Kërko

Vatican News
Shtatorja e Atë Piut Shtatorja e Atë Piut 

Nëntëshja për Shën Piun, kremtim i veçantë

Festa e Shenjtit nga Pietrelçina sot ishte në kulmin e nëntëshes së lutjes, në përkim me hapjen e Çështjes së Lumnimit të fra’Modestinos në familjen françeskane.“Edhe atë Piu e jetoi kohën e një pandemie: atë të gripit spanjoll”, kujton drejtori i emitentes televizive të Fretërve të Vegjël Kapuçinë të Shën Giovanni Rotondos. Asokohe, ashtu si sot, ky Shenjt i madh ishte - e mbeti - pikë referimi. Sot, kremtimi eukaristik i sekretarit të nderit të Sinodit të ipeshkvijve, kardinalit Baldisseri.

R. SH. - Vatikan

Në vitin 2018, festa liturgjike e 23 shtatorit kushtuar plagëve të përhershme  të Atë Piut, përkoi me ngjarjen e mbinatyrshme e me 50-vjetorin e vdekjes së Fratit Shenjt. Sivjet, një përkim i ri, me hapjen e Çështjes së Lumnimit  dhe  të Shenjtërimit të Shërbëtorit të Zotit, fra’ Modestinos, në shekull Danino Fucci - vdekur me famën e shenjtërisë, më 14 gusht të vitit 2001.

Nëntëshja dhe mbrëmësorja

Nëntë ditët e lutjes, që tradicionalisht i paraprinë festës së sotme liturgjike, nisën me Meshën kryesuar në Shenjtëroren e Shën Marisë së Hireve  nga kryeipeshkvi i Manfredonia-Vieste-San Giovanni Rotondo, atë Franco Moscone. Më pas, seanca e hapjes së hetimeve dioqezane mbi jetën dhe virtytet heroike të sivëllait të Atë Piut. “Gjithçka ishte fra’ Modestino – shpjegon Stefano Campanella, drejtor i Tele-Radio Atë Piu - zu fill nga kjo figurë, që ai e ndoqi dhe e njohu, që kur ishte fëmijë”.

Atë Piu dhe kujdesi për shpirtin e për korpin

Çdo ditë, për nëntë ditë, u kremtua Mesha e orës 18.00, deri te mbrëmësorja brenda Kishës së Shën Piut, sipas protokollit të sigurisë shëndetësore të Covid-19. Edhe Atë Piu e jetoi personalisht përvojën e pandemisë - një pandemie shkatrrimtare e cila, që nga viti 1918 deri më 1920, u end si fantazmë e tmerrshme në mbarë botën, duke shkaktuar vdekjen e miliona njerëzve. Shumëkush asokohe rendte për të kërkuar shpresë e shërim tek atë Piu, i cili që atëhere gëzonte famën e shenjtërisë. Ai vetë kujdesej për seminaristët e prekur nga virusi, pa  e kursyer veten e pa frikë se mund t’i ngjitej sëmundja vdekjepurëse.  

23 shtator 2020, 12:53