2020.09.24-reliquia-GPII-trafugata.jpg

Vidhet në katedralen e Spoletos, relikja e shën Gjon Palit II

“Akt i rëndë, që cënon ndjeshmërinë dhe përkushtimin e sa e sa njerëzve”: kështu komenton imzot Boccardo, pas vjedhjes së ampulës me gjakun e Papës Wojtyla.

R.SH. - Vatikan

Ampula me gjakun e shën Gjon Palit II, relike e çmuar për besimtarët e Spoletos, nuk është më në kapelën e të Kryqëzuarit në Bazilikën-Katedrale të Spoletos, ku e ka vendin. U vodh dje, akoma nuk dihet nga kush. Kryeipeshkvi i Spoleto-Norcia-s, imzot Renato Boccardo, bën thirrje që t’i kthehet kishës vendase. Në një komunikatë, kryedioqeza sqaron se mungesën e ampulës me gjakun e Papës shenjt polak, e vuri re sakristanja në çastin e mbylljes së katedrales. Kuria kryeipeshkvnore njoftoi menjëherë karabinierët e Spoletos, që filluan hetimet e rastit. Kur mori vesh lajmin, imzot Boccardo shprehu habinë dhe keqardhjen për këtë sakrilegj, duke u bërë zëdhënës i ndjenjave të besimtarëve, që mbajnë gjallë kujtesën e Papës Wojtyla e kanë devocion të madh për të.

Gjest i rëndë

          Në një videomesazh, prelati shpreson që ky akt të jetë bërë pa menduar për pasojat e nuk ka për qëllim të fyejë besimtarët, ose, edhe më keq, të fitojë para nga shitja e relikes. Ampula me gjakun e shën Gjon Palit II ishte ngërthyer në një relikuar të larë me ar dhe iu dhurua kishës së Spoleto-Norcia-s më 28 shtator 2016, nga kryeipeshkvi i atëhershëm i Krakovit, Stanislaw Dziwisz. Duhej të vendosej në kishën e re të San Nicolò, pranë Spoletos, e cila i kushtohet pikërisht Papës polak. Mesha e kushtimit do të kremtohet më 22 tetor.

24 shtator 2020, 13:10