carlo për teknologjitë e reja.

Kumtues i Ungjillit në web

Ndërmjet folësve ishte edhe imzot Dario Edoardo Viganò, zv.kancelar i Akademisë Papnore të Shkencave dhe i Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, i cili shkruan parathënien e librit. Në çastin kur po shpjegonte para dëgjuesve, siç tregon vetë, i lindi ideja ta propozonte Carlo Acutis si pajtorin e Internetit. Edhe Papa Françesku e kujton adoleshentin në Nxitjen e tij apostolike për të rinjtë “Christus Vivit”, duke e dhënë si shembull.

Dhuratë, në shërbim të së mirës

Carlo dha kontributin e tij për përhapjen e Ungjillit, duke përdorur teknologjitë e reja. Pati realizuar një ekspozitë mbi mrekullitë eukaristike, e cila vazhdon të udhëtojë nëpër botë e, në këtë periudhë, mund të shihet edhe në Asizi, ku prehet në amshim 15-vjeçari. I lumi i ardhshëm ishte që fëmijë i interesuar për internetin. Nëna e tij, Antonia Salzano, pohon se i biri luante, duke u hequr si shkencëtar informaticien, realizonte video dhe montazhe me telekamerën e tij dhe i ruante revistat, duke përdorur programe të veçanta në kompiuter. Gradualisht, filloi të studionte manuale të specializuara, që përdoren në fakultetet e inxhinierisë informatike.

E, në këtë mënyrë, si autodidakt, arriti të bëhej programator gjithnjë e më me përvojë. Ky talent ishte pa dyshim dhuratë. Një dhuratë, që ai e vuri në shërbim të së mirës. Krijoi ekspozitën Mrekullitë Eukaristike, e cila udhëtoi në mijëra famulli në të gjitha kontinentet, duke kthyer në fe shumë njerëz, që nuk e kuptonin dogmën e pranisë së vërtetë të Jezusit në Eukaristi.

Feja e shëndoshë

Talenti i tij informatik u bazua në një fe të shëndoshë, kultivuar që prej së vogli. Kur ishte 7 vjeç mori kungimin e parë, me një leje të veçantë, që tregonte dashurinë e tij për Eukaristinë, të cilën e quante "autostrada ime për Parajsë”. Ishte tejet i përkushtuar ndaj Eukaristisë dhe Zojës së Bekuar, merrte përditë pjesë në meshë dhe thoshte rruzaren. Modelet e tij ishin shenjtorët Francisco dhe Xhaçinta Marto, shën Dominik Savio, shën Luigj Gonzaga dhe shën Tarçizio.     

"Këto - pohon imzot Viganò - janë elemente të një historie, që ta prek zemrën, por mund të drejtojë edhe sytë e shumë djemve dhe vajzave, duke u thënë të gjithëve se është e mundur, edhe sot, ta jetosh përvojën e Ungjillit". Nuk është për t'u çuditur që rreth figurës së Carlo Acutis lindën menjëherë libra e dokumentarë.

10 tetor 2020, 18:14