Venite_a_Me-Vangelo--della-XIV-Domenica-del-Tempo-Ordinario-A-AEM.jpg

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXIII të vitit liturgjik

Qortimi vëllazëror, në qendër të pjesës ungjillore të sotme, marrë nga kreu 18 i shën Mateut. Në këtë të diel XXIII të vitit liturgjik A, Jezu Krishti përvijon mënyrën se si duhet t’i këshillojmë të afërmit tanë, kur i shohim në gabim. Na siguron edhe se aty ku janë dy a tre njerëz, të bashkuar në emrin e Tij, aty është edhe Ai vetë. Por, le ta ndjekim...

R.SH. - Vatikan

15 “Në qoftë se vëllai yt mëkaton [kundër teje], qortoje vetëm për vetëm. Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllanë tënd. 16 Po qe se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy njerëz të tjerë, që çdo gjë të mbështetet në pohimin e dy ose tre dëshmitarëve. 17 Në qoftë se as ata nuk i dëgjon, tregoji Kishës. Nëse as Kishën nuk e dëgjon, mbaje si të ishte pagan ose tagrambledhës. 18 Përnjëmend po ju them: çdo gjë që ju të lidhni përmbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell dhe, çdo gjë që ju të zgjidhni mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell. 19 Prapë po ju them: nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë, të një mendimi, luten për çfarëdo sendi, Ati im që është në qiell, do t’ua japë. 20 Sepse, ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, midis tyre”.

Të lutemi së bashku:

Sa e vështirë është, o Jezus,

ta zbatojmë Ungjillin e sotëm në praktikë!

Pak fjalë, të Tuat, por përvijojnë

një udhë plot thepa e shkrepa,

që duhet përshkuar

kur ndonjëri, në bashkësinë e dishepujve,

njolloset me faj, ose kur dalin mbi ujë

xhelozi, dashakeqësi, brishtësi të paparashikuara,

sepse ashtu si ata dje, edhe ne sot, s’jemi të përsosur

e gabojmë pa fund.

Në të vërtetë, Ti nuk shkandullohesh

për ç’mund të ndodhë, por kërkon

t’i bëjmë ballë situatës

pa lejuar të na marrë me vete rryma.

Kështu, na thua ta ngremë kryet

të impenjohemi personalisht,

duke i folur qartë e drejtpërdrejt

vëllait, që ka gabuar.

Asnjë mërmëritje, pra, asnjë fjalë

pas shpinës së personit,

por qartë, të marrim përsipër përgjegjësinë

e t’i flasim në sy.

Asnjë gjykim pa fakte, shqiptuar si të ishim zota mbi dhe

por një konfrontim, që parashikon

dialogun, dëgjimin e tjetrit,

që i jep mundësinë të shpjegohet.

Më ndihmo, o Jezus, ta jetoj

në familje, në punë, në famulli

këtë faqe drite ungjillore.

05 shtator 2020, 08:28