01100_21032015 ok.jpg

Në internet, “Shtegtimi i familjeve për familjet”

Organizuar nga “Ripërtëritja në Shpirtin Shenjt”, shtegtimi i 13-të i familjeve italiane do të bëhet të shtunën, më 12 shtator, kryesisht në formën virtuale. Ceremonia fillestare do të mbahet në Shenjtëroren e Pompeit. Ngjarja do të transmetohet në telvizion dhe në faqen e internetit e në rrjetet shoqërore të vetë shoqatës katolike.

R.SH. - Vatikan

“Gëzohuni, inkurajojeni njëri-tjetrin, kini të njëjtat ndjenja”: ky fragment, marrë nga Letra e dytë e Shën Palit Apostull drejtuar Korintasve (13,11) është motoja e zgjedhur për Shtegtimin e 13-të italian të familjeve për familjen, planifikuar për të shtunën, më 12 shtator. Organizuar nga shoqata katolike “Ripërtëritja në Shpirtin Shenjt”, në bashkëpunim me Prelaturat e Pompeit dhe të Loretos, me Zyrën Kombëtare për Baritorinë e Familjes në Konferencën Ipeshkvnore Italiane dhe me Forumin Kombëtar të Shoqatave të Familjes, nën patronazhin e Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillizimit të ri, ngjarja do të zhvillohet kryesisht në formën virtuale, me një numër të kufizuar besimtarësh të pranishëm fizikisht, për shkak të rregullave kundër koronavirusit.

Nga Shtenjtërorja e Pompeit

 “Nga ora 16.30 deri në orën 18.00, në Shenjtëroren e Pompeit, do të mbahet ceremonia e mirëseardhjes, do të dëgjohen dëshmitë, do të thuhet Rruzarja dhe do të lëshohen tullumbace me lutjet e fëmijëve. Ndërkaq, nga ora 19.00 deri më 20.30, në Shenjtëroren e Loretos, do të përjetohen dy “Akte kushtimi Marisë” (një për familjet dhe tjetri për fëmijët, në prag të vitit të ri shkollor), do të kremtohet mesha dhe do të jepet bekimi përfundimtar. Shtegtimi do të transmetohet drejtpërdrejt në televizionin italian kishtar Tv2000, në faqen e internetit të Ripërtëritjes në Shpirtin Shenjt dhe në kanalet e shoqatës në YouTube e Facebook.

Familjet e bashkuara në lutje

“Vendi - shkruajnë promovuesit në ftesën për këtë ngjarje – ka nevojë të takohet me fytyrën e gëzueshme dhe të mëshirshme të familjeve tona; fytyra e një Italie, që nuk ka reshtur së besuari në vlerën providenciale të dashurisë, në bashkimin e frytshëm të një burri dhe të një gruaje, lidhur në martesë e bekuar nga dhurata e fëmijëve”. “Zgjidhja e krizës që po kalon familja - lexohet në letër - duhet të gjendet në aftësinë e saj për t’u përtërirë në dritën e fesë”, prandaj, “asgjë më shumë se lutja, nuk e siguron pëgjigjen për këtë nevojë urgjente”. Lutja është “ilaçi kundër mjerimeve të shumta shpirtërore, që ka sjellë Covid-19”.

09 shtator 2020, 12:05