Kërko

 Festivali Evropian i Udhëve Francigjene Festivali Evropian i Udhëve Francigjene 

Ndërmjet fesë e historisë, Festivali Evropian i Udhëve Francigjene

U kushtohet udhëve të jugut, “Festivali Evropian i Udhëve Francigene, që në gjuhë të ndryshme quhen: Udhë, Vie, Ways, Chemins… Në kalendar, një sërë nismash, që do të vijojnë nga 29 shtatori deri më 29 nëntor, në prani ose në distancë, duke respektuar normat anti-Covid-19.

R. SH. - Vatikan

Festivali Evropian i Udhëve Francigene(viefrancigene.org), që organizohet për të dhjetën herë, është rast për të reflektuar e për ta shoqëruar njeriun që niset drejt qyteteve, fshatrave, fushave e vendeve të tjera mahnitëse! Në drejtim të Romës. E, pastaj, të Tokës Shenjte. Edicioni i 2020-tës ka tri pjesë: së pari, synon të hyjë thellë në rrënjët historike, domethënë të krishtera, të shtegtimit nga Mesjeta e hershme e deri më sot; së dyti, të jetojë “turizmin e mirë nëpër rrugët francigjene”; e, së treti, për nder të 100 vjetorit të lindjes së Gianni Rodarit, të njohë nga afër “Gramatikën e fantazisë, si hyrje në artin e shpikjes së historive”. Sepse kjo rrugë është plot me mrekullira, që nuk mund të mos e ngacmojnë fantazinë e shtegtarit. Edhe të atij që nuk e ka dëgjuar kurrë fjalën fantazi!

Dy fjalë për Udhën Francigene

Udha Francigene, Franchigene, Franciska a Romea, siç quhet  nga shtegtarët e viseve të ndryshme, është pjesë e rrugëve të njohura me emrin romee që, duke nisur nga Evropa perëndimore, kalojnë përmes Francës, në Evropën jugore e deri në Romë. Për të vijuar, pastaj, drejt Pulies, ku ishin- e janë - portet, që i hapnin shtegtarit horizontin e Tokës Shenjte. Ky ishte caku, prej nga niseshin shtegtarët e kryqtarët mesjetarë.

Pakëz histori

Në Mesjetë shtegtimi në Romë, për të vizituar Varrin e Shën Pjetrit, ishte një nga tre shtegtimet ‘maiores’, njëheresh me Tokën Shenjte e Santiagon e Kompostelës. Prandaj Italia përshkohej gjithnjë nga shtegtarët e ardhur nga të katër anët e Evropës. Shumë ndaloheshin në Romë, të tjerët zbrisnin gjatë gjithë gadishullit, deri në portin e Brindisit, ku i prisnin anijet, me vela shpalosur, gati për të nisur shtegtimin drejt Tokës Shenjte. Shtegtarët e ardhur posaçërisht nga  toka e Frankëve, në epokën pas karolinge, nisën të hyjnë në Itali duke kapërcyer Alpet.

Dokumentet e para ku duket Udha Francigene

Dokumentet e para, ku hasim emrin e Udhës Francigene, i përkasin shekullit IX. Ndërsa relacioni, ku përshkruhet për herë të parë ky shtegtim i paharrueshëm, i përket shekullit X. Na e la trashëgim ipeshkvi Sigerico, që e shkroi gjatë shtegtimit të kthimit nga Roma, ku kish shkuar për t’u takuar me Papën e për të marrë palion - në Canterbury, nëpër atë, që më pas do të quhej nga të gjithë “Udha Francigjene”. Dokumenti i Sigericos është një nga dëshmitë më domethënëse lidhur me rrjetin  e udhëve të komunikimit evropian në epokën mesjetare, ndonëse nuk i pëshkruan të gjitha rrugët e rrugicat, që i ngjasin pëlhurës së merimangës, të përshkuara nga shtegtarët e kohës. Duke njohur nga afër situatën politike, besimet, reliket, kishat, shenjtorët e banorët vendas, me kulturën e besimin e tyre, kudo shkelnin. Një pasuri e vërtetë, e fituar në shtegtim.

Shtegtimi, mjet komunikimi

Ky shtegtim nëpër rrugë e rrugica, fshatra e qytete, të mëdha e të vogla, ndikoi fuqimisht për takimin e kulturave evropiane dhe për krijimin e bazës kulturore, artistike, ekonomike e politike të Evropës moderne. Nuk është, prandaj, aspak e arsyshme që Mesjeta të quhet kohë e errët, epokë e obskurantizmit, pa asnjë rreze drite. Një përfundim i tillë flet për mungesë të ndjeshme kulture historike. Goethe, njëri nga gjenitë e të gjitha kohëve,    na kujton se ndërgjegjja e Evropës lindi pikërisht nëpër rrugët e  shtegtimit!

Udha Francigjene, sot

Që nga vitit 1994, Udha Francigene u deklarua “Itinerar Kulturor i Këshillit të Evropës”, duke i njohur dinjitetin mbikombëtar, shtegtimit në Santiago të Kompsotelës.

23 shtator 2020, 09:58