PAPA WOJTYLA GPII San Giovanni Paolo II PAPA WOJTYLA GPII San Giovanni Paolo II 

Më 22 tetor, kalendari kishtar përkujton Shën Gjon Palin II

Ndër Papët më të dashur të historisë, Karol Wojtila ka qenë, mund të themi në një mënyrë të veçantë, “Papa i familjes” dhe “Papa i të rinjve”, për të cilët krijoi Ditën e tyre Botërore të Rinisë. Pastaj nuk mund të harrojmë devocionin e madh të Shën Gjon Palit II për Mëshirën Hyjnore.

R.SH. - Vatikan

Më 22 tetor, kalendari kishtar përkujton Papёn Shën Gjon Palin II.  Ndër Papët më të dashur të historisë, Karol Wojtila ka qenë, mund të themi në një mënyrë të veçantë, “Papa i familjes” dhe “Papa i të rinjve”, për të cilët krijoi Ditën e tyre Botërore të Rinisë. Pastaj nuk mund të harrojmë devocionin e madh të Shën Gjon Palit II për Mëshirën Hyjnore. Është Papa i dytë që ka qëndruar më shumë në krye të Kishës Katolike (27 vite) pas Papes Piut IX (32 vite). Gjon Pali II është rritur në Poloni, u bë Papa i parë jo italian pas Papa Adriani VI, që ishte gjerman. 

Vetë emri, që pati zgjedhur si Papë, mbante gjurmën e misionarit të parë të madh, Palit të Tarsit [shën Pali apostull]. Si ai, pati marrë thirrjen e pakthyeshme për t’i hapur dykanatësh dyert e shtëpisë e për ta bërë të ndihej në shtëpi këdo shkelte në të: shtëpia e Zotit të gjallë është e destinuar për familjen e madhe njerëzore. Jo vetëm kaq, por si Apostulli i Popujve, nuk e kurseu veten, duke u bërë gjithçka për të gjithë, që të bëhej pjesëmarrës [në shëlbim] bashkë me ta (shih 1 Kor 9,23).

Kisha katolike e përkujton sot liturgjikisht një person, të cilin e kujtojmë dhe ndjejmë të pranishëm e afër nesh, sepse për sa e sa vite Gjon Pali II qe një inkurajim për besimtarët dhe për Kishën, për të vazhduar ecjen në udhën e shenjtërimit, të besnikërisë, të thirrjes e të misionit të krishterë. Më 22 tetor, në festën e shenjtit, nuk mund të harrohen fjalët e famshme të Papa Shën Gjon Palit II: “Mos keni frikë, hapjani portat Krishtit”. Në një farë mënyre, kjo thirrje projektohet drejt së ardhmes, megjithëse t’u thuash njerëzve të mos kenë frikë për ta kumtuar Krishtin është diçka jo aq e lehtë për kohët e sotme.

Hapjani portat Krishtit”: nuk ishte vetëm një nxitje e guximshme, por vetëdija se nuk mund të kishte Kishë pa ia hapur me të vërtetë Zotit dyert e shtëpisë e, bashkë me Të, edhe gjithë vëllezërve dhe motrave, krijuar në ngjashmëri me Të. Lajm ky, që ia dha menjëherë botës, që nga përurimi i papnisë e nga Enciklika e parë, kushtuar Shëlbuesit të njeriut dhe njeriut, udhë e Kishës.

Ky është funksioni profetik i Kishës e ky është edhe guximi i jashtëzakonshëm që tregoi Gjon Pali II gjatë gjithë papnisë së tij. Kundërshtarët ia ndjenë mirë forcën, por edhe populli i Zotit: ai vendosi Krishtin në qendër të Magjisterit të papnisë së vet, të fjalëve të tij, të mesazhit që i la Kishës. Prandaj, fjalët “mos kini frikë” vërtet, ende sot frymëzojnë shumë e shumë njerëz që të marrin udhë e vendime kundër rrymës, vendime profetike.

 “Mos keni frikë, hapjani portat Krishtit” është shprehja që përmbledh tërë jetën e Karol Wojtilës. E vërtet, “Mos keni frikë” është një fjalë, mund të themi, gati si një testament që Shën Gjon Pali II na ka lënë. Është një fjalë e cila, përsëri sot, na mundëson të jetojmë momentin e tanishëm si një moment në të cilin duhet të dalim e të shkojmë larg, “Duc in altum!”, në thellësi, ta jetojmë, pra, me bujari jetën tonë, të mos mjaftohemi me mediokritetin e realitetit, por të kemi përherë guximin për të bërë zgjedhje e marr vendime të rëndësishme e impenjative, të ndërgjegjshëm se Zoti është me ne e se na ndihmon në udhë tonë të përditshme. Prandaj emri i Shën Gjon Palit II zgjon përherë në zemrat e besimtarëve ndjenja mirënjohjeje, gëzimi e dashurie.

Edhe sot, shumë njerëz në Kishë  e vende të ndryshme të botës, i lutën Zotit, duke ia besuar njerëzimit të Shën Gjon Palit II ndjetet e tyre, shqetësimet, shpresat dhe gëzimet e tyre. E kjo është vërtet detyra e shenjtorëve dhe jeta e Shën Gjon Pali II vazhdon duke i inkurajuar njerëzit në jetën e përditshme, të orientohen drejt masës më të lartë - Zotit. Fjalët që pati thënë Gjon Pali II gati në fund të papnisë, duke e futur Kishën në mijëvjeçarin e tretë – “Duc in altum!”, dilni në det të hapur – vërtet, kanë mbetur në zemrat e njerëzve. Shenjtëria inkurajon, shenjtëria është ngjitëse, shenjtëria tërheq e me gjithë mend mund të ndikojë mbi vendimet konkrete të jetës.

Ishe e mbeti Papa i ditëve tona, sepse kujtimi i tij është gjithnjë i freskët, gjithnjë i gjallë: buzëqeshja, fjalët e tij, qëndrimi i tij atëror, i rreptë, por edhe mirëdashës, i sigurt në fjalë, në doktrinë e në afërsinë me njerëzit, që kishin nevojë për dashuri e mëshirë.

Papa Gjon Pali u shenjtërua së bashkë me Papën Gjoni XXIII më 27 prill 2014 në sheshin Shën Pjetri në Vatikan nga Papa Françesku, i cili më datёn 11 shtator 2014 shtoi festën e Shën Gjon Pali II në Kalendarin e Kishës Katolike. Sipas traditës shenjtërit festohen në datën e lindjes apo të vdekjes, por ajo e Shën Gjon Palit II (22 tetor) festohet në përvjetorin e emërimit Papë.

22 tetor 2020, 09:30