Kërko

 Shtegtim në Tokën Shenjte Shtegtim në Tokën Shenjte 

Nesër, 13 qershor, në mbarë botën, Dita e lëmoshëve për Tokën Shenjte

Do të mblidhet nesër Ndihma Papnore për Viset e Shenjta. Tradicionalisht njihet si Lëmosha e së Premtes së Madhe, po sivjet u shty për shkak të Covid-19. Ndihma e Papës është burimi kryesor, që përdoret për të mbështetur misionin e rreth 300 françeskanëve, të cilëve u është besuar Rojtaria e Tokës Shenjte. Kardinali Sandri bën thirrje për solidaritet, ndërsa Atë Patton, Rojtar i Viseve të Shenjta, shpreh shqetësimin për pasojat e pandemisë, që vijojnë, e të mungesës së shtegtarëve, burim kryeor i jetës për këto Vise, të cilat i përkasin mbarë botës.

R. SH. - Vatikan

“Situata aktuale e Pandemisë Covid-19 ndjehet fort në shumë kombe, ku vijojnë masat parandaluese, që pengojnë kremtimin komunitar të riteve të Javës së Madhe” - kështu shkruante kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, më 27 marsin e kaluar, duke dhënë njoftimin për shtyrjen e mbledhjes së ndihmave të së Premtes së Madhe,  shenjë bashkimi konkret me të krishterët e Tokës Shenjte. Solidaritet ky, që jetohet në mbarë botën, duke u krijuar bashkësive të krishtera kushtet për ta vijuar praninë ungjillore në ato vise e edhe për të mbajtur shkollat dhe veprat e ndihmës, të hapura jo vetëm për të krishterët, por për gjithë të vegjlit e të shtypurit. Për këtë arsye - njoftonte komunikata - Ati i Shenjtë Françesku miratoi propozimin që Ndihma papnore për Tokën Shenjte, për vitin 2020,  të mblidhej të diel, më 13 shtator, në prag të Festës së Naltimit të Shenjtes Krygjë.    

Kardinali Sandri: ndihma, shtegtim shpirtëror në Tokën e Krishtit

Shpresohej se, pas kaq muajve - kujton kardinali Sandri - kriza shëndetësore do të mbetej pas shpine! Po kjo nuk ndodhi e Toka Shenjte po vuan shumë. Ndaj  të gjithë besimtarët ftohen të dhurojnë për ato vise, atë që kanë mundësi. Prelati i Lartë e nënvizon me forcë vlerën e solidaritetit në këto çaste, duke i ftuar besimtarët, edhe ata të prekur rëndë nga pandemia, ta shikojnë ndihmën si shtegtim shpirtëror në viset e Jezusit, meqë shtegtimet konkrete janë ende të pamundura.

Si do të përdoret Lëmosha e Papës?

Pyetjes “Si do të përdoret sivjet Lëmosha apo Ndihma për Tokën Shenjte, kardinali Sandri i përgjigjet se do të përdoret për të plotësuar nevojat më të ngutshme të vëllezërve tanë të krishterë, por edhe të gjithë nevojtarëve të tjerë. Pastaj në ndimë të shkollave, që janë të hapura për të gjithë e po ashtu edhe të veprimtarive shëndetësore, spitaleve, Universitetit, si ai i Betlehemit. Jezusi, gjithnjë pranë të gjithëve, vijon të na bëjë thirrje: “Ejani tek unë, ju të gjithë, që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh”.  

 

12 shtator 2020, 12:50