Arti kishtar në Brazil Arti kishtar në Brazil

Arkitektura kishtare si hapësirë bashkimi në kohën e Covid-19

Të mblidhen ide të reja për planifikimin dhe përdorimin e hapësirave të përbashkëta kishtare në këtë kohë pandemie, në mënyrë që Kisha ta vazhdojë misionin e saj ungjillëzues dhe profetik. Ky është qëllimi i konferencës në internet “Arkitektura Kishtare: Hapësira bashkimi”, organizuar si pjesë e Koinè-së, ekspozitës së 19-të ndërkombëtare të artit kishtar.

R.SH. - Vatikan

Tema e mikpritjes në kompleksin e famullisë, ndërtuar rreth kishës, është në qendër të reflektimeve të Zyrës së Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI) për trashëgiminë kulturore kishtare e ndërtesat fetare dhe të Urdhrit të Arkitektëve Planifikues, Peisazhistë dhe Ruajtës të Viçencës. Është fjala për një konferencë në internet, ku marrin pjesë arkitektë, inxhinierë, antropologë, sociologë, paesazhistë, liturgjistë, teologë e meshtarë. Në plan të parë, edhe aspektet e qëndrueshmërisë e të rezistencës në kohën e Covid-19. Më 27 tetor, mbahet sesioni i dytë për paraqitjen e akteve të Konferencës me temë “Zoti, nuk jeton më këtu?”, që ka të bëjë me çkishërimin dhe me ripërdorimin e kishave, që u zhvillua në Universitetin Gregorian të Romës, shkurtin e kaluar. Si mund të vlerësohet qëndrimi i besimtarëve gjatë muajve të fundit, në lidhje me hapësirat kishtare?

Bashkëpunim për projektet

Në mikrofonin tonë, don Valerio Pennasso, drejtor i zyrës përkatëse të Konferencës Ipeshkvnore të Italisë, thekson: “Distancimi fizik, më tepër se shoqëror, na bën të marrim përsipër përgjegjësinë për pasuritë, që na janë besuar, të cilave duhet t’ua respektojmë destinacionin fillestar, për kultin, për bamirësinë, për takimet dhe për ungjillëzimin”. Pennaso përmend disa projekte, hartuar me bashkëpunimin e besimtarëve, të cilët kanë shprehur kërkesat e tyre, si për shembull, zgjerimin e hapësirave për takime, pikërisht në një periudhë si kjo e koronavirusit, kur vërtet duhet t’i qëndrojmë larg njëri-tjetrit, por duhet edhe të shmangim vetminë e të mbetemi familje kishtare. “Disa oratorë në Lombardi – tregon ai – i kanë promovuar këto nisma, por kështu ka ndodhur edhe në Palermo, në Reggio Calabria, në vende të tjera të Italisë, pasi ndihet nevoja për hapësira më të gjera takimesh”.

Pandemia si përgjegjësi

  “Shihet ndjenja e madhe e përgjegjësisë për veten, por sidomos për të tjerët”: komenton don Valerio dinamikën e flukseve të besimtarëve, që përdorin vendet e kultit gjatë pandemisë. “Në disa raste, frekuentimi është ulur, por në të tjera, vendet janë gjallëruar, ka një vetëdijësim të fuqishëm e shumë vullnetarë mirëpresin besimtarët, u tregojnë ku të ulen, pastrojnë e dezinfektojnë. Shohim gjallërimin e vëmendjes ndaj vendeve të kultit jo vetëm për ruajtjen e shëndetit, por edhe si kontribut i rëndësishëm për të kapërcyer këtë kohë distancimi. Do të thoja se po përjetojmë gati një lloj ringjalljeje, jo ​​gjithçka është zi, megjithëse, nganjëherë,  ka shumë konfuzion e vështirësi për të gjetur rrugët e mundshme. Nuk e ndiejmë atmosferën e dyshimit. Në fund të fundit, s’mund të bëjmë tjetër, veçse të respektojmë rregullat”.

26 tetor 2020, 17:31