Kërko

 Shën Nënë Tereza Shën Nënë Tereza 

Nënë Tereza vijon të na kujtojë…

Fraza të zgjedhura, nga fjalori i begatë i Shën Nënë Terezës

R. SH. - Vatikan

“Lapsi i vogël në duart e Zotit”, e vetëquajtur kështu për guximin me të cilin eci këmbëzbathur në udhët e mjerimit njerëzor, në emër të Krishtit,  e për thjeshtësinë e saj, Nënë Tereza na la trashëgim, përveç frazës që na pëlqen aq shumë “me gjak jam shqiptare”, një mori frazash e mendimesh, me vlerë për gjithë botën:

“Mendoj se nuk kam cilësi të veçanta e nuk pretendoj asgjë për punën që kryej. Gjithçka është vepra e Zotit. Jam laps i vogël në dorë të Tij, asgjë më shumë. Është Ai, që mendon. Ai, që shkruan. Lapsi nuk ka të bëjë fare me gjithë këtë.  Duhet vetëm për t’u përdorur”.

“Nuk jeton më kot, kush, gjatë udhës së jetës, ndez qoftë edhe një flakëz të vetme, në orën e errët të tjetrit” .

“S’ka varfëri më të  keqe, sesa të mos kesh dashuri për të dhuruar”

“Gëzimi është ngjitës. Jini, prandaj, plot me gëzim kudo që shkoni! E do t’ia ngjitni mbarë botës”.

“Duhet mjerimi, për ta kuptuar gëzimin; dyshimi, për ta kuptuar të vërtetën; vdekja, për ta kuptuar jetën. Por megjithatë mos ngurro ta përqafosh edhe trishtimin, kur vjen”.

“Njerëzit janë larg realitetit, larg çdo logjike, kanë pranë e pranë vetëm vetveten. Po ti duaji, ashtu si janë!”.

“Të jesh i padashur, i padëshruar, i harruar nga gjithë bota. Kjo është varfëria më e madhe, shumë më e keqe, se kur s’ke asgjë për të ngrënë”

“Dashuria është e vetmja përgjigje, që mund t’i jepet vetmisë”.

“Fodullëku shkatërron çdo gjë. Gërbula e botës perëndimore është vetmia”.

“Nuk është gjë e madhe kjo që bëjmë,  e madhe është dashuria me të cilën e bëjmë. Nuk është e madhe ajo që japim, e madhe është dashuria me të cilën e japim”.

“Besoj se asnjë nga ne nuk e di ç’është uria, por një ditë ma mësoi një vajzë e vogël. E gjeta rrugës, e pashë se kishte uri e i dhashë një copë bukë. E ajo nisi ta lëpijë, jo ta hajë. I thashë ta kafshonte qetë-qetë, por m’u gjegj: “Kam frikë se kur të mbarojë, do të kem përsëri uri”.

05 shtator 2020, 12:23