Kërko

Vatican News
 Jezusi u flet dishepujve me shembëlltyra Jezusi u flet dishepujve me shembëlltyra 

Shembëlltyrat: Ç’dëshiron të na mësojë Krishti përmes tyre?

Kur lexon shembëlltyrat, nuk mund të mos na lindë një nga pyetjet më të rëndësishme: “Ç’dëshiron të na mësojë Krishti përmes tyre?”. Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, e vetmja rrugë që duhet ndjekur, është ajo e leximit të vëmendshëm të teksteve ungjillore.

R. SH. - Vatikan

Kur lexon shembëlltyrat, nuk mund të mos na lindë një nga pyetjet më të rëndësishme: “Ç’dëshiron të na mësojë Krishti përmes tyre?”. Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, e vetmja rrugë që duhet ndjekur, është ajo e leximit të vëmendshëm të teksteve ungjillore, duke u përpjekur për t’i kuptuar sa më mirë, si në aspektin ekzegjetik, ashtu edhe në aspektin e mirëfilltë fetar, domethënë të krishterë, sepse Krishti i foli me shembëlltyra pikërisht Kishës së tij në fasha.

Në radhë të parë, duke përdorur zhanrin e shembëlltyrës, Zoti dëshiron t’u mësojë dëgjuesve të tij disa të vërteta, që lidhen drejtpërdrejt me lajmin e mirë të shëlbimit, për t’u ngarkuar misionin ta kumtojnë ndërmjet njerëzve. Është e rëndësishme të vërejmë se metoda e tij mësimore nuk është  teorike. Ai nuk flet me koncepte, siç do të bënte filozofi. Flet me figura, fryt i fantazisë e i aftësisë krijuese. Flet me krahasime, marrë nga jeta e përditshme, ose nga mënyra si sillen njerëzit e shtresave të ndryshme shoqërore, duke nisur nga mbretërit e duke zbritur deri tek ata, që mbeten gjithë jetën në këmbët më të ulëta të shkallës shoqërore, si fshatarët e thjeshtë, vejushat, vreshtarët…

Shembëlltyrat që tregon Krishti, duke tërhequr fort vëmendjen, për shkak të karakterit të tyre anekdotik, kanë për qëllim t’i nxisin dëgjuesit të thellohen në kuptimin e rrëfimit, të reflektojnë, t’i bëjnë vetes pyetjen: “Ç’deshi të thoshte Jezusi me këto fjalë?”. Për këtë arsye shumë shembëlltyra përfundojnë me shprehjen: “Kush ka veshë, të dëgjojë”(Mk 4, 9).

Por duhet pasur mirë parasysh se shembëlltyrat, që tregon Jezusi, nuk perceptohen aq lehtë. Dëgjuesi, sado i vëmendshëm, nuk mund ta kapë aty për aty kuptimin e krahasimit. Shpesh i duhet të vrasë mendjen, pa arritur ta kuptojë thelbin e kumtimit të Zotit. Ja pse dishepujt i kërkojnë vazhdimisht Krishtit t’u shpjegojë ç’deshi të thotë.  Jezusi, në disa raste, u jep shpjegimin e kërkuar. Por këtë nuk e bën gjithnjë. U shpjegon, për shembull, shembëlltyrën e mbjellësit (Mk 4, 14-20) të rrjetës së hedhur në det ( Mk 13, 47-20) e të egjrës, që mbin e lulëzon mes grurit (Mt 13, 24-30.36-43)...

Me shembëlltyrën e punëtorëve të vreshtit (Mt 20, 1-16), në të cilën tregohet se ata që punuan 12 orë, marrin po aq, sa të tjerët, që punuan vetëm një orë, Jezusi na mëson se Hyji e do njeriun dhe e shpëton, jo pse i vlerëson përpjekjet e mjera njerëzore, por vetëm për hir të mëshirës së tij. Zoti shëlbon përmes hirit të vet, jo përmes meritave tona. Ai nuk është vetëm i drejtë, sepse u jep  pagën e caktuar punëtorëve të orës së parë, por edhe, e sidomos, “i mirë”. I mirë për punëtorët e orës së parë e të asaj të fundit. Ai nuk sillet kurrë padrejtësisht; madje i tejkalon shumë kufijtë e drejtësisë njerëzore. Prandaj shpesh herë veprimi i tij e habit njeriun, sepse buron nga mirësia hyjnore, jo nga ajo tokësore. “Kush ka veshë, të dëgjojë!”.

20 shtator 2020, 11:18