I Lumi Bartolo-Longo I Lumi Bartolo-Longo 

Pompei kremton 40-vjetorin e lumnimit të Bartolo Longos

“E sotmja e Zotit dhe shenjat e kohës, në një botë, që ndryshon” - ky, titulli i Letrës, me të cilën kryeipeshkvi i Pompeit, imzot Tommaso Caputo, kujton themeluesin e shenjtërores: “La pas shembullin e shikimit të guximshëm drejt së ardhmes”.

R. SH. - Vatikan

“Duke shikuar Bartolo Longon, mund të gjejmë edhe sot, në ditët që po jetojmë, forcën dhe frymëzimin për t’i dhënë një shtytje të re angazhimit personal, kishtar e shoqëror”:  kështu shkruan, në Letrën drejtuar qytetit dhe besimtarëve, titulluar “E sotmja e Zotit dhe shenjat e kohës, në një botë, që ndryshon”, imzot Tommaso Caputo, për të përkujtuar  40-vjetorin e lumnimit të Bartolo Longos, themelues i Shenjtërores kushtuar Zojës Rruzare të Pompeit, për të inkurajuar angazhimin baritor e për të përballuar krizën e shkaktuar nga emergjenca e koronavirusit. Prelati i Pompeit thekson se nuk duhet të mposhtemi nga problemet e as nga të panjohurat, që kanë prirjen të na pengojnë për të realizuar thirrjen tonë të pakundërshtueshme: “Ta kumtojmë Ungjillin e ta çojmë përpara veprën e Bartolo Longos”.

Nga lumnimi i Bartolo Longos, tek Pompei i sotëm

Në Letrën e prelatit kujtohet 26 tetori i vitit 1980, kur Gjon Pali II e lartoi në nderimet e altarit themeluesin e Shenjtërores së Zojës Rruzare të Pompeit, pa harruar edhe ngjarjet e muajve të fundit. Nënvizoi se Bartolo Longo i la trashëgim bashkësisë shembullin e një vizioni guximtar për të ardhmen, duke paraparë shkëlqimin e Qytetit të Zotit edhe ndërmjet gërmadhave e mjerimit. “Kujtimi i përvojës dramatike të asaj kohe do të ishte i kotë, nëse nuk do të mbetej burim guximi e shprese për kohët tona- nënvizon imzot Caputo - duke theksuar, në vijim, çka na kujton sot kjo Figurë e Lume. Na kujton  se Bartolo Longo duhet të frymëzojë një fillim të ri  për ardhmërinë e Pompeit (e edhe tonën): “Të rinisemi, pas ndalimit të krizës, për ne pompeianët (e ne të gjithë) do të thotë të bëhemi të vetëdijshëm për historinë tonë të fesë e të dashurisë së krishterë, për t’u angazhuar personalisht që bota e së nesërmes, duke nisur nga qyteti ynë,  të jetë më solidare, më gjithëpërfshirëse, më e bashkuar, më e harmonishme”.

Të shqyrtojmë të sotmen e Zotit

Duke përmbledhur me pak fjalë historinë e Shenjtërores së Zojës Rruzare, kryeipeshkvi-prelat kujton, më pas, edhe se në përpjekjen për rilindjen njerëzore e kristiane sipas planit të Zotit, “Bartolo Longos i priu vetë Provania Hyjnore, e se covid-i i asaj kohe ishte mjerimi e padija, që e gjunjëzonin gjithë zonën, përplot me jetimë, me vejusha e të burgosur, të lënë në mëshirën e fatit”. Kujtoi, kështu, lidhjen e  misterit të realietetit të atyre kohëve të largëta, me kohët tona. Gjë që e bën Të Lumin Bartolo Longo figurë, e cila nuk na kujton vetëm të kaluarën, por kryesisht shenjtëroren, si qendër  feje e fanar dashurie, besimtarët e së cilës vijojnë  të kryejnë misionin e tyre në të gjithë territorin - si asokohe – kur i Lumi Bartolo Longo ndërtonte Shenjtëroren e i drejtonte Zojës këtë lutje:

Lutja e Zojës Rruzare në Pompei

“O Rruzare e bekuar nga Shën Maria, zinxhir i ëmbël që na lidh me Zotin, vjegëz dashurie që na bashkon me Engjëjt, kështjellë shpëtimi, në sulmet e ferrit, port i sigurtë në rast përmbytjeje të përgjithshme, ne nuk do të lëshojmë më kurrë nga dora. Ti do të jesh ngushëllimi ynë në agoni, për ty - puthja e fundit e jetës që shuhet. Fjala e fundit që del prej buzëve tona, do të jetë emri yt hyjnor o Mbretëreshë e Rruzares së Pompeit, o Nëna jonë e dashur, o Strehë e mëkatarëve, o Sovrane ngushëlluese e të pikëlluarve. Qofsh kudo e bekuar, sot e përgjithmonë, në tokë e në qiell. Amen”

Vlera shpirtërore e kësaj lutjeje

Lutja e përgjëruar është njëkohësisht lirikë dhe muzikë. Mbi këto fjalë u derdhën lumenj lotësh e përrenj puthjesh. Në këtë lutje universale, derdhen të gjitha dhimbjet dhe shpresat e familjes njerëzore. Është kaq i përkryer tingëllimi i saj në çdo zemër të krishterë, saqë secilit, kur e thotë, i duket se po e krijon ai vetë, për herë të parë. Mund të themi se autori i vërtetë nuk është Bartolomeo Longo, por shpirti popullor, feja e popullit. Është Kisha që ecën në botë e lutet në këto ditë, kur Zoja Rruzare e shndërron trishtimin e besimtarëve në fe e shpresë!

16 shtator 2020, 12:38