Kërko

01246_21092014aem.jpg

Shqipëria: udhëtimi i Papës Françesku në vendin, dikur, simbol i ateizmit

21 vite pas Gjon Palit II, Papa Françesku kremtoi meshën në Tiranë, përqafoi popullin e sprovuar, përforcoi në fe bashkësinë katolike. Forca e dialogut ndërmjet feve, në perspektivën e së mirës së përbashkët, në një vend me shumicë myslimane.

R.SH. - Vatikan

Ka ditë të pashlyeshme në historinë e një populli. Janë ditë, që përbëjnë gurë kilometrikë për të e shpesh, hapin udhë të reja. I tillë qe edhe 21 shtatori i vitit 2014, gjashtë vite më parë, kur Papa Françesku vendosi papritmas të shkojë në Shqipëri, në vizitën e tij të parë evropiane që nga fillimi i papnisë. Shkonte 21 vite pas Papës shenjt Gjon Pali II, i cili, më 25 prill 1993, rithemeloi Kishën, dalë nga vitet e tmerrshme të persekutimit ateisto-komunist. E Papa argjentinas trokiste në dyert e vendit në skaj të Evropës, për të përforcuar në fe bashkësinë e vogël katolike, por edhe për ta inkurajuar gjithë popullin të ecte në udhën e demokracisë.

         Sapo mbërriti, atë 21 shtator, u mahnit nga të rinjtë, që e pritën me dashuri të jashtëzakonshme, siç pati deklaruar atë Federico Lombardi, asokohe zëdhënës i vetë Papës. E ndoqën kudo, nga sheshi Nënë Tereza në Universitetin Katolik; nga katedralja e Shën Palit në Qendrën Betania. Së bashku me të rinjtë, pamje e njerëz të tjerë: krerët fetarë, shqiponja, martirët, përqafimi me dy të mbijetuarit e komunizmit, don Ernest Simoni (Troshani), tashmë kardinal, dhe motër Maria Kaleta. E pastaj, fëmijët e Qendrës Betania, ku murgeshat kujdesen edhe sot për nevojtarët e, shumë e shumë të tjerë.

Takimi me krerët fetarë
Takimi me krerët fetarë

Fetë e krerët fetarë

         Fjalët e Papës ishin krejt të qarta që në fjalimin e parë për autoritetet, në pallatin presidencial. “Askush – tha Ati i Shenjtë – të mos e mendojë se mund ta përdorë Zotin si mburojë, ndërsa planifikon e kryen akte dhune! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për vepra kundër dinjitetit të njeriut dhe të drejtave të tij”. E, më pas, gjatë takimit me krerët fetarë në Universitetin Katolik, shtoi: “Të vrasësh në emër të Zotit është sakrilegj i madh!”. Shqipëria, përsëriti disa herë, “dëshmon se bashkëjetesa është e mundur”. Bashkëjetesë e dialog, që sot, u pati shpjeguar krerëve fetarë, kanë nevojë për dy qëndrime: “Ta shohim çdo burrë e çdo grua si vëlla e si motër” dhe të punojmë me përkushtim “për të mirën e përbashkët”. Sepse “sa më shumë të jemi në shërbim të të tjerëve, aq më shumë jemi të lirë!” E Ati i Shenjtë ftoi të plotësohen “nevojat e të varfërve”. Fjalë, që u bënë jehonë atyre për autoritetet: “Globalizimit të tregjeve duhet t’i përgjigjet globalizimi i solidaritetit”. Ndërsa në Qendrën Betania, nënvizoi: “E mira të shpërblen pafundësisht më shumë se paratë, të cilat zhgënjejnë”. Fjalë, jashtëzakonisht të rëndësishme për atdheun e shqiponjave, gjithnjë e më i kërcënuar nga relativizmi dhe individualizmi, edhe sot, pas 6 vitesh, siç denoncojnë vazhdimisht ipeshkvijtë vendas, që shpesh, vënë në dukje të këqijat e vjetra dhe të reja: korrupsioni, çekuilibrimi shoqëror, sulmet ndaj institucionit të familjes...

Të rinjtë në pritje të Papës
Të rinjtë në pritje të Papës

Shqiponja dhe të rinjtë

         Megjithatë, jo gjithçka është “zi”. Jo për një vend, që ka shqiponjën në flamur. Kjo shqiponjë, sugjeroi Papa Françesku gjatë meshës në sheshin Nënë Tereza, “t’ju kujtojë shpresën”. Ajo “nuk e harron folenë, por fluturon lart. Fluturoni lart! Ngjituni lart!” edhe ju, u tha Ati i Shenjtë shqiptarëve. Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa iu drejtua veçanërisht të rinjve: “Thonë se Shqipëria është vendi më i ri në Evropë, prandaj po ju drejtohem juve. Ju jeni brezi i ri, brezi i ri i Shqipërisë, e ardhmja e atdheut. Mësoni t’i thoni ‘jo’ idhujtarisë së parasë, ‘jo’ lirisë së rreme individualiste, ‘jo’ varësive dhe dhunës; përkundrazi, t’i thoni ‘po’ kulturës së takimit dhe të solidaritetit. Kështu, do të ndërtoni një Shqipëri më të mirë”. Papa i nxiti të rinjtë të mësojnë nga shembulli i martirëve.

Papa përqafon don Ernest Simon Troshanin
Papa përqafon don Ernest Simon Troshanin

Martirët dhe të mbijetuarit

         Martirët! Shumë më tepër se 38 të parët, fytyrat e të cilëve mbushnin rrugën kryesore të Tiranës, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. “Shqipëria – tha Françesku gjatë meshës në sheshin Nënë Tereza – është tokë martirësh: shumë e kanë paguar me jetë besnikërinë e tyre. Nuk kanë munguar sprova guximi të madh e koherence në dëshminë e fesë”. E dinin mirë don Ernesti e motër Maria, që i treguan Papës historinë e tyre të persekutimit, para lutjeve mbrëmësore në katedralen e kryeqytetit. Lotët e Atit të Shenjtë, menjëherë pas dëshmisë së tyre, prekën edhe zemrat e të pranishmëve, por jo vetëm kaq. Françesku la mënjanë fjalën e shkruar e foli pa letër. “Ky popull – pohoi – i ka të gjallë në kujtesë martirët e vet”. E, duke iu drejtuar dy të mbijetuarve: “Më falni, që po ju përdor sot si shembull, por të gjithë duhet të jemi shembull për njëri-tjetrin. Le të shkojmë në shtëpi, duke menduar se vërtet, sot, kemi prekur martirë”. Pamje simbolike, që mbylli ditën historike, përjetuar nga Shqipëria, dikur, simbol i ateizmit komunist e tani, vizituar nga dy Papë.

21 shtator 2020, 12:59