Kërko

00736_04082016 ok.jpg

Vëllezërit janë dhuratë: përvoja e shën Françeskut të Asizit

Sipas shën Françeskut, vëllazërimi nuk është teori abstrakte, por dhuratë konkrete e Zotit për të gjithë e për secilin. Varfanjaku i Asizit na kujton, edhe sot, se nuk mund të jemi vëllezër të vërtetë nëse nuk e konsiderojmë njëri-tjetrin bij të të njëjtit Atë.

R.SH. - Vatikan

Shën Françesku i Asizit e frymëzon sërish Papën, që, i pari në histori, mori emrin e tij. Nëse para pesë vitesh, ishte lavdërimi i Zotit për Gjithësinë e krijuar prej Tij, pra, Kënga e Krijesave, shpirti i Enciklikës “Laudato si’”, kësaj radhe është vëllazërimi (dhe miqësia shoqërore), në qendër të vëmendjes së dokumentit të ri magjistral, të cilin Ati i Shenjtë do ta nënshkruajë më 3 tetor, pikërisht në tokën e Varfanjakut shenjt. Quhet “Fratelli tutti” (Vëllezër të gjithë). Por çfarë janë, ose më saktë kush janë “vëllezërit” për Shën Françeskun? Njërën nga përgjigjet e gjejmë në “Testamentin” e tij, ku, pasi rrëfen për takimin me të gërbulurit - tek të cilët e çoi Krishti, sepse ai vetë ndiente neveri – shën Françesku thotë: “E pasi Zoti më dha fretër, askush nuk më tregoi se çfarë duhet të bëja, por vetë i Tejetlarti më zbuloi se unë duhej të jetoja sipas formës së Ungjillit shenjt”.

 Fretërit, pra, vëllezërit - siç përkthehet fjala në shqip - i paraqiten Françeskut, së pari, si dhuratë e Zotit. Një dhuratë e papritur dhe, në të vërtetë, jo aq e lehtë, sepse krijojnë një situatë të re, që “e detyron” atë t’i kërkojë ndihmë Zotit, pasi askush s’di ta mësojë. Vëllezërit nuk i “fitojmë” në ndonjë betejë e as janë ashtu siç do t’i dëshironim, por janë vepra e gjallë e Krijuesit, që i dhurohet lirisht secilit prej nesh. Për këtë arsye, nuk mund t’i zgjedhim, nuk janë pronë e jona, por vetëm mund t’i duam ashtu siç janë, me dobësitë dhe me tiparet e tyre, që mund të ndryshojnë shumë nga tonat. Ato ndryshime (e nganjëherë, edhe kundërshti) mund t’i harmonizojë vetëm Zoti, sepse, siç do të thoshte Papa, harmoninë nuk e krijojmë ne, por Shpirti Shenjt.

 Ajo që del qartë në Françeskun e Asizit dhe konfirmohet në këtë shkrim themelor, në përfundim të jetës së tij tokësore, është se për të, vëllazërimi nuk përbën ndonjë ide a teori abstrakte, por një fakt konkret, një përvojë, që ia ndryshon jetën. Gjithashtu, shihet qartë se për shën Françeskun, nuk ka vëllazërim, nëse nuk njohim (dhe pranojmë) birësinë e përbashkët nga Ati Qiellor. Ne të gjithë jemi vëllezër, pasi jemi bij të të njëjtit Atë. Prandaj, askush nuk është më i huaj për tjetrin. Një revolucion perspektive, që do ta çojë shën Françeskun në vendime befasuese, si, për shembull, vizita e mirënjohur tek Sulltani i Egjiptit. Ky është thelbi i kthesës së Shenjtit të Asizit e, mund të themi, edhe i çdo gruaje dhe i çdo burri, që ka takuar me të vërtetë Jezu Krishtin. Në fakt, nëse nuk e kuptojmë se Ati Qiellor ka një plan të përbashkët dashurie për të gjithë ne, nuk mjafton ta quajmë veten vëllezër e motra. As biologjikisht. Kujtojmë se Kaini, vëllai i gjakut, e vrau Abelin. Dhe e vrau, sepse urrejtja ia mbylli sytë. Duke mos e parë më dashurinë e Atit për të vëllanë, as nuk e njohu si të tillë.

Gjithsesi, vëllazërimi, për Françeskun e Asizit, nuk është dhuratë “e dhënë një herë e përgjithmonë”. Ai duhet ushqyer dhe rritur me bamirësi. E gjithnjë sjell paqe. Marrëdhëniet me vëllezërit ndjekin rrugën, që çon drejt krijimit të një bashkësie. Pikërisht pas takimit me fretërit e tij, Zoti i zbulon Shën Françeskut si duhet ta jetojë Ungjillin, duke marrë “formën” e këtij “Ungjilli shenjt”. Pra, rrënjësisht, pa ndryshuar e pa lehtësuar asgjë, “pa qetësues”, për ta thënë me fjalët e Papës Françesku.

Për Shenjtin Pajtor të Italisë, kujdesi për të tjerët si për veten bëhet mënyrë dhe hapësirë ​​e privilegjuar ungjillizimi. Prandaj nuk mund të ekzistojë një frat i izoluar. Do të ishte një kontradiktë, një kundër-dëshmi. Për Varfanjakun e Asizit, dashuria për Atin Qiellor rritet po aq sa dashuria për vëllain, në fytyrën e të cilit gjejmë tiparet e Krijuesit. Një dashuri, që tek Françesku shtohet aq sa bëhet kozmike, sepse vëllazërimi kthehet në përqafim për çdo krijesë: edhe Dielli quhet vëlla e Hëna, motër. Tetë shekuj më vonë, pavarësisht nga egoizmat në rritje e nga barrierat e çdo lloji, bota ende ka etje për vëllazërim, ende kërkon një Atë. Dëshmia e shën Françeskut të Asizit, i cili donte të bëhej “vëlla me të gjithë njerëzit”, është më se aktuale dhe na nxit që bashkë me Françeskun tjetër Papë, të ecim në rrugën e vëllazërimit.

15 shtator 2020, 14:00