Kërko

Vatican News
2019.02.25 La Croce di Gesù 2019.02.25 La Croce di Gesù 

Më 13 tetor kalendari kujton Shën Teofilin e Antiokisë, ipeshkëv

Shën Teofili: “Biri im, në se i ke sytë e shpirtit të verbër, e nuk je në gjendje t’i shikosh fajet e zakonet e këqija, nuk mund ta shikosh dritën. Si një pasqyrë të kthjelltë, tejet të pastër: ja pikërisht kështu duhet ta ketë njeriu shpirtin”. “Në se pasqyra prishet, njeriu nuk mund ta shikojë më veten në të. Njëlloj, në se njeriu është mëkatar, nuk mund ta kundrojë fytyrën e Zotit”.

R.SH. - Vatikan

Më 13 tetor, Kisha katolike përkujton Shën Teofilin e Antiokisë, ipeshkëv, i cili qe autor i shumë veprave, disa nga të cilat arritën deri në ditët tona, ndërsa disa të tjerave u njihet vetëm titulli. Nga faqet e këtyre veprave, mund të ridëgjojmë fjalën e Shenjtit në mbrojtje të Doktrinës e të Fesë së krishterë, që edhe asokohe ishte objekt akuzash nga ana e të pafeve dhe njerëzve të zhytur në vese.

“Po në se ti më thua – shkruante ipeshkvi i lashtë - ma trego Zotin tënd, unë do të të them: “Ma trego njeriun tënd, e unë po të tregoj Zotin tim. Tregomë, pra, se sytë e shpirtit tënd shohin qartë e veshët e zemrës sate dëgjojnë mirë…. Zoti u tregohet atyre, që mund ta shohin, atyre që i mbajnë gjithnjë të hapur sytë e shpirtit. Të gjithë kanë sy për të parë, por disa i kanë të verbër, sy që nuk janë në gjendje të shikojnë dritën e diellit. Por fakti se të verbrit nuk shikojnë, s’ mund të dëshmojë se dielli nuk lind çdo ditë. Të verbrit të kapen me vetveten, me sytë e tyre, e jo me diellin”. “Njëlloj, biri im, në se ti i ke sytë e shpirtit të verbër, e nuk je në gjendje t’i shikosh fajet e zakonet e këqija, nuk mund ta shikosh dritën. Si një pasqyrë të kthjelltë, tejet të pastër: ja pikërisht kështu duhet ta ketë njeriu shpirtin”. “Në se pasqyra prishet, njeriu nuk mund ta shikojë më veten në të. Njëlloj, në se njeriu është mëkatar, nuk mund ta kundrojë fytyrën e Zotit”.

Autori i këtyre frazave, Teofili, të cilat më vonë do t’i përdorte vetë Shën Agostini, lindi në një zonë të Lindjes, pranë Tigrit e Eufratit. Ishte pagan e mori një edukatë helenistike. U kthye në fenë e krishterë, duke admiruar sjelljet e të krishterëve, shumë më të larta se të paganëve, e duke lexuar Biblën. Përvoja e tij, si njeri i kthyer në fe, e jo më pak kultura shekullare, që kishte marrë, do t’i shërbenin, më pas, në polemikat e mprehta kundër të pafeve e filozofëve të helenizuar.

Teofili u zgjodh ipeshkëv i Antiokisë në vitin 169 dhe e vijoi misionin baritor në qytetin e madh, ku e kishte pasur katedrën e parë vetë Shën Pjetri, deri në vdekjen e Mark Aurelit, në vitin 180. Ndoshta pa edhe vitet e para të sundimit perandorak të pasardhësit të tij, Komodit. Kujdesi apostolik, në mes të njërës nga bashkësitë më të populluara, por edhe më të trazuara, të botës së parë të krishterë, nuk e shkëputi nga studimi e nga veprimtaria e jashtëzakonshme intelektuale. Shkroi vepra polemike kundër heretikëve të kohës, vepra katekistike, komente të Shkrimit Shenjt, vepra historike, për të shpjeguar natyrën përrallore të miteve pagane. Mund të themi, prandaj, me plot gojën, se ishte Ipeshkëv që la në historinë e kohës gjurmë të thella urtie e kulture, ashtu si la në shpirtrat që i qenë besuar, gjurmë të pashlyeshme bamirësie e mëshire.

13 tetor 2020, 10:35