Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXIII të vitit liturgjik
R.SH. - Vatikan
15 “Në qoftë se vëllai yt mëkaton [kundër teje], qortoje vetëm për vetëm. Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllanë tënd. 16 Po qe se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy njerëz të tjerë, që çdo gjë të mbështetet në pohimin e dy ose tre dëshmitarëve. 17 Në qoftë se as ata nuk i dëgjon, tregoji Kishës. Nëse as Kishën nuk e dëgjon, mbaje si të ishte pagan ose tagrambledhës. 18 Përnjëmend po ju them: çdo gjë që ju të lidhni përmbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell dhe, çdo gjë që ju të zgjidhni mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell. 19 Prapë po ju them: nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë, të një mendimi, luten për çfarëdo sendi, Ati im që është në qiell, do t’ua japë. 20 Sepse, ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, midis tyre”.
Të lutemi së bashku:
Sa e vështirë është, o Jezus,
ta zbatojmë Ungjillin e sotëm në praktikë!
Pak fjalë, të Tuat, por përvijojnë
një udhë plot thepa e shkrepa,
që duhet përshkuar
kur ndonjëri, në bashkësinë e dishepujve,
njolloset me faj, ose kur dalin mbi ujë
xhelozi, dashakeqësi, brishtësi të paparashikuara,
sepse ashtu si ata dje, edhe ne sot, s’jemi të përsosur
e gabojmë pa fund.
Në të vërtetë, Ti nuk shkandullohesh
për ç’mund të ndodhë, por kërkon
t’i bëjmë ballë situatës
pa lejuar të na marrë me vete rryma.
Kështu, na thua ta ngremë kryet
të impenjohemi personalisht,
duke i folur qartë e drejtpërdrejt
vëllait, që ka gabuar.
Asnjë mërmëritje, pra, asnjë fjalë
pas shpinës së personit,
por qartë, të marrim përsipër përgjegjësinë
e t’i flasim në sy.
Asnjë gjykim pa fakte, shqiptuar si të ishim zota mbi dhe
por një konfrontim, që parashikon
dialogun, dëgjimin e tjetrit,
që i jep mundësinë të shpjegohet.
Më ndihmo, o Jezus, ta jetoj
në familje, në punë, në famulli
këtë faqe drite ungjillore.